Një nga historitë e trajtuara në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, ka qenë ajo e Elenës një vajzë nga Vlora, e cila ritakohet në studion me vëllain e saj, Ledionin dhe me prindërit, me të cilin kishte kohë që nuk komunikonte. Shkak është bërë divorci i Elenës, të cilin Ledioni me sa duket e ka patur të vështirë ta pranojë dhe vendimi i Elenës për të vazhduar jetën në Greqi, edhe pse e divorcuar.
Në fakt Elena ishte fejuar që 15 vjeçe dhe sikurse ka rrëfyer ka patur një jetë të veshtirë.
“Kur je në fshat njerëzit vijnë kërkojnë, shikojnë një vajzë simpatike me një trup të hedhur. Më kërkuan, por babai nuk donte, sepse edhe motra është fejuar 15-vjeçe, por mami dhe burri i tezes ranë dakord. Kur erdhën në shtëpi më pëlqeu dhe pranova. U fejuam dhe ndenji tre ditë, më pas ai iku në Rodos ku jetojmë edhe sot”.
Me tej Elena tregoi se bashke me te atin udhetoi drejt Greqise.
“Pas tre muajsh shkova edhe unë me babain, pasi isha nën moshë dhe nuk kaloja dot kufirin. Na pritën shumë mirë. Në fillim rrija në shtëpi, nuk punoja, pastaj punoja me ish-vjehrrën në një restorant. Paguhesha shumë pak, bëja edhe punët e vjehrrës vetëm për të mësuar gjuhën. Ish-bashkëshorti vinte në mëngjes dhe e linte punën në 2 të natës, pinte shumë, shumë pak kohë rrinim bashkë. Kur i thoja të rrinim bashkë, përdorte dhunë ndaj meje. Pas 3 muajsh u ktheva, por prindërve nuk i tregoja sepse nuk doja t’i shqetësoja dhe mendova se do ndryshonte”.
Ndërsa i vëllai qëndronte në anën tjetër të murit në programin “E diela shqiptare”, Elena ka rrëfyer ndër të tjera se për shkak të dhunës së ushtruar nga bashkëshorti, ajo kishte humbur edhe fëmijën.
“Pasi u martova dhe bëmë dasmën të dielën, unë të hënën shkova në Greqi. Atje mësova se jam shtatzënë dhe doktoresha më tha se mund të jenë binjakë, por askush nuk kujdesej për mua dhe humba fëmijën. Unë isha si një skllave. Familja ime nuk dinte asgjë, sepse unë shpresoja se kur të bëja fëmijë do të ndryshonte, siç më thoshte edhe ish-vjehrra . Kam humbur 6 fëmijë, herën e fundit mami im e kuptoi, por nuk e dinte se pse unë humbja fëmijët.
Une kisha më tepër psikologjike problemin, sepse qaja dhe ai ushtronte dhunë, edhe pse unë isha shtatzënë. Ai ishte i sëmurë. Unë duhet të rrija 24 orë shtrirë, sepse kur ke shumë abortime rrezikon edhe jetën, hyra dhe në gjendje kome, por nuk kisha njeri afër. Kisha vetëm motrën dhe bashkëshoritn e saj që jetonin në Athinë. Kërkova të vinte mami im, sepse nuk ndihesha mirë. Ngrihesha në 7 të mëngjesit dhe shkoja tek e ëma e tij dhe kujdesesha për të, pavarësisht se edhe vetë isha e sëmurë”.
Mes lotëve, Elena ka treguar se i shoqi mori paratë nga llogaria e përbashkët dhe i investoi në një restorant, ndërsa asaj i duhej të punonte dhe të mbante gjithë peshën e angazhimit.
“Kam tentuar edhe të vetëvritem. Mamaja ime kuptoi shumë gjëra kur erdhi në Greqi. Një natë erdhi i dehur dhe më goditi dhe mami më pa të rrëzuar dhe më ngriti. Mami mori në telefon vëllain e madh Ledjonin, sepse me të kam qenë shumë e ngjitur, por pas ndarjes nuk jemi më. Ai mendonte se unë nëse do kthehesha në Shqipëri do ishte më mirë, por unë atje ndihem më mirë. Pas ndarjes ish-bashkëshorti tha hajde merreni Elenën, sepse ajo nuk bën fëmijë. Kur vjen babi për të më marrë ai vjen i dehur si gjithmonë, kisha tre ditë pa ngrënë, sepse nuk i interesonte askujt që unë jetoja në atë shtëpi“, rrëfeu Elena.
Pasi është divorcuar nga i shoqi, Elena vazhdon të qëndrojë në Greqi, fakt që familja e saj e ka patur të vështirë ta pranojë. “Ata nuk besojnë që unë jam mirë, dëgjojnë shumë njerëzit në fshat, sepse kur ndahet një femër duhet të kthehet më tek familja ta martojnë. Vëllain e vogël që është në Itali kam katër vite pa e parë, ndërsa me vëllain e madh kam 1 vit që nuk flas. Kur ika në Greqi dhe nuk e dëgjova më tha: “Nuk je më motra ime dhe mos më merr më në telefon”, ka treguar ajo mes lotëve.
Pirndërit dhe vëllai i Elenës, që ndodheshin pas murit, kanë dalëq dhe e kanë përqafuar atë./tvklan.al