Ballina Aktualitet Universiteti i Tetovës e shënoi përvjetorin XXIV të themelimit (FOTO)

Universiteti i Tetovës e shënoi përvjetorin XXIV të themelimit (FOTO)

Me homazhe te varri i themeluesit, Rektorit të parë dhe historik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, dhe busti i dëshmorit të arsimit, Abdylselam Eminit, Universiteti i Tetovës e filloi agjendën për shënimin e 24-vjetorit të themelimit. Në nderim të sakrificës së popullatës shqiptare të këtyre trevave për të pasur Universitet në gjuhën shqipe si dhe rrugëtimin e Universitetit ndër vite, që nga themelimi e deri më sot, në amfiteatrin e Rektoratit u mbajt akademi solemne, në të cilën morën pjesë rektorë dhe drejtues universitetesh, akademikë, senatorë, dekanë, profesorë, studentë si dhe shumë personalitete nga jeta politike, diplomatike, kulturore dhe shoqërore.  Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, fjalën e tij në këtë akademi e filloi me falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë studentët, të cilët, 24 vjet më parë, me guximin shembullor dhe pa asnjë hezitim, u bënë shtylla më vitale e çerdhes së parë të arsimit të lartë shqip në këto hapësira. “Ata u bënë protagonistët, misionarët, pishtarët dhe bartësit kryesorë të platformës së Universitetit të Tetovës, të themeluar nga intelektualët shqiptarë në krye me Rektorin e parë dhe historik, Prof. Dr. Fadil Sulejmanin. Dua ta shpreh respektin tim të thellë edhe për dëshmorin e arsimit shqip, Abdylselam Eminin, gjaku i të cilit u bë dritë e diturisë në rrugën e ndërtimit të Universitetit të Tetovës. Nderim të veçantë meritojnë dhe vëllezërit tanë, që i shërbyen Universitetit, duke i shndërruar shtëpitë në auditore universitare, ku u edukuan, fituan dije dhe u aftësuan profesionalisht studentët e parë të këtij institucioni. Nuk i harrojmë kurrë as përpjekjet e familjeve shqiptare, që dhanë kontribut për ngritjen në këmbë të shëndosha të Universitetit tonë.

https://youtu.be/WFu_9BZr3fs

Pas 24 vjetësh punë të pandalshme, Universiteti i Tetovës është shndërruar në qendër të mirëfilltë edukimi e arsimimi, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rajon. Në të sot studiojnë të rinj e të reja nga vendi ynë, Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës, Lugina e Preshevës dhe nga mbarë diaspora shqiptare. Ata, bashkë me profesorët e tyre të vyeshëm, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në proceset më të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar Universiteti i Tetovës, që nga themelimi, fillimi i ligjëratave të para e gjer te periudha pas zyrtarizimit, integrimit dhe përparimit të Universitetit. Me pietet të veçantë i kujtojmë edhe kontribuesit, të cilët nuk janë më në mesin tonë, duke uruar përjetësi për veprat e tyre”- tha Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Ai po ashtu në fjalën e tij shtoi se gjatë këtij viti akademik Universiteti ynë ka shënuar rezultate të konsiderueshme në të gjitha fushat dhe ka arritur t’i realizojë qëllimet kryesore si institucion i arsimimit sipëror në vendin tonë. “Në përfundim të vitit të shkuar akademik, me ceremoni solemne promovuam rreth një mijë absolventë të gjeneratës 2017/2018. Diplomimi i absolventëve tanë është një ngjarje e madhe në kalendarin e aktiviteteve tona, është dëshmi e një progresi të vazhdueshëm të institucionit tonë, është dëshmi e fortë se të gjithë ne i jemi qasur me seriozitet arsimit dhe hulumtimeve shkencore. Platforma e Universitetit, oferta e pasur arsimore e shkencore, bashkëpunimi profesional, korrekt e intensiv me institucionet shtetërore, me universitetet tjera të vendit dhe jo vetëm, me sektorin joqeveritar, komunitetin e biznesit etj., e kanë shndërruar Universitetin e Tetovës në epiqendër të frekuentimit të të rinjve, të intelektualëve, shkencëtarëve dhe shkrimtarëve e poetëve të njohur brenda dhe jashtë vendit. Si rezultat i këtij imazhi, ne kemi arritur t’i plotësojmë synimet tona me afrimin e studentëve të rinj, që për çdo vit regjistrohen në programet studimore të 13 fakulteteve tona. Në vitin akademik 2018/2019, në ciklin e parë, të dytë dhe ciklin e tretë kemi regjistruar rreth 3000 studentë të rinj. Kemi vijuar me mbështetjen për studentët duke u ofruar lehtësime në disa kategori pagesash, ndërsa një numër të konsiderueshëm e kemi liruar plotësisht nga detyrimet e pagesave të semestrave. Këtu vlen të theksojmë se, për vitin akademik 2018/2019, Universiteti i Tetovës ka ndarë 90 bursa për studentët ekselentë të ciklit të parë dhe 22 bursa për ata të ciklit të dytë.

