Ballina Aktualitet Takim i liderëve për datë të re për zgjedhjet parlamentare: A do...

Takim i liderëve për datë të re për zgjedhjet parlamentare: A do të arrijnë partitë konsensus?

Në Kabinetin e presidentit Stevo Pendarovski sot do të mbahet takim i liderëve për terminin e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat u caktuan për më 12 prill, por u shtynë me dekret të Qeverisë për shkak shpalljes të gjendjes së jashtëzakonshme dhe përhapjes së Kovid-19. Liderët gjithashtu pritet që të flasin edhe për vazhdimin eventual të gjendjes së jashtëzakonshme, për gjendjen me koronavirusin në vend dhe rekomandimet e autoriteteve shëndetësore, dhe si të realizohet fushata dhe votimi, ndërsa të mbrohen qytetarët.

Në takimin e liderëve janë ftuar kryetarët e partive politike parlamentare nga pushteti dhe opozita, të cilët në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë fituar mandate të deputetit me lista të pavarura. Në takim do të marrin pjesë kryetarët e: LSDM-së – Zoran Zaev, BDI-së – Ali Ahmeti, VMRO-DPMNE-së – Hristian Mickoski, Aleancës për Shqiptarët – Ziadin Sela, Alternativës – Afrim Gashi, Lëvizjes BESA – Bilall Kasami dhe PDSH-së – Menduh Thaçi. Janë ftuar edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dhe kryetari i Qeverisë, Oliver Spasovski.

Zgjedhje për një muaj, në korrik apo në termin tjetër?

Nga takimi i sotëm te Pendarovski, pritet që të dalë zgjidhje për datën për zgjedhjet parlamentare, për të cilat partitë në pushtet dhe opozita kanë shprehur mendime të ndryshme ditëve të fundit. Për më tepër, edhe anëtarët e tanishëm dhe të mëparshëm të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) kanë shprehur qëndrime të ndryshme. Sidoqoftë, numri i pacientëve dhe përhapja e mundshme e mëtutjeshme e koronavirusit në vend, përfshirë edhe respektimin e masave nga qytetarët, do të “vendosin” për zgjedhjet parlamentare edhe kësaj here, mbetet për tu parë në ditët në vijim.

Takim i liderëve për datë të re për zgjedhjet parlamentare: A do të arrijnë partitë konsensus?

Partitë e pushtetit të udhëhequra nga LSDM në takim e të dielës dolën me qëndrim se zgjedhjet duhet të mbahen në mes të qershorit, duke përfituar nga lehtësimi i masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe për të stabilizuar pandeminë. Ky qëndrim, siç njoftohet nga koalicioni “Mundemi”, do të transmetohet në takimin e sotëm të liderëve.

Sipas liderit të LSDM-së Zoran Zaev do të ishte papërgjegjësi të rrezikohet shëndeti i qytetarëve dhe të shkohet në zgjedhje në vjeshtë kur pritet piku i ri i infektimit. Konsiderohet se duhet të shfrytëzohet gjendja kur piku i koronavirusit kalohet dhe kur intensiteti po ulet që të mbahen zgjedhjet sepse në kushte të tilla nuk ka rrezik për shëndetin e qytetarëve.

Kjo do t’i jepte mundësi shtetit që më mirë të përgatitet për valën e re me qeveri të zgjedhur politike dhe Kuvend dhe institucione funksionale që ekonomikisht më mirë të ballafaqohet me pasojat, dhe shtoi se nëse përsëritet kriza do të mbetemi jashtë çfarëdo lloj mundësish kushtetuese. Në takimin e liderëve Zaevi pret që të arrihet konsensus dhe të definohet data për mbajtjen e zgjedhjeve sipas rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse dhe të flitet për mënyrën e udhëheqjes së fushatës.

