Nga Angelos Chryssogelos
Qershorin e kaluar, në rajonin piktoresk të Liqenit të Prespës, Greqia dhe Maqedonia dukej se lanë mënjanë dekada të tëra armiqësie, pasi udhëheqës nga të dy vendet nënshkruan një marrëveshje për të riemëruar ish republikën jugosllave. Nën këtë marrëveshje, të nënshkruar në praninë e zyrtarëve evropianë dhe të njësive të NATO-s, Maqedonia do të bëhet Republika e Maqedonisë Veriore.
Dhe tani, pas gjashtë muajsh përpjekjesh për të siguruar miratimin nga të dy parlamentet, një marrëveshje për të zgjidhur një nga më të vështirat – dhe për shumë vëzhgues të jashtëm, të pakuptueshme – mosmarrëveshje dypalëshe në Ballkan është shumë afër realizimit.
Pasi Maqedonia miratoi të gjitha ndryshimet e nevojshme në kushtetutën e saj, marrëveshja e Prespës tani është shumë afër ratifikimit edhe nga Greqia, pasi kryeministri grek Alexis Tsipras fitoi një votëbesim në Athinë më 16 janar – e thirrur për shkak të mosmarrëveshjeve në koalicionin e tij mbi marrëveshjen.
Marrëveshja për ndryshimin e emrit tani pritet të ratifikohet nga Greqia gjatë kësaj jave, gjë e cila do të hapë rrugën për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe fillimin e negociatave për të diskutuar hyrjen e saj në Bashkimin Evropian. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991, fqinji verior i Greqisë mori emrin “Maqedoni”, por Athina refuzoi ta njohë duke thënë se ky emër legjitimon pretendimet territorial mbi krahinën e Maqedonisë në veri të Greqisë.
(OKB-ja e quan vendin “ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë”). Mosmarrëveshja ka bërë që Athina të bllokojë në mënyrë të përsëritur përpjekjet e fqinjit të saj për t’iu bashkuar NATO-s dhe BE-së, një problem shqetësues për udhëheqësit evropianë që duan të forcojnë ato aleanca përballë një agresioni rus.
Megjithëse mosmarrëveshja ndërmjet dy vendeve është e përqendruar në çështjen ligjore të emrit zyrtar të një vendi, ajo prek çështje emocionale të historisë dhe identitetit në të dy vendet. Për qytetarët e asaj që së shpejti do të jetë “Maqedonia e Veriut”, termi “Maqedoni” është një shenjues i identitetit të tyre kombëtar të ndryshëm në Ballkan.
Për grekët nga ana tjetër, Maqedonia është e ndërthurur me periudha dhe personalitete të rëndësishme në një narrativë historike që shtrihet deri në kohët e lashta. Nën peshën e kujtimeve ende të gjalla të konfliktit dhe luftës gjatë shekullit të 20-të, të dy kombet e kanë pasur të pamundur të pajtohen me një mirëkuptim të përbashkët dhe me përdorimin e fjalës “Maqedoni”, deri verën e kaluar.
Dhe prapëseprapë, udhëheqësit e të dy vendeve kanë dalë kundër qëndrimeve të thella nacionaliste. BE-ja e ka mbështetur marrëveshjen në të gjitha fazat e negocimit, nënshkrimit dhe ratifikimit të saj. Për BE-në, marrëveshja e Prespës përfaqëson gjithçka që është e mirë për marrëdhëniet multilaterale dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla në kohën kur këto vlera janë nën sulm nga nacionalizmi dhe populizmi në Evropë, dhe nga Presidenti Donald Trump dhe Rusia më tutje.
Ajo pastron një pengesë për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe vë sërish në shina projektin e saj për transformimin e këtij rajoni duke e përfshirë atë në rendin e vet institucional dhe ligjor. Për BE-në, Marrëveshja e Prespës atëherë është edhe një fitore gjeopolitike edhe një justifikim i vizionit të saj se si duhet të funksionojë politika ndërkombëtare. Por ka tre probleme me këtë narrativë.
Proces i rregullt politik BE-ja ka zgjedhur të injorojë aspektet problematike të një procesi ratifikimi që ka sfiduar normat kushtetuese dhe sundimin e parimeve ligjore si në Maqedoni ashtu edhe në Greqi. Për shkak se Tsipras dhe Kryeministri maqedonas Zoran Zaev nuk kanë shumicë dërrmuese në parlamentet e tyre, kalimi i marrëveshjes në të dy vendet ka kërkuar marrëveshje politike që kanë shkuar deri në kufijtë e ligjshmërisë.
Në Maqedoni, Zaev-i, i cili nuk e kishte shumicën prej dy të tretash të parlamentit për të ndryshuar kushtetutën e Maqedonisë, përdori si kërcënimet për ndjekje penale për korrupsion edhe një ligj të dyshimtë të amnistisë së pjesshme për të nxitur ligjvënësit e opozitës që të votonin ndryshimet e tij kushtetuese.
Deputetët e opozitës në Shkup thuhet se janë nën presion të madh si nga mbështetësit edhe nga kundërshtarët e Prespës, duke përfshirë qeveritë e huaja, për të votuar në përputhje me dëshirat e tyre. Secila palë ka akuzuar tjerën për kërcënime me dhunë fizike ose premtime rryshfetesh. Në Athinë, situata është edhe më e ndërlikuar.
