Administrata e presidentit Donald Trump ka përshkallëzuar presionin ndaj presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, me një hap të befasishëm dhe të papritur të kësaj të mërkure, teksa shpallën njohjen nga Shtetet e Bashkuara të udhëheqësit të opozitës venezueliane si president të përkohshëm të vendit.
Me këtë hap sinjalizohet gjithashtu edhe vendosja e sanksioneve të reja të mundshme ndaj sektorit tejet jetik të vendit, siç është ai i naftës.
Duke përfituar nga protestat mbarëkombëtare kundër Maduros në Venezuelë, Trump tha se Shtetet e Bashkuara njohin Juan Guaidon, kreun e Kongresit të kontrolluar nga opozita, si udhëheqësin e shtetit, teksa e quajti qeverinë e presidentit socialist Nicolas Maduro si “të paligjshme”.
“Do të vazhdoj të ushtroj të gjithë peshën e fuqive ekonomike e diplomatike të Shteteve të Bashkuara për të nxitur, qoftë edhe me presion, rivendosjen e demokracisë venezueliane”, tha Trump në një deklaratë, duke inkurajuar më tej edhe qeveritë e tjera në hemisferën perëndimore që ta njohin gjithashtu Guaidon.
Administrata amerikane priti ta publikonte deklaratën e shefit të Shtëpisë së Bardhë, pas betimit të Guaidos si president i përkohshëm i Venezuelës gjatë kësaj të mërkure, thonë burime të agjencisë “Reutrs”.
Simpatizantë të opozitës venezueliane i kishin bërë thirrje Guaidos të merrte në duar Presidencën që kur Maduro u betua për një mandat të dytë më 10 janar, pas zgjedhjeve të bojkotuara të vitit të kaluar, që Shtetet e Bashkuara dhe shumë qeveri të tjera të huaja i pëshkruan si “mashtrim”.
Guaido, një figurë e re politike në Venezuelë, i cili u zgjodh të drejtonte Kongresin më 5 janar, ishte shprehur më herët do të dëshironte ta zëvendësonte Maduron nëse do të kishte mbështetjen e ushtrisë, me synimin për të thirrur më pas zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Zyrtarë amerikanë kanë theksuar hapur gjatë ditëve të fundit se, Maduro nuk ka më asnjë arsye legjitime për të qenë në pushtet.