Kreu i Lëvizjes Besa në Maqedoninë e Veriut Bilall Kasami komenton s k a n d a l i n e korrupsionit që përfshiu Maqedoninë e Veriut ku në p r a n g a gjatë muajit gusht ra p r o k u r o r j a speciale Katica Janeva. Gjatë një interviste për emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri në News24, Kasami thekson se ky s k a n d a l korrupsioni mund të p e n a l i z o j ë në moshapjen e negociatave me BE-në jo vetëm Maqedoninë e Veriut, por edhe Shqipërinë. Kasami thekson se në këtë s k a n d a l është implikuar edhe emri i kryeministrit Zaev që sipas tij duhet të sqarojë pozicionin e tij ose të japë dorëheqjen. Sipas politikanit shqiptar të gjitha mundësitë janë që Maqedonia të shkojë në zgjedhje të parakohshme ndërsa për sa i përket zërave se Besa mund të hyjë në koalicon me partinë VMRO-DPMNE të ish kryeministrit Gruevski, Kasami thekson se këto zëra janë të pavërteta.
Zoti Kasami, si është situata politike në Maqedoninë e Veriut, duke qënë se vendi pret edhe një vendim pozitiv në tetor për hapjen e negociatave me BE?
Ishte një situatë shpresëdhënëse pas gjithë atyre ndryshimeve që ndodhen, disa marrëveshje me fqinjët dhe ndryshimet kushtetuese, të cilat rezultuan edhe me përshpejtimin e procesit të integrimit në NATO, që besojmë dhe shpresojmë që se shpejti të përmbyllet në muajit në vijim. Çështja tjetër e rëndësishme ishte hapja e bisedimeve për në Bashkimin Europian. Përderisa procesi i integrimit në NATO kushtëzohej nga Greqia, procesi i integrimit në BE kërkonte dhe reforma dhe ndryshime rrënjësore në institucionet e këtij vendi. Këtu hasi sharra në gozhdë, nuk kishte shumë shpresë, veçanërisht duke u bazuar edhe në hamendjet e disa vendeve anëtare si Franca dhe Holanda, se është e gatshme Maqedonia e Veriut për të qenë anëtare në familjen europiane. Por zhvillimet e fundit të verës rreth prokurorisë speciale po i shuajnë edhe shpresat e fundit se Maqedonia e Veriut në tetor do të marrë një ftese pozitive.
Deri para një muaji Maqedonia e Veriut kishte më shumë shpresë se Shqipëria në fakt për hapje negociatash, a mund të themi dhe sot të njëjtën gjë?
Sot me zhvillimet e fundit rreth Prokurorisë Speciale dhe korrupsionit të nivelit të lartë, ky pozicion i favorshëm i Maqedonisë së Veriut po humbet, përballë Shqipërisë. Para verës kishte zëra të fuqishëm të establishmentit maqedonas se hapja e bisedimeve bashke me Shqipërinë do ta penalizonte Maqedoninë e Veriut sepse disa vende kishin hamendje rreth Shqipërisë. Tani po ndryshon situata dhe me këto zhvillime rreth prokurorisë speciale, që për të informuar publikun shqiptar, tanimë ajo që duhet të luftonte korrupsionin në nivele të larta, Katica Janeva tani është në burg. Dhe për ironi të fatit është në burg për korrupsion, zhvatje dhe për akte të cilat ajo duhet t’i luftonte. Por problemi është edhe më i thellë sepse lidhjet e saj me pushtetarë të qeverise aktuale kanë qenë aq të fuqishme, sa që ka rrezik që të bjerë qeveria nëse shkohet deri të fund të këtij rasti. Ose që të mbyllet dhe të mbulohet gjithë kjo situatë, por atëherë do të ketë rrezik që vendet anëtare të Bashkimit Europian të mos pajtohen me një mbulim të korrupsionit atje. Dhe të humbim shansin që në tetor të marrim ftesë pozitive. Shqipëria nuk ka asnjë zhvillim dramatik për të përkeqësuar situatën, por në këtë rast për ironi të fatit mund të bëhet shkak Maqedonia që këto dy vende të mos marrin ftesë në tetor.
Ju përmendët skandalin e korrupsionit që ka përfshirë Maqedoninë e Veriut. A ka shqiptarë të përfshirë?
