Me 64 vota pro, 14 kundër dhe dy të përmbajtur u miratua edhe amendamenti i tretë me radhë për ndryshimin e Kushtetutës. Në këtë amendament theksohet se “Republika e Maqedonisë e respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të shteteve fqinje”. Ndërkohë që debati për amendamentin e katërt po vazhdon ende dhe i njejti pritet që të miratohet gjatë ditës.
Më 1 dhjetor në seancën plenare ka rifilluar debati për katër amendamentet kushtetuese, ndërkaq dje në ditën e dytë të debatit janë miratuar dy amendamentet e para kushtetuese. Me amendamentin e parë parashihet që në Kushtetutë fjalët “Republika e Maqedonisë” të zëvendësohen me fjalët “Republika e Maqedonisë së Veriut”, ndërsa fjala “Maqedoni” zëvendësohet me fjalët “Maqedonia e Veriut”, përveç në nenin 36, i cili e ka aspektin historik dhe ka të bëjë me “të drejtat e veçanta sociale të luftëtarëve të Luftës Antifashiste dhe prej të gjitha luftërave nacionalçlirimtare të Maqedonisë”.
Me amendamentin e dytë intervenohet në Preambulën e Kushtetutës dhe fjalët “vendimet e KAÇKM-së” zëvendësohen me fjalët “Manifesti i Seancës së Parë të KAÇKM-së” dhe shtohet Marrëveshja e Ohrit. Amendamenti i tretë thekson se “Republika e respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të shteteve fqinje”, ndërsa amendamenti i katërt ka të bëjë me atë që të parashihet se “Republika i mbron të drejtat dhe interesat e shtetasve të vet të cilët jetojnë ose qëndrojnë jashtë vendit dhe i zhvillon lidhjet e tyre me atdheun ndërsa nuk do të përzihet në të drejtat sovrane të shteteve të tjera dhe në punët e tyre të brendshme. Ajnur Bafqari /SHENJA/
https://youtu.be/-E8Clfru2zQ