Ballina Bota “Defender Europe” nuk është një pushtim ushtarak amerikan

“Defender Europe” nuk është një pushtim ushtarak amerikan

Me manovrën gjiganteske ushtarake në Europë, Shtetet e Bashkuara po tregojnë qartë se nuk largohen prej saj. Përkundrazi, zënë hapësirën midis Moskës e Berlinit. Mesazhi për Putinin: Rusia të qëndrojë aty ku është.

Shtetet e Bashkuara mbajnë çelësat ushtarake të Europës. Në koherencë me strategjinë e tyre gjeopolitike, po kërkojnë që të frenojnë rivalët e tyre, Rusinë dhe Kinën në krye. Vendet e Kontinentit të Vjetër nuk kanë asnjë dëshirë të merren me sigurinë e tyre. Është midis këtyre tri konsideratave strategjike që duhet filluar për të kuptuar Defender Europe-20, manovër gjiganteske ushtarake e filluar gjatë këtyre ditëve në Europë dhe rreth së cilës kanë lindur teoritë më fantastike të komplotit dhe përshtypja e pabazuar e afërsisë së një lufte botërore. Megjithatë, manovra më e madhe ushtarake nga koha e Luftës së Ftohtë nxjerr në pah disa prej çështjeve themelore gjeopolitike dhe të pashmangshme të epokës tonë.

Le të fillojmë nga numrat, pasi të japin idenë e mobilizimit të madh. Shtetet e Bashkuara kishin parashikuar të dërgonin në Europë 20000 ushtarakë nga pothuajse gjysma e vendit (23 shtete nga 50), të cilës i shtohen 9000 tashmë të pranishëm në kontinentit tonë dhe 8000 të furnizuar nga 15 vende anëtare të NATO-s, përfshi Italinë. Totali: 37000. Më 11 mars, Komanda për Europën (EUCOM) ka njoftuar se, për të garantuar sigurinë e trupave, numri i ushtarëve do të reduktohet për shkak të pandemisë së koronavirusit. Gjithsesi, kjo është e dhëna e rëndësishme, manovra ushtarake do të zhvillohet njëlloj.

Nuk bëhet fjalë për ndonjë pushtim. Në Europë janë dislokuar në mënyrë të qëndrueshme mbi 66000 ushtarakë amerikanë, të vedosur në bazat e një dyzine të mirë vendesh, nga Spanja në Norvegji, nga Mbretëria e Bashkuar në Greqi. Vendet kryesore që i mbajnë janë Gjermania (më shumë se 35000 në 194 instalime) dhe Italia (rreth 13000 në disa dhjetëra struktura). Nuk është rastësi që janë të mundurit e Luftës së Dytë Botërore: nga Japonia në Kuvajt, është rregull që Amerika e fiton në fushë të drejtën për t’i dërguar trupat jashtë vendit.

E dhëna më e rëndësishme është se Amerika po stërvitet që të transportojë kontigjente masive në bregn tjetër të Atlantikut. Nuk është një operacion banal: gjithmonë logjistika është një prej shqetësimevve kryesore luftarake. Edhe në botën fatale të globalizimit, ku gjithçka duket menjëherë e disponueshme. Një prej çelësave të suksesit amerikan në tri luftërat (dy botërore dhe një të ftohtë) e ‘900 për dominimin e Europës ka qenë pikërisht aftësia për të dërguar në të njerëz, mjete dhe furnizime nëpërmjet oqeanit. Uinston Çërçilli e konsideronte betejën e Atlantikut midis karvanëve amerikanë dhe nëndetëseve gjermane si frontin më të rëndësishëm e konfliktit me Gjermaninë naziste.

