Në 30 qershor do të mbahen zgjedhjet vendore, dhe ky fakt tashmë duket se është pranuar edhe nga vetë kryedemokrati Lulzim Basha. Në një konferencë për mediat në mbrëmje, teksa kishte kaluar ora 22:00, lideri i opozitës joparlamantare dha përshtypjen e deklaratës së fundit në respekt të heshtjes zgjedhore që është ditën e shtunë, një ditë para së dielës së votimeve. Kryetari i Partisë Demokratike, i bëri thirrje të hapur qytetarëve që të mos kryejnë akte dhune, të refuzojnë çdo formë provokimi që sipas tij mund të vijë nga qeveria.
30 qershorin e quajti vdekjen politike të Edi Ramës, por e vetmja thirrje e tij ndaj qytetarëve, ishte ajo e bojkotit: Mos dilni në votime dha shefi i opozitës, teksa theksoi disa herë, se dhuna me dhunë “i jepet oksigjen Ramës”. “Të mos bien pre, refuzojeni, braktiseni’, tha Basha – duke kërkuar si të vetmen armë kundërshtie ndaj këtij procesi zgjedhor: Mospjesëmarrjen.
“Pasnesër është 30 qershori, kur Edi Rama do të kryejë aktin e fundit politik të regjimit të tij para rrëzimit. Një gjë sot është e qartë: 30 qershori është rrëzuar pa ardhur ende. Votimet farsë janë bërë pa ardhur ende. Por 30 qershori, nga një garë politike ku do të kërkonte fitore, është kthyer tashmë në varrezën politike të Edi Ramës. Ka vetëm një mënyrë që ne mund t’i japim oksigjen kësaj kufome politike: Kjo është dhuna. Edi Rama po kërkon viktima, që t’i përdorë ato për të justifikuar apo mbajtur pushtetin. por ne nuk duhet të lejojmë që asnjë fije floku i asnjë shqiptari të preket pPër të zgjatur jetën e kësaj kufome politike. Ndaj ju ftoj të gjithëve që të mos biem pre e provokimeve të Edi Ramës: Refuzojeni Edi Ramën! Braktiseni Edi Ramën! Mos iu përkulni presionit të tij për të dalë në votimet farsë! Denonconi çdo gjë që regjimi i tij bën, presionin, dhunën, fallsfikimin, mashtrimin! Mbi të gjitha, le të jemi bashkë më 30 qershor, duke ngritur zërin si qytetarë të denjë europianë”, tha Basha.
Kjo kthesë e Lulzim Bashës nga thirrjet publike për të penguar me çdo formë procesin zgjedhor të 30 qershorin të cilin më herët e ka quajtur farsë politike, vjen pas thirrjes së fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që udheheqësit e opozitës t’i bëjnë thirrje publikisht përkrahësve të tyre që të distancohen nga dhuna dhe që 30 qershori, datë të cilën ndërkombëtarët njëzëri e kanë njohur, të jetë një proces i qetë dhe i paqtë. Palmer u shpreh qartë dhe prerë se SHBA do të shkëpusë marrëdhëniet me ata që do të tentojë që të pengojë zgjedhjet në Shqipëri ditën e diel, pra në 30 Qershor. “Pengimi i zgjedhjeve mund të përbëjë bazë për t’u përjashtuar nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara”, theksoi ai.
Deklarata të ngjashme Basha i ka bërë edhe dy ditë më parë, por ndërkohë sërish pati dhunë kur u sulmua me bomba molotov KZAZ-ja numër 6 në Bushat të Bashkisë së Vaut të Dejës, dhe po ashtu sot, vetëm pak para se ai të dilte në konferencën për mediat në 10 të darkës, në Dibër militantët sulmuan policinë e rendit duke tentuar të futen brenda KZAZ-së numër 19 në Dibër. Tani shpresa mbetet që mesazhi i liderit të opozitës joparlamentare të mbërrijë edhe tek militantët dhe të tërhiqen nga dhuna.
Pjesë nga fjalimi i Bashës:
Politika shqiptare ka patur mjaft arritje këto tre dekada, por ajo ka patur edhe dështime spektakolare. Ajo ka prodhuar edhe mjaft të këqija. Ka shumë nga ata që i kanë bërë keq këtij vendi. Historia nuk do t’ua heqë as përgjegjësitë, as meritat askujt.
Por në të gjithë këtë mori dështimesh e politikanësh të këqij, Edi Rama është monumenti më i lartë, mishërimi i çdo të keqeje që politika dhe shoqëria jonë ka prodhuar këto tre dekada.
Pakkujt i është dhënë aq besim politik sa iu dha Edi Ramës dhe askush nuk e ka shpërdoruar atë aq mizorisht, aq mjerisht sa ai, pa i sjellë vendit asgjë të mire, duke i sjellë vendit vetëm shkatërrim dhe mjerim.
Shpesh, ne e shohim të keqen vetëm kur ajo bëhet mal dhe pastaj kërkojmë ta mposhtim atë përnjëherë. Por e keqja mposhtet me bashkim dhe qëndresë. Ajo luftohet më këmbëngulje. Luftohet me kurajë. Largohet përditë.
