Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka zgjidhur kontratën me kompaninë “DH Albania”, e cila kishte fituar tenderin e ndërtimit të lotit të parë të “Unazës së Madhe”.
Në një dalje për mediat, Ministri Gjiknuri konfirmoi vërtetësinë e skandalit të denoncuar në media.
Ai tha se ka marrë konfirmimin nga autoritetet amerikane se kjo kompani e ka falsifikuar një pjesë të dokumentacionit.
Gjiknuri: Në cilësinë e Ministrit udhëzova ARRSH dhe çdo institucion tjetër të varësisë sime nëse ka kontrata apo që mund të kenë kontrata me këtë kompani apo procedura tenderimi ku mund të ketë marrë pjesë të fillonin menjëherë procedurat e pezullimit dhe marrjen e masave për verifikimin e dokumentacionit të kësaj shoqërie.
ARRSH me 7 dhjetor pezulloi punimet dhe zbatimin e kontratës për lotin e parë të Unazës së Madhe të Tiranës dhe ARRSH ju drejtua zyrtarisht Ministrsië së Infrastrukturës për të ndihmuar komunikimin me autoritetet amerikane në lidhje me verifikimin e pretendimeve të ngritura nga media.Me 7 dhjetor në mëngjes i jam drejtuar zyrtarisht me shkresë Ambasadës amerikane, Ministrisë së Punëve të Jashtme që edhe ajo përmes Ambasadës sonë në Uashingon të vihej në lëvizje si dhe kam kontaktuar me kërkesën time zyrtarë të Ambasadës së SHBA dhe u kam kërkuar ndihmë dhe asistencë.
Në bazë të përgjigjeve të ardhura dje rezulton se një pjesë e dokumentacionit të paraqitur nga kompania “DH Albania” në procedurat e tenderit është e falsifikuar. Janë të dhëna të rreme, një pjesë e informacionit nuk ekzistonte në regjistrat tregtarë.
Pas marrjes së këtij konfirmimi ARRSH ka zgjidhur menjëherë kontratën në fjalë dhe do të filloë menjëherë procedurat e sekuestrimit të garancisë së garancisë së kontratës që ka një vlerë 10% të vlerës totale të kontratës. ARRSH ka bërë ndërprerjen e njëanshme të kontratës.
Gjiknuri tha se materialet e ardhura nga SHBA do ti referohen prokurorisë që ka hapur një hetim për falsifikim të dokumenteve zyrtarë nga kompania “DH Albania”.
Gjiknuri tha gjithashtu se “të njëjtën praktikë ka ndjekur dhe OST ku kjo kompani nëpërmjet një procedure të hapur ka tenderuar në një tender. Nuk rezulton ti jetë shkaktuar asnjë dëm financiar buxhetit të shtetit pasi kontratat nuk kanë filluar të zbatohen dhe pagesa nuk janë bërë. Falsifikimi i të gjithë dokumentave rezulton të jetë kryer jashtë territorit të Shqipërisë. Hapat e ndërmarra nga ARRSH kanë qenë në përputhje me legjislacionin për prokurorimet publike në Shqipëri”.
Çdo ofertues të verifikohet para kontratës
Legjislacioni nuk kërkon asnjëherë verifikimin e ofertuesve. Nisur nga problematikat e hasura në këto procedura me kompani të huaja apo përfaqësi të tyre sot kam propozuar ndryshime në aktet ligjore dhe nënligjore të legjislacionit të prokurorimit publik ku kam kërkuar që të sanksionohet qartë në ligj detyrimi që ofertuesit fitues ti verifikohet në çdo rast informacioni që vetëdeklaron para lidhjes së kontratës. Kjo të bëhet para lidhjes së kontratës.
Në Shqipëri nuk është hera e parë, ka shumë raste ku në tenderat publikë kompanitë paraqesin dokumentacion të rremë.Përgjegjësia direkte bie mbi ata që kanë marrë përsipër të bëjnë falsifikimin. Inkurajoj me forcë të madhe prokurorinë të hetojë këtë çështje deri në fund për të zbuluar kush janë autorët e vërtetë të këtij falsifikimi dhe ata që fshihen pas tyre.
Gjiknuri: Asnjë lidhje me këtë aktivitet kriminal
Çdo zyrtar që mund të rezultojë i përfshirë në këtë falsifikim patjetër do të përgjigjet para ligjit. Sa i përket akuzave se prapa kësaj kompanie fshihet Damian Gjiknuri, deklaroj me përgjegjësinë time të plotë si Ministër, deputet, qytetar, nuk kam pasur lidhje dhe nuk kam, asnjë dijeni lidhur me këtë aktivitet kriminal, as me këtë kompani.
Jam i hapur që drejtësia të hetojë deri në fund. Është fat i mirë që në SHBA ka nisur një hetim penal, mirëpresim rezultatet e hetimeve në SHBA dhe besoj se opozita nuk do ta akuzojë drejtësinë amerikane si të blerë.
Projekti për Unazën e Madhe vazhdon
Projekti i Unazës së Madhe do të vazhdojë. Në dy lotet e tjera vazhdon puna. Shumë shpejt qeveria do të nxjerrë VKM për shpronësimin e objekteve që është bërë vlerësimi dhe kantieri do të hapet për të përfunduar në kohë.
Në Lotin e Parë që kemi anuluar kontratën menjëherë do të shpallet në një tender publik në garë që shumë shpejt dhe aty të lidhim kontratën në mënyrë që ky projekt të vazhdojë dhe të mos ndalet. Ata që mundohen ta politizojnë e bëjnë vetëm që të pengojnë një projekt madhor.