Izraeli u shpall “shtet kombëtar i hebrenjve“. Politizimi i zotit dhe besimit po përparon e jo vetëm në Lindjen e Mesme. Feja po kthehet gjithnjë e më shumë në fushë konfliktesh. Si mendojnë përfaqësuesit e saj?
Astrid Prange De Oliveira*
Prifti Nikodemus Schnabel nuk e mban gojën: “E kuptoj këdo që dëshpërohet në Jeruzalem. Jeruzalemi është vendi më i mirë për t’u kthyer në ateist”, thotë ai në bisedë me Deutsche Wellen. Schnabel është zëdhënës dhe ish-drejtues i manastirit të Benediktinëve në malin Zion në Jeruzalem. Bashkë me përfaqësues të tjerë ai mori pjesë në trajnimin ndërkombëtar mediatik të Akademisë së Deutsche Welles për “Fenë dhe Median”. Ai e kupton kritikën për përvetësimin e fesë nga politika. “Feja është kërkim i zotit dhe jo identitetit”. Ajo nuk duhet të keqpërdoret për “përgjigje të thjeshtëzuara për identitetin”.
Schnabel e di përse flet. Të enjten parlamenti i Izraelit miratoi ligjin e kontestuar kombëtar, që forcon karakterin hebraik të shtetit. Këtu bën pjesë përcaktimi i hebraishtes si gjuhë kombëtare zyrtare dhe degradimi i gjuhës arabe, deri më tani zyrtare, në statusin e gjuhës së posaçme. “Në Jeruzalem, vërtet fetë janë prezente në anën e tyre të shëmtuar”, thotë ai. Schnabel thotë se “me dëshirë unë i quaj huliganët e fesë, që për fat të keq edhe e përcaktojnë imazhin e saj.”
Krijon feja më shumë probleme se sa zgjidhje?
Një qëndrim i ashpër, të cilin e ndajnë edhe krerë të tjerë fetarë. Për shembull në Gjeorgjinë ortodokse të krishterë. “Të rinjtë vërtet mendojnë, se feja krijon më shumë probleme se sa zgjidhje”, thotë Rusudan Gotziridze. Si baptiste ajo është peshkope në një pakicë fetare, ashtu si edhe myslimanët në Gjeorgji.
Rusudan Gotziridze angazhohet për të drejtat e grave dhe pakicave dhe kundërshton armiqësinë historike ndaj islamit. Ajo u kërkon besimtarëve baptistë më shumë angazhim për të drejtat e njeriut dhe lirinë e fesë. Për këtë ajo është zgjedhur edhe në këshillin e feve të qeverisë gjeorgjiane për të diskutuar hapur diferencat mes komuniteteve fetare. Por çfarë sjell ky dialog, kur ai bojkotohet nga Kisha Ortodokse që përfaqëson 84% të popullsisë. “Kisha ortodokse nuk do të angazhohet, nëse ulet në një shkallë me komunitete të tjera”, thotë Gotziridze, por kjo kontribuon në atmosferën jotolerante në vend.
“Krerët fetarë duhet të angazhohen më shumë për paqen”
Sa më shumë rregulla fetare vështirësojnë përditshmërinë dhe sa më shumë keqpërdorim politik që ndez konflikte, aq më shumë rritet nevoja që t’i dilet përballë këtij zhvillimi. Një nga iniciativat e shumta është thirrja e „Ditës Botërore të Jetuarit Bashkë në Paqe”, që u festua këtë vit për të 16 herë. Iniciativa që mori bekimin edhe të OKB-së, u nxit nga organizata holandeze “Shoqata Ndërkombëtare Alawiyya Soefi”. Kryetari i saj, Aleaddine Touhami kërkon të dërgojë mesazhin e mospërvetësimit të fesë nga politika.
Edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Paqes nga Gana, Emmanuel Asante, është i vetëdijshëm për punën e vështirë për paqen në terren. “Krerët fetare duhet të angazhohen më shumë për paqen, sesa deri më tani”, thotë ai. “Peace Clubs”, projekti i tij i fundit në shkollat fillore të Ganës synon të mësojë fëmijët të jetojnë në paqe në komunitet.
Vetëkritika më mirë se të qahesh
Nikodemus Schnabel mendon se megjithë aktet e dhunës, që kryhen në emër të fesë, një botë pa fe nuk do të kishte një perspektivë më të mirë. “Një botë pa fe, do të ishte një botë më e mirë, këtë teori e kundërshtoj fort“. Argumenti i tij: “Sigurisht, nëse nuk do të kishte futboll, nuk do të kishim huliganë të futbollit, por nuk jam i sigurtë, nëse një botë pa futboll do të ishte një botë më e mirë”.
Vetëkritikë, kjo kërkohet thotë Schnabel. “Më e rehatshme është të tregosh me gisht të tjerët”. Detyra më e madhe e feve tani është të veprojnë kundër ekstremistëve brenda radhëve të veta”. Për Benediktin që jeton prej dhjetë vitesh në Jeruzalem, vetëkritika është më mirë se të qahesh. |Nuk ka gjë më të lodhshme, se kur të krishterët duan gjithmonë vetëm të flasin për përndjekjen e të krishterëve, hebrenjtë për antisemitizmin dhe myslimanët për islamofobinë.”
Aktivisti Aleaddine Touhami e quan këtë “globalizim të spiritualitetit”. Dallimet mes feve janë në plan të dytë për të. Ai kërkon të punojë për projekte të përbashkëta për paqen. “Thënë hapur nuk ka rëndësi për mua, nëse punoj me të krishterët, myslimanët apo ateistët”, thotë i riu holandez me rrënjë marokene. “Këto kategori fetare për mua nuk i përgjigjen më kohës.”
*DW