Funksionarët, pushtetarët shqiptarë kanë qenë të përfshirë që në fillim, në situata të tilla. Zëri i opozitës shqiptare andej ka qenë që të procesohen edhe dosjet nga prokuroria speciale në të cilat ishin të përfshirë shqiptarë. Për informim të opinionit shqiptar, ne kemi një dosje të hapur me emrin “Pacienti”, dhe është zv/kryeministri për çështje europiane që është Bujar Osmani. Asnjëherë opinionit nuk ju prezantua për çfarë kishte të bënte. Vetëm për t’i hedhur hi syve opinionit iu tha se është hapur një dosje e tillë dhe mbeti aty ku ishte. Kemi dosje të hapur për keqpërdorime të zgjedhjeve e cila gjithashtu dilte nga përgjimet që procesonte prokuroria speciale. Janë të përfshirë deputetë dhe funksionarë të partisë shqiptare, por nuk u procesuan asnjëherë me një vendim gjyqësor. Pra prokuroria speciale tregoi që në fillim që ishte e kapur nga pushteti, por zhvillimet e fundit treguan që kjo kapje kishte të bënte me zhvatjen e afaristëve të cilët kishin dosje të hapura, apo që kishin rrezik që t’ju hapeshin dosjet nga prokuroria speciale. Prokuroria speciale në vend që të procesojë dosjet veçanërisht ku ndërlidheshin politikanë pushtetarë aktuale, ajo merrej me zhvatjen e afaristëve për të cilët kishte indikacione që mund të kishin bërë shkelje fiskale dhe të cilëve ju kërkonte para për tua mbyllur dosjet. Mandati i prokurorisë speciale ishte i kufizuar, në 15 shtator i mbaronte Janevës mandati. Nga vetë momenti që është një ligj special me një afat të përcaktuar. Mjaftonte që prokuroria speciale të mos vepronte për dosje të caktuara që ato të mbylleshin. Ishte një situatë shumë e favorshme që të zhvateshin politikanë e afaristë të ndryshëm, të cilët ishin të gatshëm të jepnin para të majme që të mbronin biznesin e tyre. Ne e pamë që në një çantë ishin të paketuara 1.5 milionë euro për të ashtuquajturin Boki13 i cili kishte lidhje edhe me prokurorinë speciale edhe me pushtetarë.
Në përgjime përmendët edhe emri i kryeministrit Zaev, a implikohet ai?
Sigurisht që është implikuar në disa raste, ku në mënyrë të drejtpërdrejtë aktori kryesor i rastit “zhvatja”, Boki 13 e ka përmendur se lidhjet e tij shkojnë deri te kryeministri. Kryeministri në asnjë moment nuk e ka bindur opinionin se nuk është i përfshirë në këtë situatë. Deklaratat e fundit të tij ishin deklarata skandaloze. Ai ka një shqetësim të madh të cilin ose duhet ta ndajë me opinionin ose duhet të japë dorëheqje dhe të shkohet në një qeveri të re.
Parashikoni zgjedhje të parakohshme në Maqedoninë e Veriut?
Sigurisht që Maqedonia e Veriut do të ketë zgjedhje të parakohshme, është çështje kohe. Opozita ku ne bëjmë pjesë kërkon të mbahen në pranverë të vitit 2020, diku në fillim të prillit ose diku nga fundi i majit. Disa zëra nga partitë në qeveri kane ofruar tetorin, disa kane ofruar edhe qershorin. Janë të gatshëm, por është çështja e kohës se kur do të jenë.
Kam lexuar se keni arritur marrëveshje me partinë VRMNO-DPMNE të ish-kryeministrit Gruevski, sa e vërtetë është?
Nuk është e vërtetë. Ne si parti opozitare kemi komunikim të rregullt me partitë opozitare. Për hir të së vërtetës Lëvizja Besa ishte një ndër aktorët kryesorë në rënien e qeverisë të ashtuquajtur diktatoriale të Gruevskit, qeverisë paraprake. Përveç pjesëmarrjes së aktivistëve tanë, funksionarëve të strukturave me të larta të Lëvizjes Besa në revolucionin e ashtuquajtur laraman, Lëvizja Besa i priu dy protestave të fuqishme shqiptare, me flamurin kuqezi, për të ngritur zërin shqiptar kundër asaj qeverie. Ne pritëm që qeveria e Zoran Zaev përveç që t’i zgjidhe problemet me fqinjët, Bullgarinë dhe Greqinë, ajo të zgjidhë dhe çështjet e hapura shqiptare. Por fatkeqësisht ai nuk u tregua i guximshëm, që këtë problem esencial ndëretnik të shqiptarëve dhe maqedonasve, si dy komunitetet më të mëdha në Maqedoninë e Veriut , ai ta mbyllë këtë problem.
