Ballina Aktualitet Shkupi, kryeqyteti tretë më i ndotur në botë (VIDEO)

Shkupi, kryeqyteti tretë më i ndotur në botë (VIDEO)

Dje ishim të pestit, sot dolëm të tretët në nivel botëror për cilësinë e ulët të ajrit. Sipas matjeve të mëngjesit, në kryeqytet dendësia e grimcave PM10 ka arritur 167 mikro gram në metër kub. Para Shkupit janë vetëm Lahora e Pakistanit me 316 (µg/m3) dhe New Delhi i Indisë me 330 (µg/m3).

“Në fillim të këtij sezoni dimëror për të bartur dorashka nuk ka nevojë nga temperaturat e larta, madje edhe mungesa e shiut ka bërë që mos të marrim ombrellë me vete. Por, tek qytetarët gjithnjë e më shpesh po shihet bartja e maskave kundër ndotjes së ajrit, e cila është bërë shumë evidente ditëve të fundit në kryeqytet”.

Qytetarët me kritika të ashpra ndaj keq menaxhimit të situatës nga institucionet kompetente.

“Jo be vëlla se në Ish-Jugosllavi gjitha oxhaqet e fabrikave kanë tymosur dhe s’kemi pas problem! Pse tani që asnjë fabrikë nuk punon ajri na qenka i ndotur? Prej ndërtesa të larta dhe prej kur se diga e Kozjakut që u ndërtua, infrastruktura ndryshoi, ndërtesat mbijnë brenda natës kur të zgjohesh ditën objektet e mëdha si lugetër. Ky është problemi që edhe ajri nuk ka se nga të lëviz”.

“Pjesë e këtij problemi është edhe ngrohja me dru, por disa djegin goma, plastika dhe materieje të ndryshme për tu ngrohur. Varet se si mund të gjinden, dikush që nuk ka para çfarë të bëj normale se do të djeg letra, por ky është problem i kamotshëm që po helmohemi me ajër të ndotur”.

Disa prej tyre ankohen edhe për problemet shëndetësore që u shkaktohen nga ndotja e ajrit.

“Po ndjehet, si jo! Unë për vete nuk e kam atë problem, por të shtëpisë sime ankohen për problemet shëndetësore si me kollitje dhe vështirësi në frymëmarrje”.

“Ka shumë njerëz që vuajnë nga ato sëmundje, kështu që është problematike. Me të vërtetë edhe me sy të lirë po shihet se ajri është i ndotur”.

Nga 7 pikat matëse të kryeqyteti, pajisja në Karposh mbetet jashtë funksionit. Nga Qyteti i Shkupit prej dy vjetësh u paralajmëruan dhjetëra masa, por sipas Laboratorit të reporterëve hulumtues, deri më tani vetëm njëra u realizua, siç thuhet ndalimi i spërkatjes së bulevardeve me Acetat kalcium-magnezi. Autoritetet thonë se 57% e ndotjes vjen nga ngrohja e amvisërive dhe 28% vjen nga automjetet dhe industria e rëndë.

“Nuk besoj se fajtorë janë qytetarët, sigurisht që është tek institucionet sepse nuk kontrollojnë firmat që djegin mazut për ngrohje. Nuk është vetëm te ne, ndotje kemi edhe në vendet fqinje por këtu tani para fushatës zgjedhore i hedhin fajin njëri-tjetrit”.

“Shoh atje ku jetoj në Radishan, djegin çfarë të mundin, edhe po t’iu bësh vërejtje sërish vazhdojnë tu vënë zjarrin gjërave të ndaluara. Me ndotjen e ajrit fajtor është faktori njeri. Ne kot themi se shteti duhet të merr masa, përderisa vetëdija e qytetarëve është e ulët për ta ruajtur ambientin”.

Sipas të dhënave nga matjet e vazhdueshme të cilësisë së ajrit nga Sistemi për monitorim automatik, mbi pragun e lejuar të grimcave PM10 në një metër kub sot janë regjistruar në dhjetë lokacione të vendit. Indeksi i matjeve të Ministrisë së mjedisit jetësor tregon që pragun prej 50 µg/m3 të grimcave PM10 vazhdojnë prej disa ditës ta kalojnë për trefish, 3 qytetet më të mëdha në vend. Përveç Shkupit, Tetova sot u gdhi me dendësinë e 186 µg/m3, kurse Kumanova në mëngjes arriti në nivelin më të lartë të 170 të grimcave PM10. Sipas parametrave botërorë këto janë limitet e skajshme me ngjyrë të kuqe, të cilat tregojnë rrezikshmëri të lartë për shëndetin nga ndotja e ajrit.

https://youtu.be/TJyug12XvO4

https://youtu.be/SqLufapcPFo