Gjatë këtij viti akademik kemi arritur edhe një sukses tjetër, sepse, bashkë me Universitetin e Ilinoisit Verior, e konkretizuam veprën arsimore-shkencore me hapjen e programit të ri studimor për Administrim biznesi në studimet e ciklit të dytë. Ky program studimor do të funksionojë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë mes njësive tona akademike: Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tetovës dhe Fakultetit të Administrim Biznesit të Universitetit të Ilinoisit Verior. Rëndësi të posaçme i kemi kushtuar bashkëpunimit ndëruniversitar me universitetet shqiptare, universitetet nga rajoni dhe ato ndërkombëtare, duke intensifikuar marrëdhëniet ndërinstitucionale me universitetet nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës, universitetet prestigjioze nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglisë, Austrisë, Gjermanisë, Italisë dhe nga shtetet tjera perëndimore” – u shpreh Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Në pjesën e fundit të fjalimit të tij, Rektori theks të veçantë u kushtoi edhe aktiviteteve me karakter arsimor -shkencor dhe kulturor, të cilat janë realizuar në Universitetin e Tetovës. “Gjatë këtij viti kemi organizuar dhjetëra aktivitete me karakter arsimor, shkencor dhe kulturor, siç janë: Konferenca e Pestë e Fakultetit të Kulturës Fizike; Konferenca e Katërt e Fakultetit të Shkencave të Zbatuara; Konferenca e Dytë e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, në të cilën me pjesëmarrjen e tij na nderoi nobelisti ynë, Doctor Honoris Causa i Universitetit të Tetovës – Prof. Dr. Ferid Murad; Kongresi Ndërkombëtar i Turizmit, Ekonomisë dhe Biznesit; Implementimi i projektit shkencor “Arritja e ruajtjes së biodiversitetit përmes krijimit dhe menaxhimit efektiv të zonave të mbrojtura dhe përfshirjes së biodiversitetit dhe planifikimit të përdorimit të tokës” nga Instituti Ekologjik; Konferenca Shkencore Ndërkombëtare në përvjetorin e 10-të të pavarësisë së Kosovës, me temë: “Konsolidimi i shtetit dhe sfidat euro-integruese”; Konferenca e Katërt e Asociacionit të Universiteteve Ballkanike, me temë: “Bashkëpunimi midis universiteteve dhe bashkëjetesa kulturore – një premisë për një platformë të qëndrueshme në të gjithë Ballkanin”, ku morën pjesë mbi 40 rektorë të universiteteve ballkanike dhe shumë studiues.

Në punimet e kësaj konference u realizua edhe pranim-dorëzimi i Presidencës së Asociacionit të Universiteteve Ballkanike. Pas Universitetit të Tetovës, me presidencën e këtij Asociacioni gjatë vitit akademik 2018/19, udhëheq Universiteti “Aristoteli” nga Selaniku; Konferenca e Tretë Ndërkombëtare e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë dhe Kongresi II Mbarëshqiptar i Traumës dhe Kirurgjisë Emergjente; Konferenca e Dytë Vjetore e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor e mbajtur në Çikago të SHBA-ve; Seminari XII Ndërkombëtar i Albanologjisë; Organizimi i Ditës së Hapur dhe Panairit të Dytë të Industrisë Ushqimore “Food Expo 2018”; Organizimi i përbashkët i projektit artistik, “Ura me tri harqe”, me Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin e Tiranës; Hapja e ekspozitës tradicionale e studentëve të Artit Figurativ;

