Familja e ish kryetarit të PPD-së, Imer Imeri ka reaguar ndaj keqpërdorimit të figurës së babait të tyre në kohë zgjedhjesh nga BDI dhe “kandidati për kryeministër”, Naser Zyberi. Ata bënë homazhe në fushatë parazgjedhore te varri i kryetarit legjendar të PPD-së, Imer Imeri, por familja e tij distancohet nga ky akt.
“Ne, familja Imeri, jemi thellë të indinjuar dhe nuk pajtohemi që të bëhen homazhe në varrin e të ndjerit Imer Imeri në kohë zgjedhjesh parlamentare nga asnjë subjekt politik që dëshiron të përfitojë poena politik dhe të ngrit imazhin e tyre me kalkulime të ulta politike. Angazhimi dhe kontributi i Dr. Imer Imerit në ndërtimin e shoqërise multietnike në Maqedoni është çështje që nuk mund të vlerësohet gjatë fushatës parazgjedhore. Ne, familja e të ndjerit jemi kundër veprimit të sotëm të Naser Ziberit i cili në kuadër të fushatës së tij elektorale bëri homazh te varri i babait tonë. Babai ynë la gjurmë në historinë e këtij vendi dhe iku nga kjo bote i pastër me idealet e tij. Me respekt, Familja Imeri”, thuhet në reagimin e familjes së ish kryetarit të PPD-së, i cili në vitin 2001 nënshkruajti Marrëveshjen e Ohrit.