VMRO-DPMNE-ja opozitare, megjithatë, ende konsideron se për momentin zgjedhjet nuk janë prioritet i parë. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski deklaroi se janë për mbajtjen e zgjedhjeve këtë verë, por për zgjedhje të cilat nuk do ta rrezikojnë jetën e qytetarëve. Përsëriti se prioritet i partisë para së gjithash është shëndeti i qytetarëve, e pastaj zgjedhjet demokratike dhe korrekte.

Takim i liderëve për datë të re për zgjedhjet parlamentare: A do të arrijnë partitë konsensus?

“Që ta shohim se kur do të mbahen zgjedhjet dëshiroj t’i dëgjoj autoritetet shëndetësore dhe pastaj të udhëhiqem, e gjithashtu edhe kryetarin e KSHZ-së se sa kohë nevojitet për përgatitje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, tha Mickovski.

Konsideron se sipas normave juridike pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme nevojiten 60 ditë që të organizohen zgjedhjet.

“KSHZ-ja duhet të vendosë për skenarin në lidhje me mënyrën se si do të vijojnë aktivitetet zgjedhore. Praktikisht sa kohë u duhet atyre për të realizuar proces zgjedhor të drejtë dhe të besueshëm. Do t’ju kujtoj në këto zgjedhje, edhe pse qytetarët do të votojnë, dhe partitë politike do të kërkojnë mbështetjen e qytetarëve, unë duhet t’ju kujtoj se është e nevojshme të keni prani të besueshme të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE-së dhe ODIHR-it. Unë supozoj se ju e ndiqni situatën dhe e dini që kufijtë e BE-së mbesin të mbyllura deri më 14 qershor. Më tutje dua t’ju kujtoj gjithashtu që OBSH ka zgjatur afatin e shpalljes së pandemisë për tre muaj. Kështu që ka shumë faktorë që duhen analizuar para se të merrni një vendim përfundimtar”, sqaroi Mickoski.

Një nga nënkryetarët e VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski, dje në një deklaratë për mediat dje se partia opozitare do të paraqesë sot mbledhjen e liderëve planin e vet për tejkalimin e kësaj krize, e cila do të çojë në zgjedhje, por zgjedhje në të cilat do të jenë të sigurt se asnjë jeta e njerëzve nuk do të rrezikohet dhe asnjë njeri nuk do të preket nga koronavirusi ose do të humbasë jetën e tij.

Nga ana tjetër, LSDM dje riafirmoi qëndrimin e saj për mbajtjen e zgjedhjeve të shpejta, duke akuzuar VMRO-DPMNE-në dhe Mickoskin se kanë frikë nga ballafaqimi në zgjedhje sepse do të mposhten.

Takim i liderëve për datë të re për zgjedhjet parlamentare: A do të arrijnë partitë konsensus?

Realisht, si parti në pushtet, na përgjigjen zgjedhje sa më herët, por nuk paragjykojmë për kohën e mbajtjes. Duhet të merren parasysh të gjitha aspektet dhe kulmi eventualisht i dytë i pandemisë në shtator, e pastaj të merret vendim i duhur për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve, edhe pse disa dëshirojnë që kjo të ndodhë në dritaren mes dy kulmeve. Më me rëndësi për ne është që procesi zgjedhor të mos krijojë situatë që dikush të sëmuret, porositi zëvendës kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.

“Si BDI, ne tentojmë që as mos ta përmendim temën e zgjedhjeve, pasi prej në fillim njerëzit mendojnë se gjithçka ka përfunduar me masat për ballafaqim me koronavirusin dhe kështu lirohen. Ne jemi për zgjedhje në çfarëdo kohë, kur Komisioni për sëmundje infektive të prononcohet me qëndrim se zgjedhjet nuk do ta rrezikojnë shëndetin e qytetarëve dhe kur OSBE-ja do të konfirmojë se do të ketë vëzhgues të huaj. Le të thotë Komisioni kur të kalojë rreziku”, tha Osmani në emisionin Studio e hapur të TV24.

