Për kreu e qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, Maqedonia e Veriut është një shtet mik dhe i pazëvendësuseshm. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrit Zoran Zaev, Rama tha se ligji për gjuhën shqipet në Maqedoni është një moment historik për vendin. Rama bëri thirrje që të vendet e rajonit, t’i bashkohen modelit që Shqipëria ka nisur me Kosovën, ai i një modeli Schengen mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Për ne, Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është thjesht një vend fqinj, por një shtet mik dhe strategjikisht i pazëvendëueshëm dhe i patjetërsueshëm, marrëdhënia me të cilin kultivohet përmes parimeve dhe vlerave më të mira që na bashkojnë si dy vende që i përkasin Europës dhe që do jenë së bashku në tryezën e familjes europiane. Ju jam mirënjohës, shqiptarët ju janë mirënjohës për faktin se me një kurajo të pazakontë dhe vizion largpamës çelët rrugën e një harmonie të munguar dhe të domosdoshme në shtetin tuaj mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Për ne, seanca e Kuvendit tuaj ku u fol shqip ishte simbolikisht dhe përmbajtësisht një moment historik dhe një arsye me shumë që ne të jemi promotorë të fuqishëm të idesë se integriteti dhe stabiliteti të Maqedonisë së Veriut është interes strategjik i Republikës tonë.
Ne jemi në një moment të veçantë në një moment kur shkojnë në pragun e çeljes së negociatave me BE-në dhe puna e përbashkët që po bëjmë, përvoja e krijuar dhe e bashkëndarë hap pas hapi na ndihmon shumë. Ne kemi nisur një proces me Kosovën, për fat të keq i keqkuptuar tek tuk, kur kemi folur për një model Schengen, por për ne është zanafilla e një procesi që duhet të shtrihet në të gjithë rajonin, por ne kemi dëshira ta materializojmë me fqinjët tanë fillimisht, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut me urimin që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë në këtë proces dhe kufijtë të jenë po aq fluidë sa vendet e BE-së. Askush nuk na pengon ta bëjmë mes vetes”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama theksoi se edhe pakica maqedonase në shqipëri do gëzojë frytet e bashkëpunimit dhe klimës pozitive mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Dua të rikthehem te ajo që është baza e patjetërsueshme e kësaj miqësisë që ka vetëm mundësinë të forcohet, shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, miratimi i ligjit për gjuhët dhe nisja e zbatimit të tij, klima ndëretnike e përmirësuar rrënjësisht dhe kalimi nga letrat në vepra falë vullnetit tuaj, janë padiskutim arsye të qenësishme që ne të fuqizojmë çdo ditë këtë marrëdhënie. Padiskutim që kurajoja dhe vullneti për të kthyer falët në vepra e karakterizon lidershipin e sotëm në Maqedonisë së Veriut dhe dakordimi për gjuhën shqipe e shtrirë në përdorimin e saj në nivel të gjerë institucional administrativ është fantastike.
Me të njëjtin angazhim ne do të vazhdojmë. Më vjen mirë që duke vlerësuar vendimin për hapje e konsullatën e nderit në Manastir të konfirmoj vullnetin, dëshirën dhe angazhimin që pakica maqedonase që jeton në Shqipëri të gëzojë absolutisht frytet më të mira të kësaj klime pozitive për të rritur pemën tradicionale të miqësisë që do forcohet dhe është përmbajtësisht strategjike. Kam besimin se përmes këtij bashkëpunimi ne mësojmë shumë dhe mësimet që marrim nga njëri tjetri në çdo aspekt do të na vlejnë më shumë në të ardhmen”, tha Rama./abcnews.al