Hapja e rrugës atlantike është emblemma e supremacisë amerikane mbi Europë, por rikthimi i Rusisë në një qasje ushtarake normale dhe nëndetëset e saj të fuqishme të ardhura nga Arktiku do t’i detyrojnë strategët e Uashingtonit që të mos e marrin për të mirëqenë. Pa emfatizime të kota: problemi nuk është edhe aq nëse Moska është apo jo kërcënuese (nuk është), është se tek primati në dete Amerika luan lidershipin e saj. Nuk mund të tolerohet që askush të përfaqësojë qoftë sadopak një rrezik mbi valët. Duhet të sigurojë vetveten se di t’i mbajë akoma të hapura. Për këtë arsye Marina amerikane ka nxjerrë nga sirtari taktikën e karvanëve dhe për Defender Europe ka vënë në dispozicion një aeroplanmbajtëse, nëndetëse dhe mjete nënujore rikonjicioni për të eskortuar anijet tregtare. Mbi të cilat janë ngarkuar sasira të mëdha armatimesh: 20000 pjesë, nga tanket tek mitralozët. Llogaritet se zënë një sipërfaqe prej 120000 metrash katrorë.

Përveç lirisë së rrugëve detare, Shtetet e Bashkuara duan të prekin atë të rrugëve tokësore. Nga portet e Bremenit (Gjermani), Anversës (Belgjikë) dhe Vliesigenit (Vendet e Ulëta), ushtarakë dhe armatime do të përshkojnë gjysmën e Europës për t’u stërvitur në Poloni dhe në tri republikat balltike. Do t’u bashkangjisin mjete të tjera, 12000 pjesë nga magazinat e Zutendalit në Belgjikë dhe Dulmenit e Manhajmit në Gjermani. Do t’i familjarizojnë me rrugë e hekurudha, ura dhe qafa shishesh (si gryka e Suwałki), duke kronometruar sa duhet për të shkuar nga A tek B, ku nevojitet të fuqizohen infrastrukturat sepse aty nuk kalohet. Do të parashutojnë trupa në vendet lindore e në Gjeorgji. Do të kryejnë 6 manovra të tjera ushtarake të vogla (Allied Spirit, Dynamic Front, Joint Warfighting Assessment, Saber Strike, Swift Response dhe Trojan Footprint), duke testuar mënyra të reja luftimi, sidomos ato që do të iintegrojnë dimensionin kibernetik dhe atë hapësinor.

Në nivel gjeopolitik, Defender Europe jep tri mesazhe.

I pari, Amerika nuk po e bind Europën, përkundrazi. Narrativë deri tepër e përhapur në vendet tona, në bindjen se Uashingtoni dëshiron që t’i përkushtohet ekskluzivisht Indo – Paqësorit, duke i braktisur impenjimet në këtë anë të botës. Por nuk është ajo që po ndodh. Nën Trump, trupat në kontinentin tonë janë rritur dhe fondet e alokuara Komandës Ushtarake për Europën (EUCOM) janë rritur. Defender Europe është pjellë e këtyre investimeve. Vetëm dy vite më parë nuk do të kishte qenë e mundur, ka pranuar Gjenerali Tod Wolters, Komandanti i EUCOM-it. Fakti që zhvillohet pavarësisht përhapjes së koronavirusit dëshmon sesa forcat e armatosura e konsiderojnë të rëndësishëm këtë gadishull për ekuilibrat botërorë. Kanë anulluar manovra të ngjashme, për shembull në Norvegji dhe në Korenë e Jugut. Jo këtë. Në emergjencë, Shtetet e Bashkuara zgjedhin Europën për t’u thënë rusëve dhe kinezëve se ushtarakët e tyre nuk do të tërhiqen. Veç të tjerash, asnjë qeveri europiane nuk do të donte që Amerika të largohej. As Presidenti francez Emmanuel Macron, që kur ka folur për “vdekjen cerebrale të NATO-s” synonte që të provokonte për të axhustuar ekuilibrat e brendshëm e Aleancës në favor të Parisit. Imagjino pastaj Gjermaninë, tepër e frikësuar nga e kaluara e saj e errët sa për të marrë përgjegjësi ushtarake. Amerika e ka krijuar një perandori europiane falë fitores në vitin 1945 dhe në Luftën e Ftohtë. Por është e ftuar edhe që ta bëjë nga vetë vendet tona.

