Emilia Romagna është pushtuar nga zogjtë. Nëse Cesena po përballet me brejtësit në rrugë, Rimini ka probleme me zogjtë. Sipas mediave lokale, zogjtë e “çmendur” përplasen mbi shtëpi dhe makinat në lëvizje.
Rasti i parë ka ndodhur përpara një jave. “Isha duke punuar në bodrumin e shtëpisë. Në një moment djali im erdhi tek unë shumë i entuziazmuar, duke thënë se njëqind zogj ishin rrëzuar në një nga dritaret tona. Pas 10 minutash ata rifilluan fluturimin e tyre, por dukeshin si të çoroditur”, -tregoi një banor i zonës.
Më pas një tjetër banor rrëfen fenomenin e pazakontë dhe të frikshëm gjithashtu. “Isha në Marecchiese kur xhami u bë i zi. Një zhurmë e madhe u krijua. U ndala menjëherë sepse nuk shihja më asgjë. Më vonë kuptova se isha goditur nga një tufë zogjsh. Shumë prej tyre ngordhën në vend. Xhami u mbush me gjak dhe pupla”.
Ekspertët kanë nisur hetimet në lidhje me fenomenin në fjalë. Dyshohet se zogu që udhëhiqte tufën mund të ketë humbur kontrollin, e për pasojë ka ndodhur përplasja e tyre me banesat apo makinat. Gjithsesi mostrat e shpendëve të ngordhur janë dërguar në laborator për të zbuluar arsyen.