Lajmi që u përhap dje për vizitën në qytetin tonë të humanistit të madh, të nderuarit Halil Kastrati, gëzoi gjithë Strugën. Misioni i tij i shenjtë për të strehuar familjet në nevojë në gjitha trojet shqiptare dhe jo vetëm, e bën atë personazhin kryesor të këtij dhjetëvjeçari.
Mirëpo, takimi i hoxhës së nderuar me këta persona në fotografi dhe lajmi se nga kjo tavolinë do të jepen 5 mijë euro për çdo banesë që blihet për familjet nga Struga, sikur e zbehu lajmin e gëzueshëm për ndihmë të një familjeje strugane.
I nderuari, Halil Kastrati duhet ta dijë se personat që i ka takuar aty, muslimanë dhe humanë bëhen vetëm kur duan të mbulojnë një pisllëk tjetër të tyrin.
Ata persona në atë tavolinë, po vrasin përditë indin kombëtar shqiptar, duke tregtuar diploma dhe dije false.
Ata persona në atë tavolinë, për çdo ditë po vjedhin dhe rrjepin xhepat e qytetarëve duke krijuar pasuri marramendëse për veten dhe familjet e tyre.
Ata persona në fotografi, po rrjepin përditë qytetarët, që duan të legalizojnë shtëpitë e tyre të ndërtuara me mund e sakrificë. Këto shtëpi nuk legalizohen nëse më parë nuk paguhet shpërblimi tek këta apo njerëz të urdhëruar nga këta persona.
Ata persona në atë tavolinë, lanë në rrugë qindra familje strugane vetëm për të realizuar qëllimet e tyre të fëlliqura. Të hakmerren ndaj atyre që nuk i votuan.
Në oborret e tyre qëndrojnë të parkuara automjete me vlerë prej qindra mijëra eurosh. Nga një makinë për çdo anëtarë të familjes. E gjithë kjo pasuri është krijuar në kurriz të qytetarëve të Strugës e jo vetëm. Pasuri me para të pista.
Donacioni humanitar me para “haram” nuk quhet i tillë.
Struganët i njohin mirë ata persona në fotografi. E dinë edhe se si i kanë fituar dhe i fitojnë paratë për çdo ditë.
Këtë, prej sot duhet ta dijë edhe i nderuari Halil Kastrati.
Në Strugë ka plotë njerëz të mirë dhe humanë, që me gjithë dëshirë do ti kishin ndihmuar kauzës së humanistit më të shquar shqiptar.
Me shumë respekt dhe konsideratë të lartë për veprën e Hoxhës së nderuar,
Aleanca për Shqiptarët – Strugë