Qeveria e Tsipras-it i mbijetoi votes së mosbesimit për të ratifikuar Prespën, por shumica e saj e vogël mbështetet në disa kundërshtarë të marrëveshjes të cilët u joshën me premtimin e vendeve të punës në qeveri. Në vend të kësaj, Tsipras-i pret të ratifikojë marrëveshjen këtë javë duke tërhequr deputetë nga partitë më të vogla të opozitës, që mendohet se do të shpërblehen me përfshirjen në listat zgjedhore të partisë së tij në zgjedhjet e ardhshme.
Tsipras-i tashmë është akuzuar muajt e fundit nga opozita për ndërhyrje të paligjshme në gjyqësor, media dhe ushtri. Tani, grumbullimi prej tij e shumicave ad hoc për vota të ndryshme në parlament ka sfiduar normat e procedurës parlamentare dhe kushtetuese dhe ka kontribuar në mosbesimin e mëtejshëm te sistemet politike nga qytetarët grekë.
Për BE-në, shqetësimet mbi sundimin e ligjit dhe procesin e rregullt politik duhet të merren seriozisht – veçanërisht në një kohë kur shumë nga shtetet e saj anëtare luftojnë me autoritarizmin dhe mungesën e liberalizmit. Ndërkohë, të gjitha shtetet e Ballkanit që BE-ja shpreson të mirëpresë një ditë vazhdojnë të vuajnë nga problemet e vazhdueshme të korrupsionit dhe politikës së të fortëve. Në një botë të përcaktuar nga lufta midis demokracisë liberale dhe populizmit, procesi ka po aq rëndësi sa përmbajtja.
Procesi përmes të cilit Prespa po ratifikohet lë shumë për të dëshiruar. Një marrëveshje jopopullore Së dyti, të dy qeveritë po e imponojnë Prespën kundër dëshirave në pjese të madhe të vendeve të tyre. Në Maqedoni, qeveria dështoi që të fitojë një referendum këshillues mbi Prespën në shtator – një votë që BE-ja ka zgjedhur ta injorojë. Në Greqi, të gjitha sondazhet e opinionit tregojnë një shumicë të fortë popullore kundër marrëveshjes.
Protestuesit kanë organizuar demonstrata masive kundër marrëveshjes, përfshirë një para 2 javëve që u shpërnda me forcë nga policia dhe që prodhoi imazhe që të sillnin në mendje ditët më të errëta të krizës së Eurozonës dhe demonstratat e dhunshme anti-austeritet në Athinë.
Vetëm pak muaj para zgjedhjeve të Parlamentit Evropian ku populistët priten të fitojnë, BE-ja sërish duket se po e paraqet veten si një burokraci e vendosur të injorojë reagimet popullore dhe sovranitetin e shteteve më të dobëta.
Rindezja e tensioneve Së fundmi, edhe qëllimi gjeopolitik i stabilizimit të rajonit është i rrezikuar nga marrëveshja, pikërisht sepse përzierja politike në Greqi dhe Maqedoni është kaq e paqëndrueshme.
Në Maqedoni ndryshimi i emrit mbështetet nga një koalicion i një pakice të grupit etnik dominues sllavo-maqedonas dhe pakicës etnike shqiptare të Maqedonisë, ndërsa kundërshtohet nga shumica e sllavo-maqedonasve. Me fjalë të tjera, marrëveshja krijon një koalicion të pakicave kundër shumicës së shumicës.
Një aranzhim i tillë është i detyruar të ripërtërijë tensionet etnike dhe të rrisë polarizimin politik në Maqedoni – e kundërta e qëllimit të BE-së. Në Greqi, nga ana tjetër, Prespa nxin perceptimin publik për BE-në, duke ndërprerë një periudhë rehabilitimi të ngadalshëm dhe të dhimbshëm pas krizës së Eurozonës të 2010-15.
Në një vend ende të prekur nga kriza ekonomike dhe gjithmonë e ndjeshme ndaj rikthimit të populistëve, ringjallja e nacionalizmit nga një marrëveshje e sponsorizuar nga BE-ja shkon ndesh interesit të BE-së për stabilitet në një shtet anëtar të Eurozonës. Mbështetja e BE-së për marrëveshjen e Prespës rrjedh nga idealet e admirueshme të integrimit evropian.
Por është gjithashtu një shembull tjetër i një mënyre qeverisjeje burokratizuese që shpesh injoron realitetet politike dhe ndjeshmeritë popullore.
Mbi të gjitha, ajo pasqyron një qëndrim vetë-urues që e sheh aderimin dhe anëtarësimin në BE si një kurë për probleme komplekse etnike, ekonomike dhe sociale, por gjithashtu toleron pazaret me elita kombëtare të dyshimta dhe e bën një sy qorr për metodat e tyre për aq kohë sa arrijnë në rezultate pro BE-së në terren.
Në një kohë problemesh serioze me sundimin e ligjit në disa shtete anëtare të BE-së dhe trazira popullore në të tjera, një qasje e tillë ndaj problemeve të Evropës është dritëshkurtër dhe e vetëshkatërruese.(Kebriona Veliaj, TemA Javore)