Një peshkaqen i bardhë i stërmadh, i quajtur “deep blue”, mendohet të jetë më i madhi i filmuar ndonjëherë në kamera. Ky peshkaqen është filmuar larg brigjeve të Hawaii në SHBA. Ai mendohet të jetë rreth 50 vjeç dhe 6 metra i gjatë. Ekspertët besojnë se i ka mbijetuar kohërave, pavarësisht peshkimit.
“Natyrisht është një peshkaqen shumë i madh. Një nga më të mëdhenjtë që është parë ndonjëherë në ujë”, tha George Burgess, drejtor i Departamentit për Peshkaqenët në Muzeun e Historisë Natyrore të Floridës.
Ky peshkaqen i përmasave të tilla është quajtur “deep blue” nga eksperti Mauricio Hoyos Padilla, i cili ishte zhytur në ujë duke notuar pranë peshkaqenit si pjesë e një dokumentari të Discovery channel.
Në vitin 2015, Padilla i cili qëndronte brenda një kafazi mbrojtës metalik, preku me duar këtë peshkaqen. Në atë kohë, ai besonte se “deep blue” ishte shtatzënë. /tvklan.al