Ai fatkeqësisht edhe me disa zgjidhje të mangëta, si përdorimi i gjuhëve, që në mënyre parciale zgjidh përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, në kërkuam që zyrtarizimi i gjuhës të jetë i plotë, në Kushtetutë ashtu siç është gjuha maqedonase të jetë edhe gjuha shqipe. Edhe për shumë çështje të montuara kundër shqiptarëve, siç është rasti Monstra, apo rasti i Kumanovës nuk u zbardhen ashtu sië premtoi kryeministri. Prandaj ne ashtu siç kontribuuam në rënien e Gruevskit, ne do të angazhohemi fuqishëm që edhe kjo qeveri të shkojë dhe të vijë një qeveri që të jetë pro një komunikimi normal mes dy komuniteteve më të mëdha në Maqedoninë e Veriut. Që shqiptarët njëherë e përgjithmonë të jenë popull themeltar të Maqedonisë së veriut sepse atë e tregojnë edhe me autoktonësinë e tyre, por edhe me numrin e konsiderueshëm që janë, sipas edhe statistikave zyrtare, që shkon mbi 25%, por ne besojmë që shkon mbi 35%.
A do të ishte VRMNO-DPMNE një alternativë e mirë për të zgjidhur çështjet e shqiptarëve?
Ne nuk kemi ndonjë marrëveshje konkrete me VRMNO-DPMNE. Por si parti opozitare kemi komunikim edhe për çështje që kanë të bëjnë me ligjet ku ne duhet të kemi qasje opozitare. Më konkretisht ligji për kodin zgjedhor e imponon bashkëpunimin e partive opozitare edhe në drejtim të koordinimit të aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve dhe shumë çështje të tjera të cilat ndërlidhen me pozicionin tonë dhe bashkëpunimin e komunikimin e natyrshëm si parti opozitare. Nuk kemi ndonjë shpresë se me VRMNO-DPMNE mund t’i zgjidhim çështjet e hapura të shqiptareve, veçanërisht përderisa VRMNO-DPMNE edhe më tutje vazhdon të qëndrojë fuqishëm në pozicionet e saj nacionaliste. Ne kemi kërkuar dhe urojmë që në krye të kësaj partie politike të vijë një lidership i cili do ta kuptojë njëherë e përgjithmonë se Maqedoni nuk mund të ketë pa shqiptarë.
Çfarë synimesh ka Lëvizja Besa për të ardhmen?
Lëvizja Besa ka për synim që Maqedonia të jetë një shtet i barabartë i të gjithë qytetarëve të saj. Shqiptarët janë një faktor i rëndësishëm në Maqedoni dhe përderisa shqiptarët nuk e marrin pozitën e tyre që të kontribuojnë në Maqedoninë e Veriut, Maqedonia e Veriut do të jetë një shtet i mangët një shtet i cili nuk i shfrytëzon resurset e saj humane ashtu siç duhet. Sepse sot ne i kemi shqiptarët, të cilët nuk janë prezent në institucionet shtetërore dhe më tutje flasim për përfaqësim adekuat të shqiptarëve të cilët duhet të japin kontributin e tyre si në administratën shtetërore ashtu edhe në biznese, ku janë treguar se janë të aftë të bëjnë biznes dhe kjo të kontribuojë në rritjen ekonomike të Maqedonisë. Pra Lëvizja Besa synon shqiptarët te barabarte për një Maqedoni Europiane.
Në fakt ju keni dhe kryetarin e parlamentit që e keni një shqiptar, ndërkohë shqiptar nuk arriti të ishte presidenti i Maqedonisë së Veriut. Ju si e patë këtë?
Lëvizja Besa bashkë me aleancën për shqiptarët kandiduan një shqiptar për zgjedhjet presidenciale, ishte një profesor të cilin të gjithë e respektonin, profesorin Blerim Reka. Ne ju futëm garës seriozisht për të treguar se shqiptarët janë të aftë të udhëheqin me shtetin me njerëz kredibël, të cilët do t’i zgjedhë populli, jo njerëz që do të dalin nga kuzhinat e marrëveshjeve politike siç ndodhi me kryeparlamentarin, i cili në vend që t’i shërbejë qytetarëve, parlamentit, ai është në shërbim të partive politike që ja mundësuan të jetë në krye të këtij institucioni. Zgjedhjet presidenciale treguan se faktori shqiptar vazhdon të mbetet i rëndësishëm aty, sepse në raundin e dytë në balotazh vendosën votat e opozitës shqiptare, votat e Lëvizjes Besa, dhe këto vota vendosen që sot të kemi Pendarovskin.
VIDEO: Kasami: Skandali i korrupsionit në Shkup mund të penalizojë edhe Shqipërinë për negociatat