Ai theksoi se ka qenë te Instituti për shëndet publik, ku ka biseduar me Komisionin dhe shtoi se qëndrimi i tyre është se në këtë periudhë, nëse mbahen zgjedhjet, do të duhet të respektohen masat për mbrojtje nga koronavirusi, siç është mbajtja e maskave dhe dorezave dhe respektimi i distancës.

“Ne duhet politikisht të themi nëse është në rregull të mbahen zgjedhje në kushte të tilla. Megjithatë, them se nesër në takimin e liderëve do të vendosim se çka do të bëjmë. Zgjedhje në shtator dhe tetor i përgjigjen opozitës, ndërsa për Qeverinë është më mirë të ketë në qershor ose korrik, pasi ekziston mendimi se gjatë muajve të verës, njerëzit kanë më tepër disponim të votojnë. Në gusht shkojnë në pushime dhe askush nuk do të jetë këtu që të votojë. Në qershor ose korrik mund të ketë zgjedhje”, tha Osmani.

Sipas tij, nëse nuk ka vazhdim të gjendjes së jashtëzakonshme pas 16 majit, ka interpretime të ndryshme për kohën e zgjedhjeve, por kjo, siç thotë, është çështje e juristëve.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Armend Asllani, i ftuar në TV Tellma, duke iu përgjigjur pyetjes nëse mund të ketë ndryshim të orës policore deri më 23 maj. Në lidhje me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve, ai tha se do të ketë vend për diskutime për këtë temë, kur numri i pacientëve do të jetë nën pesë për qind për 14 ditë.

“Ne kishim ditë të caktuara nën pesë për qind të të diagnostikuarve, por dy ose tre ditë më parë, ndoshta ishte e rastësishme, ishte 10. Në ditët në vijim kishte numër, si p.sh dje, ishte 5,7 për qind, ndërsa sot kemi 14,5 për qind. Komisioni për sëmundje infektive nuk solli konkluzion se informacioni duhet të shkojë në Shtabin kryesor të krizës dhe në Qeveri për të vazhduar orën policore. Ajo që është diskutuar bazohet në protokollet dhe bazuar në ata përbërës kyçë, janë bërë edhe faza, si Enti i Rehabilitimit, për auto-shkollat, stërvitjet sportive që plotësojnë kushtet dhe mund t’i zbatojnë veprimet e tyre”, tha Asllani.

Takim i liderëve për datë të re për zgjedhjet parlamentare: A do të arrijnë partitë konsensus?

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptarë (PDSH) Menduh Thaçi beson se duhet të ketë zgjedhje në qershor. Ai theksoi në konferencën e sotme për shtyp se zgjedhjet janë të rëndësishme për rimëkëmbjen e ekonomisë në periudhën e ardhshme.

“Unë mendoj se pas festës së Bajramit (24 maj) pas 21, 22 ditësh të kemi zgjedhje. Është shumë e rëndësishme të kemi zgjedhje sepse përveç kësaj beteje me virusin, ne po përballemi edhe me një betejë të madhe, një betejë për rimëkëmbjen ekonomike të popullit tonë”, vlerëson Thaçi.

Për të mirën e qytetarëve, më së miri është që zgjedhjet të mbahen në fund të korrikut ose në fillim të gushtit. Me qëndrim të tillë, Alenaca për Shqiptarët do të shkojë në takimin e nesërm të liderëve te presidenti Stevo Pendarovski, tha sonte sekretari i përgjithshëm i partisë dhe kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

“Për Aleancën, datë e pranueshme për zgjedhje është fundi i korrikut ose fillimi i gushtit. Këtë vit rrallë dikush do të shkojë jashtë vendit në pushime, madje edhe vendet turistike do të jenë të kufizuara me numra. Shpresoj se do të gjejmë zgjidhje të përbashkët, pasi propozimi i LSDM-së nuk është korrekt, sepse Bashkimi Evropian pas 15 qershorit i hap kufijtë. Kjo nuk do të jetë korrekt ndaj qytetarëve, të cilët punojnë në vendet e huaja dhe nuk do të mund të vijnë të votojnë”, tha Taravari në emisionin Studio e hapur në TV24.