Koncerti vjetor i studentëve të Fakultetit te Arteve; Organizimi i tribunës, me temë: “Vizioni i të rinjve për ardhmërinë në BE” me pjesëmarrjen e ambasadorit të Bashkimit Evropian në vendin tonë, z. Samuel Zhbogar; Kemi marrë pjesë në Forumin e Dytë të Rektorëve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Universitetin e Zagrebit, me ç’rast e kemi nënshkruar deklaratën për themelimin e Asociacionit të Universiteteve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor, e cila e zhvillon platformën rajonale për bashkëpunim në hulumtime dhe kërkime shkencore, me theks të veçantë përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë në Evropën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor. Ishim pjesë e Forumit XIII Evropian të Sigurimit të Cilësisë, i cili u organizua nga Asociacioni i Universiteteve Evropiane që u mbajt në Vjenë të Austrisë; Studentët e fakulteteve të ndryshme të UT-së, me pjesëmarrjen e tyre në garat e vendit dhe më gjerë kanë fituar disa çmime duke konfirmuar kapacitetet e tyre profesionale. Jemi shumë të kënaqur edhe me performancën dhe sukseset e njëpasnjëshme të klubeve tona të volejbollit, veçanërisht me suksesin e klubit të volejbollit për femra, pjesëtarët e të cilit u shpërblyen me trofe, duke e fituar vendin e dytë në kampionatin vendor.

Me rëndësi është dhe pjesëmarrja e studentit tonë, atletit Berat Mustafa, në lojërat olimpike 2018 në disiplinën e atletikës për të rinj, që u organizuan këtë vit në Buenos Aires të Argjentinës. Me akademi solemne i kemi shënuar disa prej datave kryesore, sikurse janë: 7 Marsi – Dita e Mësuesit; 9 Maji – Dita e Evropës; 22 Nëntori – Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe; 28 Nëntori – Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë së Shqipërisë, Ditën Botërore të Librit, Ditën Ndërkombëtare të Personave me Nevoja të Veçanta, 70 – Vjetorin e Deklaratës Universale për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, Ditën Botërore të Diabetit, shënimin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, përmes hapjes së ekspozitës së 50 artistëve shqiptarë të udhëhequr nga Prof. Dr. Miftar Memeti, duke mos harruar edhe realizimin e dhjetëra debateve arsimore, botimin e revistave shkencore të fakulteteve tona, botimin dhe promovimin e librave, sikurse janë: Vëllimi VI, VII dhe VIII i veprës kapitale „Kosova“, të shkrimtarit dhe historianit të njohur Jusuf Buxhovi; “Fjalori politik i Berishës ‘90 – ‘92” i autorit na Shqipëria Alfred Lela; “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”, i autorit, akademik Kolec Topalli; Promovimin e 12 numrave të revistës letrare të Tiranës ,,Illz”, kushtuar personaliteteve të letërsisë shqipe, si: Gjergj Fishta, Naim Frashëri, Ismail Kadare, Luan Starova, Teki Dervishi, Zija Çela, Xhevahir Spahiu, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu; Promovimin e revistës studentore “Përtej”, të botuar nga Parlamenti Studentor i Universitetit tonë; Ridizajnimin e ueb – faqes zyrtare të Universitetit tonë.