Këtë ka bërë Partia Demorkatike dhe unë, personalisht, çdo ditë, për gjashtë vjet rresht.
Sot largimin e Edi Ramës e duan edhe shumë nga ata, që për vite kontribuuan verbërisht për fuqizimin e tij, për kapjen prej tij të çdo pushteti, duke i besuar fjalëve, duke injoruar veprat, duke ngatërruar çitjanet e kuqe me ngjyrën e flamurit, duke ngatërruar batutat me ligjet dhe duke ngatërruar kolltukët me punën dhe kontributin.
Në vitin 2013, Edi Rama gëzoi një mbështetje të madhe, me të cilën mund të bëheshin shumë punë të mëdha, por ai e përdori të gjithë mbështetjen popullore dhe pushtetin vetëm për punë të këqija.
Shpërdoroi besimin
Shpërdoroi endrrat e shqiptarëve
Tradhtoi të ardhmen e tyre
Shumë nuk e panë që në fillim, por Rama ishte i kapur nga krimi dhe interesat grabitqare që ditën që erdhi në pushtet.
Krimi financoi gjithë opozitën e tij. Krimi u mobilizua për të marrë votat për ta sjellë në pushtet. Dhe krimi u shpërblye nga qeverisja që buroi prej tij.
Sot mund të duket e largët, por opozita zhvilloi një betejë të ashpër për largimin e krimit nga parlamenti dhe postet e zgjedhura, sapo Edi Rama erdhi në pushtet.
Ka qenë një betejë e vështirë në momentin më të fortë të Rilindjes, sapo ajo kishte ardhur në pushtet, kur askush nuk besonte apo nuk shqetësohej se, bashkë me rilindjen, në pushtet kishte ardhur krimi.
Atëherë na u desh të bënim çdo përpjekje, deri në bojkotimin e paralamentit që të arrinim ligjin e dekriminalizmit.
Ata që mendojnë se me Edi Ramën mund të funksiononte gjuha institucionale, le të kujtojnë dekriminalizmin
Vetëm bojkoti i parlamentit solli dekriminalizmin dhe largimin e Ndokave, Frrokave dhe Prengave dhe Roshajve nga politika, edhe pse Edi Rama i mbrojti dhe nuk i lëshoi me vetëdije deri në fund
Por sot dua ta them:
Pa bojkotet tona,
Pa denoncimet tona
Pa çadrën
Pa djegien e mandateve
Pa bojkotin e zgjedhjeve farsë
Sot Edi Rama do të vazhdonte të ishte rilindas. Saimir Tahiri, Fatmir Xhafaj, Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj, Ilir Beqja me shokë ende ministra dhe Qazim Sejdini e Vangjush Dako pranë mandatit të katërt.
Në rrugëtimin tonë në opozitë prej 6 vitesh, ne kemi bërë gabimet tona. Ka shumë gjëra që sot do të doja t’i kishim bërë ndryshe, por ka diçka që është e padiskutueshme: Përkushtimi ynë ndaj kauzës dhe interesit publik, kurajo dhe këmbëngulja jonë përkundër çdo vështirësie.
Udhëtimi ynë nuk ka qënë i lehtë, ka qënë i vështirë. Nëse ka patur ndonjë periudhë që e ka treguar këtë gjë janë 6 muajt e fundit. Vendimi për të djegur mandatet Ka qenë vendim shumë i vështirë dhe përgjegjësi e madhe.
Puna për të organizuar qëndresën ndaj regjimit në pushtet ka qënë e madhe. Protestat që ne kemi mbajtur këto gjashtë muaj janë një ndërmarrje gjigande dhe një arritje e jashtëzakonshme.
Pa to nuk do të ishim sot në prag të fundit të regjimit. Pa sakrificën e mijëra demokratëve dhe qytetarëve, pa qëndresën ndaj dhunës, ndaj gazit helmues, ndaj persekutimit policor, ndaj arrestit dhe burgosjes, sot Edi Rama do të sundonte i pa trazuar.
Ndaj ju ftoj të bëjmë dy gjëra:
Të respektojmë gjithë mundin dhe sakrificat e çdo shqiptari gjatë këtyre 6 vjetëve – të çdokujt që ka ngritur zërin, të çdokujt që ka protestuar, që ka denoncuar, që ka kritikuar, që është distancuar nga ky regjim.
Së dyti, duhet të jemi plot besim. Ne sot jemi shumica, më të bashkuar se kurrë gjatë këtyre 6 vjetëve, më të qartë se kurrë gjatë këtye 6 vjetëve, me një qëllim të drejtë dhe një kauzë të madhe.
Ndaj ju ftoj të gjithëve që të mos biem pre e provokimeve të Edi Ramës
Refuzojeni Edi Ramën!
Braktiseni Edi Ramën!
Mos iu përkulni presionit të tij për të dalë në votimet farsë!
Denonconi çdo gjë që regjimi i tij bën, presionin, dhunën, fallsfikimin, mashtrimin! Mbi të gjitha, le të jemi bashkë më 30 qershor, duke ngritur zërin si qytetarë të denjë europianë.