Administrata Trump është përqëndruar tek hapja e ekonomisë dhe vendimet e shteteve për të lehtësuar kufizimet ndërsa po përballet me raste infeksionesh me koronavirus në mesin e stafit të Shtëpisë së Bardhë.
Të paktën dy punonjës të Shtëpisë së Bardhë janë testuar pozitive ndaj COVID-19, në mesin e tyre sekretarja e shtypit e Nënpresidentin Mike Pence. Një zëdhënës i zotit Pence tha se Nënpresidenti është testuar negativ dhe se nuk ndodhet në karantinë, por do të vazhdojë të ndjekë këshillat e njësisë mjekësore të Shtëpisë së Bardhë. Ndërkohë doktor Anthony Fauci, eksperti kryesor i Shtëpisë së Bardhë në luftën kundër koronavirusit, ndodhet në vetëizolim edhe pse është testuar negativ.
Dy anëtarë të tjerë të lartë të grupit të punës ndaj koronavirusin në Shtëpinë së Bardhë, shefi i Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve Stephen Hahn dhe drejtori i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Robert Redfield ndodhen gjithashtu në vetëizolim për dy javë, pasi kanë pasur kontakte me një person të infektuar.
Të hënën në SHBA u regjistruan më shumë se 1.3 milionë njerëz të infektuar nga virusi ndërsa rreth 80 mijë vetë kanë vdekur. New York, shteti më i goditur i SHBA me gati 27,000 të vdekur, pritet të rihapë disa biznese të premten, pas vendimesh të ngjashme në shumë shtete të tjera të cilat kanë pasur një numër më të vogël infeksionesh.
Si pjesë të planit për rihapje Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo urdhëroi testimin e detyrueshëm për koronavirus dy herë në javë për shtëpitë e pleqve në shtetin e tij. Në konferencën e tij të së dielës zoti Cuomo tha se azilet, rreth 600 gjithësej, të cilat nuk plotësojnë kërkesat e reja do të humbasin licensën. Të moshuarit përbëjnë një të pestën e rasteve të vdekjeve në New York ose rreth 5.300 persona. Zoti Cuomo është kritikuar për shpërfillje të kësaj grupmoshe një akuzë që ai e ka kundërshtuar. Sipas rregulloreve të reja, spitalet nuk do t’i nxjerrin pacientët qe vijnë nga azilet e pleqve, nëse ata nuk rezultojnë fillimisht negativ ndaj COVID-19.