Numri i viktimave të koronavirusit në Itali ka shkuar në rreth 200 persona. Autoritetet konfirmuan 46 vdekje vetëm në 24 orët e fundit, një shifër alarmante dhe e krahasueshme me numrin e personave që humbën jetën brenda 24 orëve në Uhan të Kinës në ditët e para të shpërthimit të epidemisë.
Shifra nuk është ende zyrtare dhe autoritetet thanë se ajo jepej mbi bazën e dyshimeve, ndërkohë që duhen pritur analizat e mëtejshme për të zbuluar shkakun e vërtetë të vdekjes. Por, mjekët pranuan se të gjithë personat që humbën jetën në 24 orët e fundit kishin simptomat e koronavirusit, pra ethe, temperaturë të lartë, kollë të thatë dhe dhimbje artikulacionesh. Mosha mesatare e viktimave ishte 81 vjeç.
Ndërkohë, numri i të prekurve ka shkuar në mbi 4600 persona. Për t’u përballur me emergjencën e shkaktuar nga përhapja e epidemisë së koronavirusit në vend, Italia do të rekrutojë 20 mijë punonjës të rinj në shëndetësi. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të ditës së premte të qeverisë “Conte”.
Nga 20 mijë të rekrutuarit, pesë mijë janë mjekë specialistë të sëmundjeve infektive, 10 mijë janë infermierë dhe pesë mijë të tjerë punonjës socialë e sanitarë. Në dritën e zhvillimeve të reja duket çështje orësh që autoritetet italiane të zgjerojnë hartën e zonave me karantinë, kryesisht në Lombardi, kur është vënë re numri më i lartë i të prekurve nga virusi në fjalë. Për të përballuar kostot shtesë të rekrutimit dhe të zgjerimit të zonës së karantinës u miratua gjithashtu edhe një fond emergjence prej 600 milionë eurosh.
Të rekrutuari do të jenë kryesisht të sapodiplomuar, që nuk kanë kryer ende specializimin. Kjo do të tejkalohet nisur nga emergjenca e situatës. Veç kësaj, fondi prej 600 milionë eurosh do të shpërndahet për strukturat e qeverisjes vendore për të shtuar kapacitetet e trajtimeve intensive të pacientëve me virusin në fjalë përmes blerjes së makinerive dhe mjeteve të tjera të domosdoshme për përballimin e situatës. Synimi është që sistemi shëndetësor italian t’i dyfishojë kapacitetet dhe të jetë në gjendje që të trajtojë njëkohësisht me terapi intensive 7500 pacientë.
Mes vendimeve të tjera të miratuar nga qeveria italiane është edhe ai që u jep të drejtë gjyqtarëve që proceset gjyqësore t’i zhvillojnë me dyer të mbyllura dhe nëse janë mundësitë prania e publikut të shfaqet vetëm në distancë, përmes video-thirrjeve. Para kësaj mase, Qeveria miratoi një vendim që të gjitha aktivitetet sportive të zhvillohen pa praninë e tifozëve, duke i dhënë fund përplasjes mes federatës italiane të futbollit dhe klubeve mbi mbarëvajtjen e Serisë A dhe kalendarit të zhvillimit të ndeshjeve.
Virusi po përhapet me shpejtësi edhe përtej Atlantikut. Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se harta e shteteve të prekura nga virusi është zgjeruar me 26. Shteti i Floridas raportoi dy vdekje nga koronavirusi, duke e çuar numrin total të viktimave në 16 për SHBA.
Numri i personave të diagnostikuar pozitivë me virusin në fjalë ka shkuar në rreth 200 vetë. Pjesa më e madhe e tyre janë raportuar në brigjet perëndimore, kryesisht Kaliforni dhe shtetin e Uashingtonit, dy rajonet më të afërta gjeografikisht me Azinë dhe Kinën.
Sesa seriozisht e kanë marrë përhapjen e virusit autoritetet amerikane e përforcon vendimi i Presidentit Donald Trump që firmosi lëvrimin e një fondi rekord shtesë prej 8.3 miliardë dollarë për emergjencat.
Ndërkohë, në zhvillimet e tjera Vatikani, Serbia, Sllovakia, Peruja dhe Togo janë vendet që kanë raportuar rastet e para të të prekurve me koronavirus. Në Britaninë e Madhe një 80-vjeçar u bë viktima e dytë e epidemisë. Franca u bë shteti i parë që mbyll shkollat pa afat në zonat më të goditura nga epidemia, ndërsa Kanadaja njoftoi rastin e parë, që ishte një person që nuk kishte udhëtuar jashtë vendit në muajt e fundit dhe as kishte patur kontakte me persona që mund të ishin të infektuar.
Nga frika e koronavirusit, autoritetet në Maltë refuzuan ankorimin e një anijeje turistike me mbi 2 mijë pasagjerë në bord, pas lajmit të përhapur në mediat vendase se mes pasagjerëve kishte persona të infektuar me koronavirus. Qeveria i cilësoi lajme të rreme, por tha se kishte vendosur që të mos lejonte anijen në fjalë që të ankorohej në portet vendase për të qetësuar qytetarët. Anija “MSC Opera” ndryshoi destinacion duke iu drejtuar portit të Mesinas në Itali, ku pritet që të ankorohet ditën e diel.
Në të gjithë këtë panoramë të zymtë globale, lajmi i vetëm i mirë mbërrin nga Kina. Autoritetet vendase raportojnë ulje drastike të infektimeve të reja dhe të numrit të atyre që humbin jetën si pasojë e virusit. Përveç kësaj, autoritetet kineze thonë se rreth 70 për qind e të prekurve në total janë shëruar plotësisht nga virusi.
Sa i takon ekonomisë kineze, ekonomia e dytë më e madhe në botë koronavirusi ka tkurrur me 17 për qind eksportet në periudhën janar-shkurt, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. (si)