Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se ndonëse Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike kishte vetëm 4 pedagogë me tituj, ai hapi dyert për 320 doktorantë në vitet 2010-2013 duke ulur nivelin e kritereve ligjore dhe anashkaluar detyrimet, ndërkohë që konflikti për njohjen e këtyre gradave shkencore përfundon në dyert e gjykatës.
Në një seancë rutinë të Prillit 2014 në Komisionin e Shëndetësisë në Parlament, Ali Refatllari-rektor në atë kohë i Universitetit të Mjekësisë ekspozoi degradimin e kërkimit shkencor përmes një sistemi që ai e quajti “pazar i doktoraturave”.
“Doktoraturat përfundonin me dy pedagogë të brendshëm dhe tre të jashtëm dhe firmoseshin te restorant ‘Viktoria’,” tha ish-rektori, ndërsa paralajmëroi para deputetëve se kishte urdhëruar audite për të gjitha faktultetet e Universitetit të Mjekësisë.
Denoncimi i Refatllarit shigjetonte Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike [ish-fakulteti i Infermierisë], i cili ndonëse kishte vetëm 4 pedagogë me tituj shkencorë, hapi dyert për 320 doktorantë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia në vitet 2010-2013.
Debati në Kuvend u mbyll vetëm me disa replika. Por tre vjet më pas, shkelja e kritereve ligjore në pranimin e doktorantëve vazhdon të krijojë probleme në funksionimin e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, ndërkohë që një konflikti për njohjen e gradave shkencore pritet të zgjidhet në dyert e gjykatës.
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes qindra faqeve dokumente të përbëra nga dy raporte auditi të Ministrisë së Arsimit, një korrespondencë e gjatë mes FSHMT dhe institucioneve përgjegjëse si dhe nga ankesat e doktorantëve të mbetur pezull, ekspozojnë shkelje të kritereve ligjore në të tre shkollat doktorale të këtij fakulteti si dhe vënë në pikëpyetje cilësinë e dhjetra gradave shkencore të shpërndara përgjatë viteve.
Dokumentet tregojnë gjithashtu se Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike u kthye në një “fabrikë” doktoraturash për një numër të madh mjekësh, stomatologësh apo pedagogësh të Infermierisë në Tiranë dhe në rrethe, të cilët u regjistruan aty pasi kishin dështuar më parë të fitonin në programet e ciklit të tretë të fakulteteve të tjera respektive në Universitetin e Mjekësisë.
Rruga e “mbushjes së kuotave” të akorduara nga Këshilli i Ministrave u hap përmes dy vendimeve të marra nga Këshilli i Profesorëve dhe Senati Akademik, të cilat ulën kufirin për kriterin e notës mesatare nga 8 në 7 dhe nivelin e njohurive të gjuhës angleze nga C1 në A1.
Përveç zbutjes së kritereve në fazën e regjistrimit, grupet e auditit kanë evidentuar probleme edhe gjatë procesit akademik apo në mbrojtjen e disertacioneve para jurive. Sipas tyre, në dosjet e disa prej doktorantëve mungojnë publikimet e duhura shkencore, ndërsa kushti i referimeve në konferenca ndërkombëtare është plotësuar përmes organizimit të aktiviteteve nga vetë fakulteti apo pjesmarrjes në konferenca lokale pa asnjë lidhje me fushat e studimit.
Si pasojë e problemeve të evidentuara nga auditet për funksionimin e shkollave doktorale në vitet 2010-2013, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike bllokoi procesin e njohjes së gradës shkencore “Doktor” për rreth 170 kandidatët në proces gjatë vitit 2016.
Vendimi i bllokimit të njohjes së gradave shkencore u mor nga dekania e FSHMT, Tatjana Çina pak kohë pasi ajo zëvendësoi në këtë post dekanin jetëgjatë të fakultetit, Petrit Bara.
Ky vendim u pasua nga një korrespondencë e gjatë dhe e pashpresë mes Çinës, rektoratit të Universitetit të Mjekësisë dhe Ministrisë së Arsimit për gjetjen e një zgjidhjeje.
Dekania Çina tha në një intervistë për BIRN se institucionet përgjegjëse, të tilla si Ministria e Arsimit nuk kanë dhënë urdhëzime të qarta për zgjidhjen e situatës së paligjshmërisë me doktoraturat, ndërsa shtoi se është e gatshme të vijojë procedurat për njohjen e gradave shkencore, vetëm nëse doktorantët plotësojnë mangësitë në dosjet e tyre.
