Ballina Top Lajm Teleskopi Hapësinor Kepler nxjerr rezultatet, NASA: Ka miliona planetë potencialisht të banueshëm...

Teleskopi Hapësinor Kepler nxjerr rezultatet, NASA: Ka miliona planetë potencialisht të banueshëm në galaksi

Galaksia jonë ka të paktën 300 milionë planetë potencialisht të banueshëm, sipas NASA-s.

Teleskopi Hapësinor Kepler, i Agjencisë Hapësinore Amerikane, kaloi nëntë vjet në një mision, ku identifikoi me sukses mijëra ekzoplanetë në galaktikë.

Por pyetja thelbësore e misionit ishte: sa prej këtyre planetëve janë të banueshëm?

Shkencëtarët në të gjithë botën analizuan të dhënat e Kepler dhe mendojnë se e kanë gjetur përgjigjen. Sipas hulumtimit të botuar në “The Astronomical Journal”, ekzistojnë afërsisht 300 milion planete potencialisht të banueshme në galaktikën tonë, që do të thotë se janë planetë shkëmborë të aftë të mbështesin ujë të lëngshëm në sipërfaqen e tyre.

“Kjo shifër është një vlerësim i përafërt por mund të ketë shumë më tepër”, tha NASA në një njoftim për shtyp.

Disa nga këta planetë mund të jenë mjaft afër për t’u konsideruar “fqinjë ndëryjor”, ku më i afërti është rreth 20 vite dritë larg nesh.

“Tani ne e dimë që një pjesë e mirë e atyre planetëve mund të jenë shkëmbor dhe të banueshëm”, tha studiuesi i NASA-s dhe autori kryesor i studimit, Steve Bryson.

Ky studim ishte një bashkëpunim global midis shkencëtarëve të NASA-s që punuan në misionin Kepler dhe studiuesve nga agjencitë ndërkombëtare duke filluar nga Brazili në Danimarkë.