I dyti, Rusia duhet të qëndrojë aty ku është. Manovra ushtarake zhvillon një funksion shkurajimi, frikësimi. Amerikanët kanë filluar ta mendojnë si të mundshme luftën në Europë. Nuk e kanë shpikur, është pasoja kryesore e krizës në Ukrainë e vitit 2014. Kur tentativa e Kievit, i inkurajuar dhe i mbështetur nga Perëndimi, për t’ju larguar sferës së Moskës e ka shtyrë Putinin që të marrë Krimenë dhe të dërgojë tanket në Donbas. Në lojë është pikërisht legjitimiteti për Kremlinin që të ushtrojë influencë në ish perandorinë e tij. Ajo që Shtetet e Bashkuara, për arsye sa strategjike, aq edhe sentimentale, synojnë t’ia mohojnë. Kështu, një Perde e Hekurt e re ka nisur të vendoset në kontinent. Vetë se kësaj radhe shkon përgjatë kufijve rusë dhe prodhon jostabilitet. Defender Europe rrjedh nga kjo strategji frenimi. Mban të impenjuar Moskën që të ruhet nga kundërshtari nga dera e shtëpisë.

I treti, Shtetet e Bashkuara po zënë hapësirën midis Moskës e Berlinit. Është Europa e mesit, kordon sanitar që ndan fizikisht dy fuqitë e mëdha e kontinentit dhe largon ankthin se mos arrihet ndonjëherë një mirëkuptim midis Rusisë dhe Gjermanisë. Duket e pakonceptueshme, duke parë sesa pak duhen Merkel dhe Putin. Megjithatë në histori të dy perandoritë e kanë përdorur reciprokisht njëra tjetrën, rigorozisht mbi lëkurën e vendeve në mes. Lufta e Ftohtë ishte saktësisht kjo: të shmangej që në duart sovjetike të binte e gjithë hapësira gjermanike, zemër e ekuilibrave të kontinentit. Në të mirë dhe në të keq. Defender Europe shërben për ta përfshirë territorin në lindje të Berlinit në disponueshmërinë e plotë strategjik të Uashingtonit. Kundëraltari ekonomik i tij është Iniciativa e Tri Deteve, e financuar shumë nga amerikanët për të krijuar infrastruktura rrugore, hekurudhore dhe energjitike në 12 anëtarët qendrolindorë e Bashkimit Europian, domethënë për t’i ndihmuar që të dalin nga varësitë ruso – gjermane dhe mbrojtur nga avancimi i Kinës.

Emëruesi i përbashkët i këtyre tri mesazheve është se kolektivitetet europiane nuk jnë padrone të zgjedhjeve të strategjisë ushtarake që i prekin drejtpërsëdrejti. Nga ky kusht gjeopolitik buron edhe shastisja popullore ndaj Defender Europe. Parisi dhe Berlini, për të mos folur për Romën, do të dëshironin një marrëdhënie më akomoduese me Moskën. Pasi i janë mjaft larg sa të mos ia kenë frikën një pushtimi, por mjaftueshëm afër sa të jenë të asgjësuara të parat në rast të një lufte Shtetet e Bashkuara – Rusi, që mund të çojë në përdorimin e bombës atomike. Megjithatë, ky kusht bie ndesh me një konstante tjetër të sshoqërive tona: mentalitetin mbizotërues pacifist dhe ekonomicist. Asnjëra nuk e ka një ushtri në gjendje që të luftojë e vetme. Asnjërës nuk i duhet të mendojë për sigurinë e vetes prej treçerekshekulli. Asnjëra nuk do të ishte të alokonte fondet gjigande e nevojshme, të rikuperojë shpirtin e dhunshëm që e mban gjallë një ndërmarrje të tillë.

Nën ombrellën mbrojtëse amerikane nuk rrihet edhe aq keq. Kurth i ëmbël i Europës.

(nga Limes)

Përgatiti

ARMIN TIRANA