Vendimi i saj është kundërshtuar nga 21 pedagogë, pjesa më e madhe e të cilëve japin mësim në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike, të cilët e kanë mbrojtur gradën shkencore përpara jurive, por nuk kanë mundur të marrin diplomën. Në një letër-ankesë të dorëzuar në Senatin Akademik, pedagogët pretendojnë se bllokimi i njohjes së gradës “Doktor” është antiligjor dhe në aplikim të standardit të dyfishtë nga dekania e fakultetit.
Në gusht 2017, Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë u dha të drejtë pedagogëve dhe vendosi zhbllokimin e procesit dhe njohjen e doktoraturave. Por dekania e FSHMT, Tatjana Çina refuzon ta zbatojë këtë vendim dhe e ka ankimuar atë në Gjykatën Administrative të Tiranës.
“Unë nuk besoj se Senati ka të drejtë që të më urdhërojë të firmos dokumente në kundërshtim me ligjin, ndaj i jam drejtuar gjykatës të vendosë për një interpretim ligjor, duke qenë se fakulteti nuk ka një zyrë juridike,” tha Çina për BIRN.
“Duke qenë se ministria e Arsimit nuk jep një qëndrim të prerë për këtë çështje, nuk kisha rrugë tjetër veçse t’i drejtohesha gjykatës,” shton ajo.
I pyetur nga BIRN për shkeljet e konstatuara nga auditetet e Ministrisë, ish dekani i Fakultetit të Infermierisë gjatë viteve 2004-2016, Petrit Bara mohoi të ketë pasur probleme.
“Auditet nuk kanë gjetur asnjë mangësi ligjore dhe administrative, që është detyra e tyre. Për sa i përket përmbajtjes dhe të tjerave janë komisionet, këshilli i profesorëve që vendosin. Auditi nuk është prokuroria, por një sektor ndihmues që thotë se këto nuk janë të rregullta, dhe pas auditit lihen detyra dhe zgjidhen ato,” tha Bara.
Ministria e Arsimit nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN për konfliktin që vazhdon prej një viti e gjysmë në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike. Megjithatë, përgjigjet e firmosura nga ministrja Lindita Nikolla, të cilat BIRN i disponon, tregojnë se ky institucion ka udhëzuar shqyrtimin e zbatimit të kritereve ligjore për secilin prej rasteve.
Doktoraturat “mbesin në klasë”
E hapur fillimisht si një kurs 1-vjeçar në fillim të viteve ’90, shkolla e Infermierisë ka pësuar ndryshime drastike përgjatë dy dekadave e gjysëm. Në vitin 1996 ajo mori statusin e Shkollës së Lartë, ndërsa në vitin 2004 u ngrit në nivelin e fakultetit pranë Universitetit të Tiranës.
Me vendim të qeverisë së djathtë të Berishës në janar 2013, fakulteti i Infermierisë mori emrin Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike dhe u vendos në varësinë e Universitetit Mjekësor të Tiranës-edhe ai i themeluar në të njëjtën kohë.
Përgjatë 12 viteve të funksionimit, Fakulteti i Infermierisë [sot FSHMT] ka ndërruar vetëm dy dekanë; Petrit Bara [2004-2016] dhe Tatjana Çina, zgjedhja e së cilës u pasua me debate në vitin 2016.
Në vitin 2010, FSHMT çeli për herë të parë ciklin e tretë të studimeve me dy programe doktorale, ndërsa në vitin 2013 hapi edhe shkollën e tretë doktorale për Shkenca Infermierore.
Por të dhënat e siguruara nga raporti i monitorimit të Ministrisë së Arsimit i datës 18 korrik 2014 tregojnë se Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike e ka nisur me shkelje debutimin e vet në studimet e ciklit të tretë, duke dyfishuar në mënyrë të padrejtë kuotat e akorduara nga Këshilli i Ministrave.
Sipas raportit të Ministrisë së Arsimit, në vitin 2010 FSHMT-së i janë akorduar 80 kuota për të dyja programet e doktoraturës, por institucioni ka regjistruar dyfishin e studentëve, përkatësisht 80 kuota në doktoraturën për “”Lëndë klinike”dhe 80 kuota të tjera për “Lëndë paraklinike”.
