Liverpooli fiton për herë të 4-t në histori Superkupën e Europës, pasi mposhti pas goditjes së penalltive Chelsea-n e Frenkie Lampard që sërish zhvilloi një ndeshje shumë të mirë por nuk kishte fatin me vete.
Gabimin vendimtar e bëri sulmuesi i ri Abraham i cili humbi penalltinë e 5-të të Chelsea-t që u prit nga Adrian, pasi deri në ato momente të dyja skuadrat ishin treguar 100% të sakta. Këtë herë penalltitë i buzëqeshën skuadrës së Klopp që 10 ditë më parë po me 11-metërsha humbi Community Shield ndaj Manchester City-t.
Në Besiktas Arena, 90 minutat e kohës së rregullt dhe 30 minutat e shtesës nuk prodhuan fitues pasi u mbyllën në barazim 2-2. Sfida e zhvilluar në Stamboll mes dy superfuqive të futbollit anglez ishte vërtetë spektakolare dhe i përmbushi të gjithë pritshmëritë, pasi prodhoi pothuajse gjithçka, gola, gola të anulluar, shtylla dhe pritje fantastike nga të dy portierët por sidomos nga Kepa Arrizabalaga.
Pjesa e parë foli më shumë për Chelsean që ishte më kërkues dhe pasi goditi traversën me Pedron, në minutën e 36-të zhbllokoi shifrat me Giroud që mposhti Adrian pas asistit perfekt që mori nga Pulisic. Në fundin e pjesës së parë talenti amerikan i bluve shënoi edhe golin e dytë për Chelsea-n por finalizimi i tij u anullua për pozicion jashtë loje. Fillimi i pjesës i dytë ishte i gjithi për Liverpoolin që barazoi menjëherë shifrat pas një kombinimi perfekt të dyshes Firmino-Mane me këtë të fundit që mposhti Kepën. Në të 75-ën portieri spanjoll bëri një ndërhyrje deçizive ndaj Van Dijk i ndihmuar edhe nga traversa ndërkohë që një tjetër gol iu anulua Chelsea-t për një pozicion jashtë loje të talentit Mason Mount.
Me rezultatin 1-1 u mbyll koha e rregullt, ndërsa 5 minuta pasi kishte filluar shtesa e parë, Liverpooli gjeti sërish avantazhin me Sadio Mane, por festa e The Reds nuk zgjati shumë pasi arbitrja franceze Frappart akordoi një penallti për Chelsea-n për një faull të portierit Adrian ndaj sulmuesit Abraham. 11-metërsh që e kthehu në gol Jorginho. Me rezultatin 2-2 përfundoi dhe koha shtesë ndërkohë që te penalltitë fati i buzëqeshi skuadrës së Klopp.