Në aksidentin tragjik i cili ndodhi sot në qendër të Gjilanit kur një kamion humbi drejtimin dhe aksidentoi disa vetura, ka lënë të vdekur një person si dhe 27 të lënduar, raporton “Zëri.info”.
Drejtori i Spitalit Rajonal të Gjilanit, Nisret Hajrullahu ka thënë për Zëri.info se personat që kanë pranuar trajtim në këtë spital kanë qenë të lënduar rëndë dhe të traumatizuar.
Tutje, Hajrullahu ka thënë se prej tyre vetëm tetë janë të shtruar në Spitalin e Gjilanit.
“Ka pasur persona me lëndime nëpër pjesë të ndryshme të trupit. Ne të gjithë jemi mobilizuar për t’iu dhënë viktimave ndihmën adekuate”, ka thënë Hajruallahu.
Sipas tij, tre persona të tjerë janë transferuar në Qendrën Emergjente në Prishtinë.
Në anën tjetër Policia në Gjilan për këtë rast ka arrestuar dy persona,vozitësin e kamionit si dhe shoqëruesin e tij.
“Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona, vozitësin dhe bashkudhëtari i tij. Policia e Kosovës është duke hetuar këtë rast të rëndë”, thuhet në sqarimin e PK-së.
“Zëri.info” ju sjell pamje nga ky aksident.