Për të mbushur kuotat e dyfishuara padrejtësisht, Këshilli i Profesorëve të FSHMT ka marrë vendim për të ulur kriterin e mesatares nga 8 në 7, ndërkohë që në vitin 2013, Senati Akademik ka vendosur të ulë edhe nivelin e njohurive të gjuhës angleze nga C1 në A1.
“Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike ka pasur si parim mbushjen e kuotave të dhëna nga Këshilli i Ministrave, edhe nëse kandidatët nuk kanë plotësuar kushtet akademike të pranimit,”evidenton grupi i monitorimit të Ministrisë së Arsimit në auditin e dytë të kryer në vitin 2016.
Ndërkohë, raporti thekson se stafi akademik ka anashkaluar gjithashtu në disa raste kriteret për botime shkencore apo pjesmarrje në konferencat ndërkombëtare shkencore në vlerësimin e kandidatëve.
“Në një pjesë të madhe të dosjeve të doktoratës në FSHMT, artikujt shkencorë nuk kanë faktor impakti dhe janë të referuara në konferenca të ashtuquajtura ndërkombëtare. Në një konferencë në qytetin e Shkodrës me temë ‘Për zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit të Shkodrës’, një pjesë e doktorantëve kishin referuar nga dy artikuj,”thuhet në auditin e Ministrisë së Arsimit.
Kuotat e papërballueshme nga stafi akademik kanë sjellë anomali të tjera në programet e doktoraturës, duke anashkaluar hallkat e miratimit dhe të vlerësimit të disertacioneve. Sipas auditit, në mungesë të theksuar të stafit me grada shkencore, të njëjtët persona miratojnë temat dhe i vlerësojnë ato, “duke urdhëruar veten e tyre”.
Problemet e vitit të parë të shkollave doktorale kanë vazhduar edhe në vitet e tjera. Në një audit të kryer nga vetë Fakulteti për vitin 2013-kohë kur u hap edhe shkolla e tretë doktorale për Shkenca Infermierore, evidentohet se: “nuk ekziston asnjë material mbi dokumentacionin e hapjes së shkollës doktorale… nuk ka programe të studimit të doktoratës dhe nuk ekziston dokumentacioni për kurrikula dhe silabe të ciklit teorik”.
Raporti vëren gjithashtu se procedurat e konkursit kanë qenë formale, duke pasur si rezultat 60 aplikantë, të cilët u shpallën që të gjithë fitues.
Sipas auditit të Ministrisë së Arsimit, në dosjet e disa studentëve u gjetën dokumente të mbrojtjes së gjuhës angleze, të lëshuara nga Dhoma e Tregtisë Angli-Shqipëri, institucion ky i palicensuar nga Ministria e Arsimit. Shkelja e kriterit për nivelin e mbrojtjes së gjuhës angleze vazhdon të jetë një ndër problemet kryesore të bllokimit të njohjes së gradave shkencore.
Raportet theksojnë se në kundërshtim me kuadrin ligjor, në të gjithë procesin e mbrojtjes së gradës shkencore nuk është kryer verifikimi i kritereve ligjore të kandidatëve dhe nuk janë gjetur në dosjet e tyre botime në revista shkencore të indeksuara në Pubmed. Ndërkohë, referime ndërkombëtare janë quajtur aktivitetet e zhvilluara nga vetë Fakulteti apo të ngjashme të zhvilluara në Tetovë.
Ndryshe nga institucionet e tjera të Arsimit të Lartë, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike ka injoruar edhe vendimin e Ministrisë së Arsimit për pezullimin e aplikimeve dhe vlerësimeve në shkollat doktorale, i lëshuar më 13 maj 2016. Pavarësisht urdhrit, 17 kandidatë mbrojtën disertacionet e tyre në kundërshtim me këtë vendim, thuhet në raportin e auditit.
Cilësia e diskutueshme
Përveç parregullsive proceduriale, raportet e auditit që BIRN disponon vendosin në pikëpyetje edhe cilësinë e disa prej disertacioneve të miratuara nga juritë e FSHMT-ndonëse analiza shkencore nuk ka qenë kompetencë e tyre.
