Pas një shtatëzanie të vështirë, Zenepe Pirja, 50-vjecarja me aftësi të kufizuar, është bërë ditën e djeshme nënë e një vajze me emrin El’Ana. Falë ndihmës së ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe kujdesit të ekipit mjekësor të maternitetit “Koco Gliozheni”, ëndrra e saj dhe e bashkëshortit Gëzim Pirja për t’u bërë prindër është bërë realitet
Një 50 vjeçare me aftësi të kufizuar është bërë nënë e një vajze në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë, pas një shtatëzanie të vështirë që ja doli të finalizohej me sukses,falë kujdesit të ekipit mjekësor të këtij materniteti.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila e ka ndjekur nënën paraplegjike prej disa muajsh, e vizitoi në spital, duke i garantuar edhe kujdesin e mëtejshëm për të dhe të porsalindurën.
Zenepe dhe Gëzim Pirja janë një çif personash me aftësi të kufizuar, të cilët me dëshirën e madhe për t’u bërë prindër, i janë drejtuar maternitetit “Koço Gliozheni” në Tiranë. Në gusht të vitit 2018, Gëzimi i është drejtuar me një email ministres Manastirliu për ta mbështetur për qëndrimin në spital, për vijimin e shtatëzanisë së gruas së tij.
“Përshëndetje znj. Ogerta. Unë jam Gëzimi, bashkëshorti i Zenepes. Të dy si çift jemi me aftësi të kufizuar (karrige me rrota) dhe së bashku jemi takuar në ambientet e punishtes Mirësia, ku ju keni shpërndarë karrige me rrota. Por sot po ju drejtohem personalisht për një arsye shumë më madhore. Bashkëshortja ime Zenepja është shtatzënë dhe jemi shumë të lumtur për këtë mrekulli. Por do t’ju lutesha të na ndihmonit që shtatëzaninë Zenepja, ta kalojë në spital për shkak të vështirësisë së madhe që paraqet rasti ynë.”
Ministrja Manastirliu i është përgjigjur dhe prej 5 muajsh, çifti Pirja jetonin në një dhomë të posaçme në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë. Gjatë kësaj kohe ata kanë ndjekur biznesin e tyre familjar (një kopësht për fëmijë) nga dhoma e maternitetit nëpërmjet sistemit të kamerave. Shtatëzania nuk ka qenë e lehtë, por është finalizuar me sukses.
Dje ka ardhur në jetë El’Ana që gëzon shëndet të plotë bashkë me nënën e saj. Prindërit janë shprehur se e kanë quajtur El’Ana (Zoti na u përgjigj) dhe më tej kanë falenderuar ministren dhe stafin e përkushtuar të maternitetit për ndjekjen dhe kujdesin gjatë kësaj shtatzanie të pazakontë.