Për Aleancën për Shqiptarët, potencoi ai, nuk është problem të shkohet në zgjedhje edhe për 10 ditë, por, shtoi, për shkak të koronavirusit vlerësojmë se zgjedhje dhe fushatë duhet të ketë në periudhën kur ka temperatura më të larta, respektivisht në fund të korrikut ose në fillim të gushtit.

Mendime të ndryshme të ish-anëtarëve dhe anëtarëve aktualë të KSHZ-së

Rezultatin e takimit të liderëve për zgjedhjet e pret Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, edhe pse disa anëtarë të tij dolën me qëndrime të kundërta rreth procedurës zgjedhore.

Takim i liderëve për datë të re për zgjedhjet parlamentare: A do të arrijnë partitë konsensus?

Veprimet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare u ndërprenë me përfundimin e KSHZ-së më 22 mars të këtij viti, pasi Qeveria miratoi dekret me fuqi ligjore për të shtyrë zgjedhjet. Në të njëjtin konkluzion thuhet se të gjitha veprimet zgjedhore të ndërmarra deri më (22 mars) konsiderohen të vlefshme. Gjithashtu, theksohet se të gjitha veprimet e tjera të Kodit Zgjedhor do të parashikohen në në afatin e rishikuar, të cilin KSHZ-ja do ta miratojë pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe miratimit të një dekreti të ri të Qeverisë për procesin zgjedhor. KSHZ siguron dhe mirëmban dokumentacionin ekzistues zgjedhor deri në vazhdimin e zbatimit të veprimeve zgjedhore dhe zgjedhjet.

Deri në këtë datë, u konfirmuan listat e kandidatëve të partive, është bërë renditja në fletëvotime, por KSHZ nuk e ka përmbyllur Listën e Votuesve. Gjithashtu kanë skaduar edhe afatet e veprimeve të tjera. KSHZ gjithashtu duhej t’i zëvendësonte anëtarët e organeve zgjedhore nga institucionet e kujdesit shëndetësor për shkak të përhapjes së Kovid-19.

Pas gati një muaj e gjysmë, për shkak të situatës aktuale me Kovid-19 dhe masat për të parandaluar përhapjen e virusit, anëtarët e tanishëm dhe të mëparshëm të KSHZ-së dolën me qëndrime të ndryshme nëse dhe si të vazhdojnë procesin e zgjedhjeve dhe kur të mbahen zgjedhjet parlamentare, veçanërisht për shkak të pamundësisë për të mbledhje dhe vendimmarrje e deputetëve, gjegjësisht të Kuvendit, i cili u shpërnda në 16 shkurt.

Takim i liderëve për datë të re për zgjedhjet parlamentare: A do të arrijnë partitë konsensus?

Kryetari i KSHZ-së Oliver Derkovski, konsideron se procesi zgjedhor duhet të organizohet nga fillimi, me ricaktim të zgjedhjeve, që të mos mundet dikush ta kontestojë legjitimitetin e tyre.

Anëtari i KSHZ-së Boris Kondarko, megjithatë thotë se afatet zgjedhore duhet të vazhdojnë atje kur janë ndërprerë për shkak të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë nga Kovid-19.

Takim i liderëve për datë të re për zgjedhjet parlamentare: A do të arrijnë partitë konsensus?

Qëndrim të njëjtë paraqesin edhe kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe ish kryetari i KSHZ-së Aleksandar Novakovski, sipas të cilëve, menjëherë pas ndërprerjes së gjendjes së jashtëzakonshme, duhet të vazhdojnë aktivitetet për organizimin e zgjedhjeve atje ku janë ndalur, ndërsa liderët e partive, sipas rekomandimit të autoriteteve shëndetësore, ta dakordojnë termini për mbajtjen e tyre.

@tn.lajmelokale
@tetovanews