Qeveria e Maqedonisë nuk ka as plan e as mjete të parapara për uljen e ndotjes në qytetin e Tetovës, thonë drejtuesit e Ekoguerillës, pas një takimi në Qeveri ku janë njoftuar me masat e Qeverisë në kuadër të planit dy vjeçar. Kjo shoqatë ka propozuar disa masa konkrete, si vendosjen e filtrave në 19 fabrika për prodhimin e mobileve si dhe krijimin e një zone të gjelbër me rreth 150 shtëpi, të cila si lëndë për ngrohje do të përdorin lëndë djegëse që nuk ndotin. Idetë janë pranuar por nga shoqata thonë se vështirë do të realizohen, për shkak të mungesës së fondeve nga ana e Qeverisë.
Qeveria ishte në mungesë edhe të planit edhe të fondeve sa i përket planit aksional për zgjidhjen e problemit me ndotjen, sepse, pavarësisht se u promovua si plan që do përgjysmonte ndotjen për dy vjet, pak kohë më pas Makraduli tha se do kishte një konferencë donatorësh për të siguruar fonde për luftën kundër ndotjes dhe javën e shkuar pati takim në Qeveri ku mora pjesë dhe unë për të dhënë ide se si duhet luftuar ndotja e ajrit për të prezantuar iniciativa, pra kjo tregon se nuk kishin as para as ide as plan – deklaroi Ariant Xhaferi, Ekoguerila.
Për dallim prej Qeverisë dhe Qytetit të Shkupit, komuna e Tetovës nuk ka ende as plan aksional kundër ndotjes, dhe në mungesë të kësaj, drejtuesit e komunës mjaftohen me apele edhe atë në rrjete sociale.
Apelojmë deri te të gjithë qytetarët, të mos i shfrytëzojnë automjetet e tyre, pa ndonjë nevojë të madhe dhe në të njëjtën kohë të shfrytëzojnë mundësitë alternative të qarkullimit! I bëjmë thirrje qytetarëve që gjatë ngrohjes të shtëpive të tyre të mos përdorin lëndë djegëse të padefinuara. Rekomandohet, që gjatë periudhave të ndotjes enorme, veçanërisht në orët e pasdites dhe në mbrëmje, qytetarët të mos bëjnë ajrosjen e hapësirave në të cilat qëndrojnë – thonë nga Komuna e Tetovës.
Ndaj këtyre masave, kanë reaguar nga Organizata “Nëna dhe fëmija”, duke kërkuar nga komuna që të ndërmerr konkrete dhe jo të bëj apele.
https://youtu.be/uV-xRzoDxqQ
Para se të apeloj komuna, më së pari duhet ta përgatis planin strategjik se si të përmirësohet gjendja reale, gjendja e mjerueshme e Tetovës. Aspak as planet nuk janë të bëra, e as janë të shkruara. Për apele më nuk kemi nevojë. Së pari le të fillojnë me kontrollin e institucioneve, ose thjeshtë rrugët, abe rrugët le ti lajnë – u shpreh Elmedina Abdullahi. Nëna dhe Fëmija.
Ndryshe Tetovë është në mesin e qytetarëve me ndotjen më të madhe të ajrit, por jo në nivelet kur në funksionin ishte edhe kombinati i Jugohromit që konsiderohej si ndotësi më i madh i ajrit në këtë rajon.
Bashkim Sulejmani