“Pavarësisht se grupi nuk ka kompetencën akademike adekuate për të vlerësuar temat e doktoratave vihet re që një pjesë e tyre janë thjesht tema statistikore, jo në nivel të lartë të kërkimit shkencor,” thuhet në raportin e auditimit të vitit 2014 të Ministrisë së Arsimit.
Grupi i punës ka renditur një listë prej 39 titujsh, fusha e studimit të së cilave lidhej me të dhëna statistikore të sëmundjeve në zona të caktuara, ndërkohë që tre tema janë konsideruar si krejt jashtë fushës së Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike.
Disertacionet e mësipërme kishin lidhje me rolin dhe ndikimin e diplomacisë së shteteve të vogla në sigurinë rajonale, transferimin e shërbimeve shëndetësore të burgjeve në Kosovë apo mbi të drejtën penale në shëndetësi.
Raporti i monitorimit të Ministrisë së Arsimit thekson gjithashtu se disa prej kandidatëve nuk kanë lidhje me shkencën e së njëjtës fushë.
“Ka kandidatë të fushës sportive, stomatologjike, juridike. Ka edhe kandidatë që s’kanë lidhje me shkencën në punën e tyre… një studente është sekretarja e dekanit,” thuhet në raport.
Në shtator 2016, sektori shkencor i FSHMT ka dalë në përfundime të ngjashme. Sa i përket provimit teorik, ky sektor evidenton se në disa raste provimi është zhvilluar me një pedagog dhe jo me komision.
“Ka fletë provimi të nënshkruara nga tre zv.dekanet e Fakultetit, megjithëse nuk kanë titull “Profesor i asociuar” ose “Profesor”. Fletët e provimit kanë vetëm një nënshkrim, nuk kanë komision,” shtohet më tej.
Një shkelje tjetër e evidentuar nga sektori shkencor i FSHMT ka qenë mospërputhja e temave me profilin e doktorantëve apo studimet e tyre të mëparshme universitare.
“Temat nuk kanë lidhje me profilin e doktoraturës dhe për aprovimin e tyre nuk mban askush përgjegjësi, pasi shefet e departamenteve që i kanë firmosur ato nuk kanë gradën shkencore për vete. Kriteri i mesatares në këtë shkollë doktorale ka qenë 8.5 por gjysma e kandidatëve, mes të cilëve edhe pedagogët e FSHMT janë futur nën mesatare,”thuhet në raport.
E pyetur nga BIRN për cilësinë e disertacioneve, dekania Tatjana Çina u përgjigj se në fillim nuk kishte shqyrtuar përmbajtjen, por vetëm anën formale të përmbushjes së kritereve.
“Shumë më vonë, kur më duhej të shpjegoja se pse nuk pranoja të firmosja vijimin e procedurave të doktorimit për 21 pedagogët kam parë se kishte disertacione me 24 faqe apo dhe tema ku dukshëm mungon elementi i kërkimit shkencor,” shtoi ajo.
Por ish-dekani Petrit Bara e cilëson vendimin të padrejtë, ndërsa i tha BIRN se nuk janë studentët ata që duhet të penalizohen.
“Nëse juria ka bërë një tjetër që nuk është, juria duhet të penalizohet sipas rregullave dhe rrugëve, por nuk mund të penalizohet studenti,”tha ish-dekani Bara.
Konflikti shkon në gjykatë
Vendimi për bllokimin e njohjes së doktoraturave ka zemëruar 21 pedagogë të fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, të cilët akuzojnë dekanen e tyre, Tatjana Çina për veprime të pajustifikuara ligjore dhe se po ndjek standarde të dyfishta.
21 pedagogët i kanë drejtuar letra ankese Ministrisë së Arsimit dhe Senatit Akademik të Universitetit të Mjekësisë përmes së cilët kërkojnë zgjidhjen e problemit, duke mos pranuar që tú rikthehen procedurave plotësuese.
“Pengesa që na krijohet është selektive, pasi bëhet fjalë për aplikimin e standardeve të dyfishta. Regjistrimi i diplomave tona është refuzuar duke iu referuar disa kritereve, të cilat nuk përputhen me interpretimin që ky institucion ka proceduar në aplikimin e kritereve për vite me radhë,” thuhet në letrën e 21 pedagogëve.
