Ai është një nga tre lojtarët që kanë luajtur dy prej ndeshjeve me rezultatin më të pabesueshëm në historinë e futbollit, jo vetëm të viteve të fundit.
Bashkë me portierin Manuel Neuer dhe mbrojtësin Jerome Boateng, Thomas Muller ka luajtur në fitoren e Gjermanisë 7-1 kundër Brazilit në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2014, por edhe në fitoren 8-2 kundër Barcelona-s në çerekfinalet e Champions League të premten në mbrëmje.
Madje në të dy rastet, Muller ka shënuar golin hapës, të një serie golash që do të bënin që këto dy ndeshje të mbeten në histori.
I pyetur për të krahasuar të dy takimet, 30-vjeçari tha: “Në atë fitore kundër Brazilit nuk kishim kontrollin e lojës si këtë herë. Luajtëm mirë atëherë, por kundër Barcelona-s ishte brutale mënyra sesi e dominuam takimin”.
Pas asaj fitoreje kundër Brazilit organizator të turneut, Gjermania do të fitonte edhe Botërorin, kundër Argjentinës së Lionel Messi-t, por me shumë më tepër vështirësi, me një gol të vetëm në kohën shtesë, shënuar nga Mario Gotze. Duke pasur këtë gjë në mendje, Muller shtoi:
“Jemi shumë të lumtur, por unë e di sesi është situata në turne të tillë. Gjithmonë pas një fitore të madhe gjërat vështirësohen. Duhet të jemi të lumtur, por të qëndrojmë me këmbë në tokë e të mendojmë për ndeshjen e radhës”.