Ballina Aktualitet Kultura Panairi i librave antikë, ku një kopje e Maos kushton 1,5 milionë...

Panairi i librave antikë, ku një kopje e Maos kushton 1,5 milionë dollarë

Ekziston një vend ku duket se tirania e botës dixhitale është ndalur, ose madje, është zhdukur fare, e kjo hapësirë është zënë nga libri. Profecitë për zhdukjen e tij, vështirë se do të realizohen. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për rënien e shitjeve të librave të formatit dixhital, e-book, por edhe sepse në kohën e metamorfozës nga Homo Sapiens drejt një “zombi” që mban sytë vazhdimisht të lidhur me telefonat inteligjentë, leximi i gjatë ka mbetur një traditë që të jep kënaqësi.

Në Nju Jork zhvillohet panairi më i madh i librave të vjetër. Një vend i veçantë, në mos për të blerë, për të vrojtuar nga afër raportin tonë me letrën. Një libër i vitit 1942, i Mao Ce Dunit “Për të ndërtuar një botë të re me paqe dhe demokraci”, me autografin e autorit për një diplomat francez, vlerësohet 1,5 milionë dollarë. Botimi i parë i “Getsbi i Madh” i Francis Scott Fitzgerald i vitit 1925 shitet për 278 mijë dollarë. Ndërsa një dorëshkrim i vitit 1460, i shkruar nga Giorgio D’Alemagna dhe Taddeo Crivelli shitet për “vetëm” 75 mijë dollarë. Kjo e fundit është një vepër unike, e përdorur nga një peshkop për të bërë ritet e meshës në Ferrara të Italisë. Pra, një thesar i Rilindjes vlen sa një e katërta e një romani të viteve ‘900 dhe sa një e njëzeta e firmës së Maos?!

Ky është edicioni i 59-të i Panairit të Librit të Vjetër në Manhatan. “New York International Antiquarian Book Fair” organizohet çdo mars, në një godinë të viteve ‘800. Çmimet nuk janë gjithmonë kaq të larta dhe jo të gjithë ata që e vizitojnë janë studiues apo koleksionistë që janë të gatshëm të shpenzojnë qindra mijëra dollarë. Ky panair është edhe një muze, një vend dijeje ku mund të zbulohet e shkuara.

Por ka edhe një tjetër fakt surprizues: panairi i librit të vjetër ka rezultuar më fitimprurës dhe më eficent se panairet e mobilieve apo të artit bashkëkohor. Dihet se për objektet antike, këto janë kohë të vështira dhe shkaku është i qartë: të pasurit e kohës sonë janë 30-vjeçarët e Silicon Valley-t që jetojnë në shtëpi minimaliste të stilit zen, ose oligarkë kinezë që jetojnë apartamente shumë luksoze në Manhattan. Por libri i vjetër ka një publik të veçantë, një mbrojtje të ngrohtë./Përgatiti Erjon Uka, Opinion.al