Vëmendje të posaçme i kemi kushtuar bashkëpunimit dhe pjesëmarrjes sonë në projektet dhe programet arsimore ndërkombëtare, si: Erasmus + MEVLANA, FULBRIGHT. Nëpërmjet tyre ne realizojmë: Shkëmbimin dhe mobilitetin e studentëve dhe profesorëve tanë si dhe vizitingun e profesorëve eminentë në Universitetin tonë; Zgjerimin e bashkëpunimit me 5 rrjete te reja në kuadër të programit Ceepus III, i cili parashikon: Hulumtimin, zhvillimin dhe edukimin në proceset jokonvencionale”; Përfitimin e njohurive dhe shkëmbimin e përvojës në CFD; Njohjen me kufijtë dhe pikat kufitare në antropologjinë kulturore në arsimin universitar; Studimin ekologjik dhe menaxhimin e ekosistemeve ujore në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore; Evaluimin e brendshëm dhe të jashtëm nga Asociacioni i Universiteteve Evropiane dhe shumë e shumë veprimtari të tjera. Andaj Ne, të gjithë së bashku – studentë dhe profesorë, hapërojmë të sigurt drejt të ardhmes me vendosmërinë dhe vizionin që këtë vatër të dritës dhe diturisë ta shndërrojmë në Universitet bashkëkohor, në qendër model të arsimit të lartë, këtu dhe më gjerë”, e përmbylli fjalimin e tij Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Ndërsa ministri i Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë, Doc. Dr. Arbër Ademi, vlerësoi se sa herë që Universiteti i Tetovës shënon përvjetorë, ne shqiptarët e këtyre trevave shënojmë edhe fillimin e realizimit të idesë për të pasur një institucion të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë. “Sot e shënojmë sakrificën e gjithë atyre familjeve shqiptare dhe gjithë qytetarëve të vendit për të pasur një institucion siç është UT-ja dhe çka përfaqëson ajo sot. Dua të shpreh mirënjohjen dhe përuljen tonë të thellë për të gjithë ata të cilët kontribuuan në konsolidimin e këtij Universiteti, duke shprehur falënderime për të gjithë ata profesorë nga Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, të cilët kanë dhënë kontribut të çmueshëm duke respektuar të gjitha standardet profesionale që ky Universitet të punojë dhe të funksionojë ashtu siç duhet në përputhje me kornizën e atëhershme dhe të sotme juridike e ligjore. Unë si ministër i Arsimit dhe Shkencës e mbështes dhe sa herë që të jetë nevoja do ta mbështes Universitetin e Tetovës dhe shpresoj se sikur që ditë më parë prezantuam bashkë programin e ri studimor me një nga universitetet më prestigjioze amerikane edhe në të ardhmen të kemi projekte të këtilla, të cilat do jenë në interes të studentëve dhe qytetarëve tanë” – deklaroi Doc. Dr. Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës në vendin tonë.

Në emër të Kuvendit të Maqedonisë, akademinë e përshëndeti nënkryetari, Prof. Dr. Vesel Memedi, i cili theksoi se çdo universitet botëror e ka historinë e vet, mirëpo Universiteti i Tetovës e ka tërësisht një histori tjetër. “Rrallë mund të gjesh institucion akademik, shkencor në botë që e ka ndërtuar populli dhe ky popull ka dhënë sakrificë, ka ndarë bukën e gojës për këtë vatër të shenjtë arsimore dhe është dhënë edhe jetë, për krijimin, ndërtimin dhe zhvillimin e kësaj vatre të shenjtë arsimore. Misioni fillestar i këtij institucioni ka qenë të zhvillojë mësimin dhe dijen në gjuhën shqipe dhe ky mision tani më është realizuar dhe jo vetëm që ka arritur këtë qëllim, por sot ky institucion e ka hapur rrugën për krijimin e shumë universiteteve tjera shtetërore e private që zhvillojnë mësim në gjuhën shqipe” nënvizoi në fjalën e tij, Prof. Dr. Vesel Memedi, nënkryetar i Kuvendit.

Kurse në emër të kryeministrit të Maqedonisë, në këtë akademi solemne fjalë përshëndetëse mbajti këshilltari i tij, z. Ismet Ramadani. “Më lejoni që në emër të kryeministrit të Republikës së Maqedonisë z. Zoran Zaev, që nuk është sot prezent për shkak të agjendës dhe angazhimeve që ka gjatë këtyre ditëve, t’ju përshëndes dhe t’ju uroj për shënimin e përvjetorit të njëzetekatërt të Universitetit të Tetovës. Kryeministri z. Zoran Zaev gjithmonë është interesuar edhe për Universitetin e Tetovës. Me admirim dhe kënaqësi i përcjell sukseset e Universitetit të Tetovës dhe në të shumtën e rasteve e merr si shembull se si Universiteti i Tetovës bashkëpunon jo vetëm me universitetet nga vendi, por edhe ato ndërkombëtare, dhe ky duhet të jetë një shembull se si edhe Republika e Maqedonisë duhet të ndjekë rrugën e integrimit drejt anëtarësimit në Unionin Evropian dhe Aleancën Veri-Atlanike të NATO – së” – theksoi këshilltari i kryeministrit të Maqedonisë z. Ismet Ramadani.

Kjo akademi u begatua edhe me një program të pasur artistik të përgatitur nga profesorët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës.

Zyra për Informim