Ballina Aktualitet Shqipëri Sikur asgjë nuk ka ndodhur, Rama dhe Meta shtrëngojnë duart të buzëqeshur

Sikur asgjë nuk ka ndodhur, Rama dhe Meta shtrëngojnë duart të buzëqeshur

Ceremonia e 10-vjetorit të Shqipërisë në NATO ka bërë bashkë kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin Ilir Meta, pas deklaratave dhe replikave të bëra në distancë gjatë javës së kaluar.

Të dy janë takuar në sheshin “Nënë Tereza” dhe siç duket nga fotot kanë qenë të buzëqeshur dhe kanë shtrënguar duart, duke u ulur pranë njëri-tjetrit. Sigurisht që ulja mund të ketë qenë pjesë e protokollit, por ajo që ra në sy është se të dy u kujdesën të mos jepnin shenja të krizës së marrëdhënieve mes institucioneve, duke u shfaqur të qetë.

Edi Rama fjalën e tij e nisi duke iu drejtuar Presidentit të Republikës, ndërsa Meta vlerësoi rolin e partnerëve ndërkombëtarë në Shqipëri.

Nga Pogradeci, Ilir Meta tha javën e kaluar se ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen nëse kjo i shërbente zgjidhjes së krizës politike, e madje mund të sakrifikohej si Salvador Allende për të ndaluar instalimin e një junte ushtarake në Shqipëri.

Nga Kongresi i PS-së në sheshin “Nënë Tereza”, kryeministri iu drejtuar personalisht duke i thënë të rrinte i qetë sepse Shqipëria ishte vend anëtar i NATO-s.

“Ilir Meta ndihet kaq i papërfaqësuar sa i duket sikur një juntë ushtarake do sulmojë pallatin Presidencial. Zoti president e di që më dëgjon rri i qetë. Jemi dhe do të mbetemi gjithmonë vend i NATO-s. Nëse nuk më beso mua beso Pandin. Të garantoj se sa të kemi Pandin ky vend nuk del nga NATO. Dhe në fund të ditës fundi politik i Lulit dhe i Monikës nuk duhet të jetë problemi im, i yti dhe i yni. Dhe kërcënimit të sistemit demokratik të tyre Zoti President ne bashkarisht si vend i NATO-s do i përgjigjemi si ushtar në mbrojtje të demokracisë. Rri i qetë!”, tha të shtunën e kaluar Edi Rama./Opinion.al