Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi, sot ka shpallur zgjedhjet presidenciale në vend, të cilat do të mbahen më 21 prill, ndërsa raundi i dytë do të zhvillohet më 5 maj.
“Nënshkrova akt-vendimet për shpalljen e zgjedhjeve presidenciale të vendit dhe zgjedhje për komunat e Ohrit, Novo Sellës dhe Dibrës. Zgjedhjet do të mbahen më 21 prill”, tha Xhaferri.
Ai tha se zgjedhjet korrekte dhe demokratike do të vlerësojnë realisht progresin e Maqedonisë së Veriut.
Deri tani asnjë parti politike parlamentare nuk ka bërë publik kandidatin me të cilin do të garojë në zgjedhjet presidenciale, ndërsa para disa ditësh opozita maqedonase i publikoi emrat të cilët kanë kandiduar në konkursin e OBRM-PDUKM-së.
Kryeministri dhe kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, sot tha se akoma po bëhen konsultime në parti në lidhje me zgjedhjet presidenciale dhe nuk e përjashtoi mundësinë që të ketë kandidat konsensual.
Ndërkaq BDI ka deklaruar se do të dalë me kandidat të vetin për president dhe nuk do të mbështesin kandidatin i cili do të marr mbështetjen në kongresin e LSDM-së.
Më herët ka pasur informacione se opozita shqiptare do të dalë me një kandidat të vetëm për kryetar shteti, por deri sot asgjë nuk është konfirmuar.