Një operacion i përcaktuar dhe dy për t’u përfunduar. Barcelona ende pa u mbyllur muaji maj, është protagonistja absolute e merkatos. De Jong ka firmosur, De Ligt dhe Grizman janë pranë firmës dhe mund të zyrtarizohen shumë shpejt nha klubi katalan.
Por ka një problem. Kur kërkon të bësh pazar, nevojiten paratë dhe sot paratë nuk janë. Sipas asaj që raporton “Marca”, Barcelona për të mbyllur dy goditjet e mëdha dhe për të ruajtur bilancin ka nevojë për plot 265 milionë euro.
Sipas gazetës spanjolle, paratë aktuale lejojnë vetëm mbulimin e pagës së De Jong, por jo atë të mbrojtësit të Ajaksit dhe sulmuesit francez. Për këtë arsye, duhen shitur disa lojtarë. Ata që mund të sjellin më shumë para janë Kutinjo, Umtiti, Silesen dhe Malkom. Ndërsa në listën e largimeve figurojnë dhe Andre Gomes, Denis Suarez, Rafinja, Semedo dhe Rakitiç.