Blerja nga Turqia e sistemit të mbrojtjes ajrore S-400 ka rikrijuar një debat të vjetër nëse Turqia po largohet nga Perëndimi apo jo. Akuzat kundër vendit variojnë nga autoritarizmi i supozuar i Presidentit Rexhep Tajip Erdogan e deri tek sabotimi i qëllimshëm i NATO-s.
Këto akuza janë të pabaza. Ato vetëm sa vërtetojnë një dështim të thellë të kuptimit dhe delegjitimimit të qëllimshëm të shqetësimeve të sigurisë që Turqia ka lidhur me dinamikën rajonale në të cilën vepron dhe realiteteve më të mëdha gjeopolitike.
Pretendimi se Turqia nuk është më një aleat i besueshëm i NATO-s është i pabazë. Përkundrazi, Turqia ka luajtur dhe vazhdon të marrë një rol vendimtar në të gjitha misionet kryesore të NATO-s, nga Kosova dhe Bosnja deri në Liban dhe Afganistan.
Si anëtare myslimane, ajo ka luajtur gjithashtu një rol kyç në mbylljen e hendekut perceptues dhe kulturor midis Aleancës dhe botës së madhe myslimane.
Të vesh në dyshim integritetin e Turqisë është njësoj si të vesh në dyshim integritetin e NATO-s vet. Admirali James Stavridis, një ish-komandant suprem aleat i NATO-s, vë në dukje se humbja e kombit me ushtrinë e dytë më të madhe në NATO do të ishte një gabim i madh gjeopolitik.
Tendenca e fundit për të ngjyrosur Turqinë si të dëbuar nga Perëndimi vjen kryesisht prej dy arsyeve. E para është vendimi i Turqisë për të blerë sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400, i cili ka sjellë një krizë me SHBA. E dyta është vendimi i Turqisë për të vazhduar kërkimet dhe shpimet për lëndë djegëse në Mesdheun lindor, që ka sjellë një krizë me Bashkimin Evropian. Por do të ishte gabim të mendohet se këto janë të vetmet arsye që kanë shkaktuar krizën aktuale. Kriza është e rëndë dhe kërkon një këndvështrim më të gjerë.
Aleanca nuk është monopol: nuk do të thotë se disa anëtarë janë të lirë të imponojnë axhendën e tyre ndaj të tjerëve. NATO nuk mund të funksionojë siç duhet kur shqetësimet e sigurisë të të gjithë anëtarëve nuk merren seriozisht. Turqia nuk është dhe nuk duhet të jetë përjashtim. Shqetësimet e sigurisë që ajo ka duhen marrë seriozisht.
Turqia u bashkua me aleancën perëndimore një shekull më parë pavarësisht faktit se ajo luftoi një luftë të përgjakshme kundër fuqive evropiane. Ajo ka mbetur kryesisht e përkushtuar ndaj parimeve të demokracisë shumëpartiake, sundimit të ligjit, tregjeve të lira dhe një hapje ndaj botës. Pas bashkimit me NATO-n në vitin 1952, vendi u bë pjesë integrale e arkitekturës së sigurisë perëndimore.
Gjatë dekadës së fundit, Turqia ka zgjeruar pikëpamjet e saj të politikës së jashtme, siç kanë bërë dhe SHBA, Franca, Gjermania, Britania e Madhe dhe të tjerët, në një botë shumëpolare. Kjo bazohet në të kuptuarit se politika e jashtme nuk është një lojë me shuma zero dhe rruga përpara nuk është një qasje reduksioniste dhe ekskluziviste, por më tepër një perspektivë reciprokisht fuqizuese. Turqia ka po aq shumë të drejtë për të mbrojtur interesat e saj në Lindjen e Mesme ose në Afrikë, sikurse ka dhe Franca ose SHBA, në këto rajone dhe gjetkë.
Pra, pyetja e vërtetë nuk është nëse Turqia po largohet nga Perëndimi, por pse shqetësimet legjitime të sigurisë të Turqisë po injorohen në mënyrë sistematike. Dhe ekziston një listë e gjatë e këtyre shqetësimeve. Lufta e Turqisë kundër grupit terrorist kurd PKK ka hyrë në dekadën e tij të katërt dhe mbështetja që ka marrë nga aleatët e saj ka qenë e paqëndrueshme dhe e pamjaftueshme. Turqia ka marrë edhe më pak mbështetje dhe simpati në luftën e saj kundër Gylenistëve, veçanërisht pas përpjekjes së grushtit të shtetit të 15 korrikut në 2016, ku vdiqën 251 njerëz dhe mbi 2,000 të tjerë u plagosën.
Sot, si PKK dhe Gylenistët punojnë lirshëm në vendet perëndimore. Kërkesat e përsëritura të Turqisë për ekstradimin e anëtarëve të këtyre rrjeteve terroriste kanë rënë në vesh të shurdhër.
Shqetësimet e sigurisë të Turqisë janë rritur pas fillimit të luftës civile siriane në vitin 2011. Edhe pse Turqia mban barrën më të rëndë të krizës më të madhe të refugjatëve, ajo ka marrë pak mbështetje financiare dhe politike. Vendimi i administratës së Obamës për t’u bashkuar me krahët politikë dhe ushtarakë të PKK-së në Siri, dëmtoi më tej lidhjen e besimit mes dy aleatëve. Kjo politikë, që aktualisht vazhdon nën administrimin e Trump, përbën gjithashtu një kërcënim serioz për integritetin territorial të Sirisë dhe për unitetin politik.
Përpjekjet e përsëritura të Turqisë për të blerë sistemin e raketave Patriot nga SHBA-të, për fat të keq, nuk kanë rezultuar në asnjë marrëveshje. Çka është më e keqja, vendimi i administratës Obama për të hequr Patriotët nga Turqia në vitin 2015, ndërsa Turqia mbeti nën kërcënim nga lufta siriane. Përpjekjet e Turqisë për të blerë Patriotë gjatë dy viteve të fundit nuk kanë dhënë rezultate. Sistemi rus i mbrojtjes ajrore nuk u ble si një zgjedhje, por domosdoshmëri për Turqinë.
Po për shkak të neglizhencës dhe zhgënjimit janë përçarë marrëdhëniet dhe midis Turqisë e BE-së mbi çështjen e Qipros. Evropianët e dinë se sa përpjekje Turqia ka vënë në zgjidhjen e çështjes që kur Plani Anan i vitit 2004 u pranua nga turqit qipriotë dhe u refuzua nga grekët qipriotë. Duke pranuar grekët qipriotë në BE si anëtare të plotë pa zgjidhjen e çështjes, BE jo vetëm që shkeli parimet e veta por gjithashtu kreu një padrejtësi të madhe ndaj turqve qipriotë. Kohët e fundit, oferta e palës turke për të krijuar një regjim të një pjese të barabartë të burimeve në Mesdheun lindor, është refuzuar përsëri.
Turqia nuk po largohet nga Perëndimi apo nga ndonjë pjesë tjetër e botës. Përkundrazi, po zgjeron dhe diversifikon opsionet e politikës së jashtme. Por ajo po largohet në kurriz të sigurisë dhe integritetit të NATO-s. Në vend që ta instrumentalizojnë Turqinë për interesat e tyre afatshkurtër, miqtë dhe aleatët perëndimorë duhet ta trajtojnë Turqinë si një partner të barabartë dhe të adresojnë shqetësimet e sigurisë në një mënyrë serioze.(Bloomberg, scan)