Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ditën e sotme ka dhënë dorëheqjen për t’u paraqitur pranë Gjykatës Speciale në Hagë.
I ftuar në emisionin “Opinion” gazetari Baton Haxhiu tha që në fillim të fjalës së tij, se ajo çfarë i bën më shumë përshtypje janë datat 4 qershor dhe 4 nëntor, të lidhura me zhvillime të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Dy gjëra që më bëjnë përshtypje, janë dy data: 4 Qershor dhe 4 Nëntor. Dy data që kanë lidhje me zhvillimet në SHBA.
Kur po mbahen zgjedhjet në SHBA, krerët kryesorë të Kosovës bastisen”, u shpreh Haxhiu. Ai tha se ky veprim ishte paralajmëruar që pas datës 15 Tetor.
“Ka qenë e paralajmëruar që pas datës 15 Tetor, që aktakuzat do të vijnë për të gjithë liderët, për arsye se Presidenti i Kosovës në fund të tetorit, ka kërkuar nga Gjykata Speciale amendamentimin e kushtetutës së Kosovës për t’ja dhënë mandatin e dyfishtë dhe gjykata speciale e ka refuzuar këtë”, tha Haxhiu.
Haxhiu ka bërë me dije se përveç bastisjes së banesës së Jakup Krasniqit për plot 9 orë, e njëjta gjë ishte planifikuar edhe për Kadri Veselin.
Gazetari pohoi se avioni special me të cilin kanë fluturuar drejt Hagës tre liderët e UÇK, ka qenë i parkuar në Kosovë prej dy ditësh.
“Kadriut ia kanë fotografuar shtëpinë. Nuk e ka pasur familjen në shtëpi. Avioni ka qënë i parkuar dy ditë më herët,”-tha Haxhiu.