Arben Gjonej, pedagog i jashtëm në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike i tha BIRN se aplikimi i tij është në përputhje me dokumentet që i ka kërkuar administrata e universitetit në vitin 2013 dhe pavarësisht se ka botime në revista shkencore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej një viti i është bllokuar njohja e gradës shkencore.
“Unë nuk kam asgjë me dekanen e fakultetit, por personalisht po më mohohet e drejta e titullit, çka automatikisht reflektohet në pagesën time si pedagog,’tha Gjonej.
“ Unë kam plotësuar dosjen sipas kritereve dhe në atë kohë na është thënë se certifikata e gjuhës së huaj, BULATS quhej e vlefshme,” shtoi ai.
Përveç 21 pedagogëve të FSHMT, njohja e gradës “Doktor” është bllokuar edhe dhjetra studentëve të tjerë, për të cilët janë aplikuar të njëjtat standarde të regjistrimit.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se në fillim të vitit 2016- kur u vendos pezullimi i njohjes së gradave shkencore, rreth 150 studentë ishin pajisur me kartonin e gradës “Doktor”. Ndërkohë, për 170 kandidatët e tjerë të regjistruar në vitet 2010-2013 dhe në vazhdim mbetet ende e paqartë se mbi ç’kritere do të procedohet për njohjen e gradës shkencore.
Më 27 korrik 2017, Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë vendosi të zhbllokojë procesin e njohjes së gradave shkencore, duke gjykuar se parregullsitë proceduriale nuk janë përgjegjësi e doktorantëve, por e administrimit të procesit nga FSHMT.
“Këto parregullsi nuk mund të pengojnë njohjen e gradës shkencore dhe procedurat e mëtejshme të doktorantëve në proces,” thuhet në vendim.
Sa i përket nivelit të gjuhës së huaj, Senati shprehet se ka përcaktuar si kriter vetëm nivelin e gjuhës së huaj A1 dhe jo qendrat, nëse janë apo jo të licencuara, duke legjitimuar kështu certifikatat BULATS të kandidatëve.
Por dekania Çina i tha BIRN se ajo ka refuzuar të vijojë procedurat, pavarësisht se gjendet “prej më shumë se një viti në presion të fortë”. Çina këmbëngul që doktorantët duhet të përmbushin kriteret ligjore për njohjen e titullit, ndërsa pret që çështja tashmë të zgjidhet në Gjykatën Administrative të Tiranës.
“Unë ka parë dosjet e kandidatëve nëse përmbushin kriteret ligjore, siç janë; gjuha e huaj, artikujt shkencorë dhe referencat, nëse tema është miratuar nga departamenti dhe vlerësimi që kanë bërë komisionet. Në shumë raste, dhe pse komisionet kanë votuar se nuk përmbushin kriteret ligjore, çuditërisht aplikimet janë pranuar,”tha Çina për BIRN.
Arben Gjata, rektori i Universitetit të Mjekësisë pranon gjithashtu se një pjesë e doktoraturave nuk janë në nivelin e duhur akademik.
“Nuk mund të them sot se të gjitha doktoratura që janë mbrojtur në Republikën e Shqipërisë, nga Universitetit më i fundit dhe deri tek Universitetit më i parë, janë të gjitha studime shumë të mira dhe ekzemplare. Natyrisht brenda tyre, besoj dhe mendoj, ka pasur probleme, disa kanë qenë më të mira dhe disa kanë qenë më të dobëta, dhe ky është një proces rritjeje i arsimit të lartë,” tha Gjata për BIRN.
Megjithatë, ai mbetet optimist se gjykata do t’i japë zgjidhje ngërçit të krijuar.
“Nëse dikush që e ka marrë, nuk ke çfarë bën më. Ne përballemi me një procedurë që duhet të gjejmë në zgjidhje ligjore për këtë punë. Na është ofruar një zgjidhje ligjore, çështja është në proces gjyqësor, dhe të shpresojmë se të paktën gjykata të vendosë si do të zgjidhet nga ana ligjore çështja…,” tha rektori Gjata.
Pedagogu i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, Arben Gjonej e quan të pakuptimtë vazhdimin e këtij ngërçi edhe pas vendimit të Senatit, ndërsa shtoi se shpreson që çështja të zgjidhet në gjykatë.
“Megjithatë ne jemi në gjyq dhe shpresojmë që ky problem të marrë një zgjidhje ligjore”, përfundoi ai. /BIRN/