Ballina Bota Serbia ngrihet në këmbë – Po vjen Putini!

Serbia ngrihet në këmbë – Po vjen Putini!

Serbët e shohin Putinin si shpresën më të madhe që Kosova të mbetet në Serbi, ose të paktën çështje e pazgjidhur. Vladimir Vladimiroviçi po përpiqet që Rusinë e tij nën sanksione ta lidhë sa më fort me vendet e tjera.

Gazetat bulevardeske në Serbi kaherë janë duke numëruar forcat speciale ruse që kanë ardhur në Beograd për të siguruar presidentin e tyre nga persona të pandërgjegjshëm të popullit vëlla. Sipas llogarive të deritanishme, në Serbi kanë ardhur deri tani rreth 250 forca speciale ruse, ndërkohë që do të angazhohen edhe rreth 7000 policë serbë. Të enjten (17.01) qyteti do të bllokohet pothuajse në tërësi për qarkullim normal të automjeteve.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të nderohet me një medalje të posaçme ruse, të cilën e kanë marrë më parë shumë pak personalitete serbe. I fundit ka qenë Nikola Pashiq, para rreth 100 vitesh. Vuçiqi është jashtëzakonisht i lumtur për këtë nderim.

Organizatat (jo)qeveritare

Vladimir Vladimiroviç mund të shetisë në qytet pa pikë frike se mund t’i ndodhë diçka. Ai do të vizitojë edhe kishën e madhe Sveti Sava. Dhe me siguri që do të shoqërohet nga një pritje madhështore e simpatizantëve të Rusisë dhe presidentit Vuçiq. Partia e Vuçiqit, SNS, pohon se ajo nuk është marrë me organizime të ceremonive me rastin e vizitës së Putinit. Por në qendër të Beogradit – prej pallatit Albanija e deri tek Kisha Sveti Sava, do të mblidhen dhjetëra mijëra simpatizantë të Putinit dhe të pushtetit. Thuhet se tubimet janë organizuar nga organizata joqeveritare dhe qytetarë. Por është e qartë se ata janë të afërt me pushtetin aktual. Ndërkohë që Vuçiqi po përpiqet ta paraqesë këtë pritje si një festim të madh të popullit. Ka dhe të tillë madje që thonë se ky do të jetë nëj lloj “kundër-miting” i partisë në pushtet, si kundërpërgjigje ndaj demonstratave të opozitës kundër presidentit Vuçiq. Në internet po flitet madje edhe për pagesat me para për ardhjen në Beograd dhe pritjen madhështore të Putinit. Por këto të dhëna nuk janë konfirmuar.

Presidenti Vuçiq ka zbuluar këto ditë edhe disa detaje nga darka e përbashkët e fundit me Putinin, duke bërë të ditur se Vladimir Vladimiroviçi me dëshirë luan piano dhe e puth ikonën serbe që ia ka dhuruar ai. Me sjelljen e tij, Putini ia ka ngritur kuotat Vuçiqit tek populli serb. Po çfarë fiton Putini me këtë vizitë dhe spektakël?

Boris Varga, analist politik, thotë se në studimet e fundit thuhet se shumica ruse mendon, që Putini është fajtor për gjendjen e keqe ekonomike në Rusi. “Ndaj Vladimir Vladimiroviçi ka nevojë për një sinjal pozitiv në ndonjë vend tjetër, i cili nuk është ndonjë republikë bananesh e ish-Bashkimit Sovjetik, pra nga një vend i cili është kandidat për anëtarësim në BE, por që e respekton dhe mbështet Putinin. E ky vend është Serbia“.

Çfarë sjell me vete Putini?

Boris Varga mendon se aktualisht nuk ka asnjë projekt rus, i cili Serbisë t’i sjellë ndonjë dobi tepër të madhe. „Putini mbase do të sjellë vetëm investime indirekte, sepse Rusia është në krizë dhe nën sanksione”, thotë ai.

Por në Beograd do të nënshkruhen 21 marrëveshje bashkëpunimi. Marrëveshjet kanë të bëjnë me bashkëpunimin mes universiteteve, përdorimin e energjisë atomike, hekurudhave etj. Një prej tyre megjithatë duhet veçuar: Planin për konsultime mes Ministrive të Jashtme të Rusisë dhe Serbisë, për periudhën 2019/2020., të cilin do ta nënshkruajnë ministrat e Jashtëm Sergej Lavrov dhe Ivica Daçiq. Kjo siguron që Serbia në asnjë mënyrë nuk mund të fusë sanksione ndaj Rusisë gjatë këtyre dy viteve. Drejtori i fonacionit Heinrich Böll në Beograd, Simon Ilse, thotë se kapitulli 31 në negociatat për anëtarësim në BE parashikon një politikë të përbashkët të jashtme. Ky kapitull e detyron Serbinë pra që t’i pranojë sanksionet kundër Rusisë. Ndryshe nuk ka anëtarësim në BE. “Serbia mund të anëtarësohet vetëm nëse i respekton sanksionet e futura nga BE kundër Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë“.

Vuçiqi lidhur me këtë thotë se BE nuk e di as vetë se kur do të hapet ky kapitull. Kjo do të thotë se Vuçiqi do të reagojë kur të jetë e domosdoshme. E deri atëherë, do të vazhdohet me lojën sipas linjës ruse. Një problem tjetër në negociatat për anëtarësim në BE do të jetë edhe raporti i Serbisë me Unionin Euroaziatik, të udhëhequr nga Rusia.

Interesat nacionale

Shumëkush në Serbi e sheh Putinin si shpresën më të madhe për politikën serbe ndaj Kosovës. Ndërkohë që Vladimir Vladimiroviçi po përpiqet të lidhë gjithnjë e më shumë për vete shtetin e vetëm rusofil në këtë pjesë të botës – sipas mundësisë me sa më pak investime. Moska është mjeshtre për gjëra të tilla – që nga pak punë të bëjë një gjë të madhe. Të gjitha dhuratat e premtuara, prej avionëve të dërguar e deri tek tanket e premtuara, janë paguar paraprakisht. Gazi rus është në Serbi më i shtrenjtë se në Gjermani. Ndërkohë që premtimet për kalimin e gazsjellësve nëpër territorin e Serbisë ende janë vetëm premtime.

Putini me siguri që do të kënaqet me pritjen e ngrohtë në Beograd. Por ai është një lojtar shumë i mirë shahu. Përveç sanksioneve ndaj Rusisë dhe neutralitetit ushtarak të Serbisë, ai është i interesuar që të punësuarit në qendrën humanitare ruse në Nish të kenë status diplomatik. Pra që humanistët rusë të kenë statusin e njëjtë si edhe personeli i NATO-s, i cili në Serbi konsiderohet i paprekshëm. Putini ka punuar edhe vet në shërbimet sekrete dhe e di rëndësinë e mbështetjes diplomatike, nëse paraqitet nevoja. Mbetet të shihet nëse do t’i plotësohet edhe kjo dëshirë.

DW