U desh të vinte java e 15, që Juventusi të pësonte humbjen e parë sezonale dhe e bëri këtë mbrëmjen e sotme në “Olimpico” përballë Lazios, që nga ana tjetër po kalon një moment të shkëlqyer me plot 7 fitore radhazi në kampionat.
Kryeqytetasit arritën të triumfojnë me rezultatin 3-1 përballë Juventusit, duke përmbysur disavantazhin fillestar, ndërsa Juventusi, i mbetur me 10 lojtarë, nuk arriti të shmangë humbjen e parë këtë sezon.
Sfida nisi më mirë për Juventusin, që kontrollonte lojën dhe filloi të shohë shpesh nga kuadrati i Strakoshës, derisa në minutën e 25-të ishte Cristiano Ronaldo, që u gjend në vendin e duhur dhe shtyu në rrjetë një pasim të ardhur në zonë, duke kaluar bardhezinjtë në avantazh.
Goli zgjoi Lazion, që filloi të marrë kontrollin e lojës dhe përpjekjet u shpërblyen në minutën e parë shtesë, teksa pas një krosimi në zonë, ishte Luiz Felipe që shtyu topin në rrjetë me kokë, duke çuar skuadrat në pushim me rezultatin e barabartë 1-1.
Edhe pjesa e dytë ishte mjaft e luftuar dhe spektakolare, ndërsa më të bukur e bëri edhe gjyqtari Fabri, që ndërpreu shumë pak lojën deri në minutën e 69’, kur Juan Cuadrado bëri faull si lojtar i fundit ndaj Immobile dhe u ndëshkua me karton të kuq.
Me një lojtar më shumë në fushë, Lazio u hodh përpara dhe pas vetëm 5 minutash lojë, ishte Milinkoviç-Saviç që pas një vertikalizimi të Luis Albertos, ndali bukur topin në zonë dhe mposhti për herë të dytë portierin e Juves.
Pesë minuta më vonë Immobile pati mundësinë për të shënuar edhe golin e sigurisë, por gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, teksa Szczesny priti dy herë tentativën e tij për të dërguar topin në rrjetë, shkruan Super Sport.
Sarri provoi edhe kartën Higuain në minutat e fundit, por Juventusi nuk arriti të kërcënojë kuadratin e Strakoshës, ndërsa në minutën e katërt shtesë, në një zbritje të shpejtë, Lazio gjeti edhe golin e tretë me anë të sulmuesit Caicedo.
Feston Lazio fitoren e 7 radhazi, që e ngjit në kuotën e 33 pikëve, 3 më pak se Juve dhe 5 më pak se Interi, ndërsa edhe zikaltrit “fërkojnë duart”, pasi mbajnë kreun dhe e shohin veten dy pikë para kampionëve në fuqi.