Është ndarë nga jeta ditën e sotme shkrimtari, ish gazetari dhe diplomati Myftar Nuhi Gjana.
Si një ish dhjetorist, Myftari ishte një nga drejtuesit kryesor të Lëvizjes studentore në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe pjesëmarrës në grevën e urisë së shkurtit 91′.
Myftar Gjana njihej si një demokrat i orëve të para dhe aktiv në krijimin e Partisë Demokratike në rrethin e Kukësit.
Gjana ka botuar edhe disa vëllime me poezi si dhe ka përkthyer vepra të kolosëve si Eric Fromm, Hannah Arendt, Oscar Wilde apo Samuel Huntigton.
Njëri ndër udhëheqësit e Lëvizjes Studentore të 8 Dhjetorit 1990, Myftar Gjana ka ndërruar jetë ditën e sotme nga një sëmundje e rëndë. Lajmin e bën të ditur ish-deputeti demokrat Kreshnik Çollaku, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale shpreh ngushëllimet.
“Nje mik i diteve te dhjetorit,nje rrebel pa kompromise,nje mendje e shpirt i lire,Myftar Gjana,nga sot do te mungoje mes nesh. Qofsh ne Paqen e Zotit mik i mire”, shkruan Çollaku.
Gjana ka qenë një zë i fortë kritik në shumë çështje politike, por i përfshirë edhe si botues duke nxjerrë për herë të parë librat e Arshi Pipës.
Në vitet 1996 – 1997, ai ka punuar në Kuvendin Popullor në detyrën e Drejtorit të Departamentit të Informacionit dhe Dokumentacionit, ndërsa vitet e fundit ushtronte profesionin e tij si inxhinier.
***
Myftar Gjana lindi më 10 maj 1960 në qytetin e Peshkopisë. Gjimnazin e kreu në qytetin e Kukësit në vitin 1978, ndërsa studimet e larta i kreu në vitet 1986 – 1991 në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë. Nga viti 1991 – 1992 ka qenë kryeredaktor i gazetës “Kosova”, ndërsa në vitet 1992 – 1996 ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme si drejtor i Drejtorisë së Shtypit.
Në vitet 1993 – 1994 kreu Akademinë Mesdhetare të Studimeve Diplomatike në Maltë, ku fitoi edhe gradën “Master në Diplomaci”. Në vitet 1996 – 1997 ka punuar në Kuvendin Popullor në detyrën e Drejtorit të Departamentit të Informacionit dhe Dokumentacionit. Në vitet 2000 – 2001 ka punuar si administrator në Bibliotekën Kombëtare. Vitet e fundit është inxhinier në profesion të lirë.
Vepra të autorit
Elipsi i humbjes, poezi, 1993
Sa një pasthirrmë kam jetuar, poezi, 1995
Sa një pasthirrmë kam jetuar, poezi, ribotim i përmirësuar, 1997Njeriu në sferë – 2006
Përkthime:
Arti i të dashuruarit, Erich Fromm, 1997
Origjinat e totalitarizmit, politologji, Hannah Arendt, 2001
Poezi të zgjedhura, David Lourens, 2002
Ese të zgjedhura, estetikë, Oscar Wilde, 1998
Konflikti i qytetërimeve, politologji, Samuel Huntington, 2002