Ballina Aktualitet Lajme Koha: Incidenti në Reçicë të Tetovës, vendimi më 9 janar

Koha: Incidenti në Reçicë të Tetovës, vendimi më 9 janar

Në seancën e parafundit për incidentin që ndodhi në Reçicë të Vogël më 5 prill vitin e kaluar, ku ishin të involvuar 13 persona, pjesa dërmuese nga Kumanova, të akuzuarit në fjalët përfundimtare janë shprehur të pafajshëm për veprat që ngarkohen. Avokati i familjes Dervishi dhe Rexhepi, Sejfulla Osmani thotë se gjatë këtij gjykimi është vërtetuar se klientët e tij janë të pafajshëm, shkruan gazeta Koha.

“Vlerësojmë se gjatë tërë procedurës së këtij rasti është vërtetuar se ata që përfaqësojmë ne, as që kanë shkaktuar konfliktin e ndodhur dhe as që janë fajtorë për pasojat, thjeshtë kanë qenë në vetëmbrojtje dhe kështu janë shprehur në fjalën përfundimtare. Pra, familja Rexhepi dhe Dervishi janë ata që kanë pësuar në këtë rast dhe kërkuam nga Gjykata që ta konstatojë këtë gjendje dhe të akuzuarit që ne i mbrojmë, ti lirojë nga fajësia. Agron Dervishi dhe Bekim Rexhepi, të cilët akuzohen për tentim-vrasje dhe armëmbajtje pa leje, nuk mbajnë. Bekim Rexhepi as që ka marrë pjesë në konflikt, as që ka marrë veprime të kundërligjshme, kurse kur bëhet fjalë për Agron Dervishin, ai as që ka marrë pjesë në këtë rast”, deklaroi Sejfulla Osmani, avokat. Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës të familjes Misimi, Elenko Milanov dhe Ibrahim Bajrami, thonë se akuzat janë të pabaza dhe presin që të akuzuarit që i përfaqësojnë të shpallen të pafajshëm.

“Të gjithë klientët që i përfaqësojmë nga familja Misimi, janë deklaruar të pafajshëm dhe se nuk kanë kryer asnjë vepër në këtë ngjarje, apo asnjë prej tyre nuk ka përdorur armë dhe nuk ka shtënë. As edhe dëshmitë që janë prezantuar gjatë procedurës hetimore si materiale dëshmuese, nuk tregojnë se ndonjëri prej tyre ka përdorur armë zjarri. Nuk është gjetur armë tek kjo familje, ndërsa dy pistoletat që janë gjetur në vendngjarje, u takojnë palës tjetër, kurse edhe një pistoletë tjetër që është përdorur – fare nuk është gjetur. Gjatë procedurës, arma e tretë që nuk është gjetur të gjithë kanë drejtuar gishtin nga Agron Dervishi. Pra, nuk mund të akuzohen gjashtë persona për përdorim të armës, kur gjurmët tregojnë se janë përdorur tre armë, ku për dy dihet sigurt se i takojnë palës tjetër, kurse tjetra është pronë e njërit prej palës tjetër”, tha Elenko Milanov, avokat. Sipas tij, është e pamundur që aq numër i madh i personave të involvuar të kenë përdorur vetëm dy apo tre armë. Ai më tej tha se në seancën përfundimtare kur edhe do të jepet vendimi, prokuroria nuk ka siguruar dëshmi të mjaftueshme se ndonjëri prej pjesëtarëve të familjes Misimi ka tentuar të kryejë ndonjë vepër të rëndë penale.

Seanca e radhës është caktuar për më 9 janar, kur edhe do të publikohet vendimi përfundimtar i Gjykatës Themelore të Tetovës për këtë incident. Në këtë incident që supozohet se ka ndodhur për mosmarrëveshje politike lokale, konkretisht se cili nga grupet do të marrë primatin e Degës së BDI-së në Kumanovë, u vra Naip Rexhepi dhe një familjar i tij mbeti i plagosur. (koha.mk)