Fushatë, mbledhje fondesh, debate, më shumë mbledhje fondesh, 2 konventa, prapë debate dhe në fund, votimi!
Zgjedhjet presidenciale në SHBA zhvillohen çdo 4 vjet, në të martën e parë të nëntorit, por dita e votimit është vetëm hapi i fundit i një procesi të gjatë që zgjat 1 vit. Fillon me zgjedhjet paraprake, me shtetet që votojnë mbi atë që duhet të jetë kandidati për secilën parti. Ka dy parti të mëdha politike me të cilat shumica e amerikanëve e identifikojnë veten; ajo republikane dhe demokrate.
Partia Republikane është në të djathtë të spektrit politik dhe mbështet qëndrime që konsiderohen më konservatore, ndërsa demokratët janë në të majtë dhe mbështesin qëndrime më liberale.
Çdo verë, secila parti zhvillon aktivitete njëjavore që quhen konventa për të zgjedhur zyrtarisht kandidatin e tyre për presidencën. Secili shtet do të dërgojë delegatë te konventa, të cilët veprojnë si përfaqësues të rezultateve në zgjedhjet paraprake. Kandidati që fiton shumicën e delegatëve do të pranojë zyrtarisht kandidimin.
Edhe vetë presidenti duhet të sigurojë riemërimin nga partia e tij. Por nëse ai ka shërbyer për dy mandate nuk mund të kandidojë sërish. Pas emërimit, kandidatët shkojnë drejt zgjedhjeve të përgjithshme. Ndërsa mund ta sulmojnë njëri-tjetrin gjatë fushatës do të mund të përballen vetëm ne debatin, 1 muaj para zgjedhjeve.
Kur më në fund vjen momenti i votimit ka trI mënyra për ta bërë; përmes postës për ata që nuk shkojnë dot te qendrat e votimit, përmes votimit të parakohshëm, disa ditë para zgjedhjeve dhe duke shkuar në qendrat e votimit në ditën e zgjedhjeve.
Historikisht, vetëm 50 deri në 60 për qind e personave me të drejtë vote marrin pjesë në zgjedhje.
Në Shtetet e Bashkuara, kandidati me shumicën e votave nuk fiton automatikisht. Vendi shfrytëzon një sistem të quajtur Kolegji Zgjedhor , i cili i jep çdo shteti një numër të caktuar votash. Numri i votave elektorale që secili shtet siguron, varet nga sa përfaqësues ka shteti në Kongres. Kandidati që siguron më shumë vota popullore në një shtet merr të gjitha votat elektorale e atij shteti, përveç Nebraska dhe Mainit ku shpërndahen sipas rezultatit kombëtar dhe në rajone.
Duhen 270 vota nga 538 për t’u bërë president. Disa shtete votojnë historikisht për republikanët dhe quhen shtete të kuqe, të tjera votojnë për demokratët dhe quhen shtete blu. Disa shtete janë të lëkundura, që do të thotë se votuesit janë lëkundur mes demokratëve dhe republikanëve në varësi të vitit zgjedhor.
Në një vit normal, kur rezultati është me diferencë bindëse, fituesi mësohet që pas mbylljes së qendrave të votimit. Por nëse është i ngushtë, kandidatët nuk mbajnë fjalimin e fitores apo të humbjes deri në mëngjes.
Nëse është shumë i ngushtë kandidatët mund të kërkojnë një rinumërim në shtete të caktuara.
Në vitin 2000, George Bush e fitoi shtetin e Floridas me vetëm 1700 vota më shumë. Pas një rinumërimi ishin vetëm 327. Dhe së fundmi, Gjykata e Lartë duhet të certifikojë rezultatet. Për shkak të Covid-19, votimi me postë u rrit në shtetet që përballeshin me sfida. Atje mund të duhen ditë të tëra për nxjerrjen e rezultateve. Pas gjithë kësaj, fituesi betohet në muajin janar dhe gati menjëherë njerëzit fillojnë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme.(A2)