Ballina Aktualitet Tetovë, 39 punonjës të arsimit pozitiv me Kovid-19, në spital 45 persona...

Tetovë, 39 punonjës të arsimit pozitiv me Kovid-19, në spital 45 persona në gjendje kritike

Gati 1000 raste aktive me kovid-19 janë aktualisht në Tetovë dhe 5 komunat përreth, nga fillimi i pandemisë në këtë rajon 114 persona kanë ndërruar jetë nga kovid-19. Pas mbledhjes së shtabit të krizës së Komunës së Tetovës sot, informojnë se në gjendje të rëndë në repartin infektiv në Tetovë aktualisht ka 45 persona të shtrirë, shkruan Portalb.mk.

Drejtuesit e Spitalit Klinik të Tetovës sot në shtabin e krizës kishin informuar se edhe pse kjo qendër klinike aktualisht disponon me kapacitete të nevojshme spitalore dhe në pjesën e personalit, ka 45 persona të shtrirë të cilët varen nga përkrahja e oksigjenit.

Florin Besimi, drejtor i Spitalit Klinik të Tetovës.

“Në Spitalin klinik të Tetovës 45 persona janë të shtrirë në repartin infektiv, kryesisht me simptoma dhe gjendje të rëndë shëndetësore të cilët janë të varur nga përkrahja me oksigjen. Ashtu si që informuan edhe autoritetet shëndetësore në nivel qendror, gjendja me covid19 paraqitet kritike, edhe pse Qendra klinike në Tetovë për momentin ende disponon me kapacitetet e nevojshme për sa i përket kapaciteteve spitalore si dhe personelit shëndetësor për të shërbyer pacientet me pasqyrë të mesme dhe të rëndë klinike” deklaruan nga Komuna e Tetovës.

Gjendja në arsimin e Tetovës në raport me kovid-19 është alarmante

Gjithsej 39 punonjës të arsimit në Tetovë janë aktualisht të infektuar me kovid-19, ndërkaq, pesë grupe klasore me nxënës janë në izolim shtëpiak, pra dhjetëra familje të izoluara për shkak se mësueset e tyre kanë rezultuar pozitiv.

Ahmed Qazimi nga Sektori për Arsim, Tetovë.

“Në çerdhet dhe shkollat fillore dhe të mesme në komunën e Tetovës gjendja aktuale lidhur me CVOID19 është me sa vijon. Në kopshtin për fëmijë Rinia në Tetovë kemi 2 raste aktive me covid19, ku bëhet fjalë për edukatorë që tani më gjenden në izolim shtëpiak.

Në shkollat fillore janë gjithsej 19 mësimdhënës pozitiv, kurse 5 grupe klasore me nxënës janë ne izolim shtëpiak.

Në shkollat e mesme 18 mësimdhënës janë pozitiv ndaj COVID19, por procesi i mësimit nga distanca zhvillohet sipas planit të paraparë, ku këtë javë ka filluar të realizohet notimi i parë dhe do të mbahen mbledhjet e para prindërore nga distanca” deklaruan nga shtabi i krizës së Komunës së Tetovës.

Nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) vazhdojnë me dënimet për mosmbajtje të maskës mbrojtëse.

“Gjatë 7 ditëve të kaluara, sipas të dhënave nga SPB – Tetovë për mos mbajtjen e maskave mbrojtëse janë shqiptuar urdhëresa për kundërvajtje për 428 persona, në përputhje me nenin 6 nga Dekreti përkatës i qeverisë. Gjatë kësaj periudhe, në rajonin e Tetovës, janë lëshuar 781 vendime të reja për izolim nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, kurse janë kryer kontrolle ndaj 1476 personave me vendime të tilla. Gjithashtu në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut gjatë një kontrolli të kryer në një objekt hotelerik në Tetovë në rrugën “Beliçica” është konstatuar mosrespektim i dekretit të qeverisë, gjegjësisht subjekti ka vazhduar me punë edhe pas orës 21:00” informoi Fatmir Rexhepi nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB).

Ku qëndron faji sipas Komunës së Tetovës?

Mbledhitë dhe ahengjet familjare janë një prej faktorëve të përkeqësimit të gjendjes epidemiologjike në vend sipas shtabit të krizës së Komunës së Tetovës, të njëjtët apelojnë që qytetarët të jenë më të përgjegjshëm në këtë aspekt.

“Një problem i cili vazhdon të përkeqësojë gjendjen epidemiologjike në vend, është edhe organizimi i mbledhive dhe ahengjeve familjare në hapësira të mbyllura. Apelojmë që qytetarët të jenë të përgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për seriozitetin e situatës në të cilën gjendemi, masat dhe kufizimet nga autoritetet kompetente të respektohen në përpikshmëri, sepse në të kundërtën organet e rendit dë të veprojnë me zero tolerancë, duke ndëshkuar konform ligjit të gjithë kundërvajtësit dhe qytetarët që veprojnë në kundërshtim me masat dhe protokolet në gjendje pandemie”

Ndryshe, nga Komuna e Tetovës gjithashtu bënë thirrje deri te mjekët amë që të mos zhvillojnë vizia shtëpiake, sepse një veprim i tillë, sipas tyre, është burim i shpërndarjes së infeksionit si dhe ju bënë thirrje subjekteve afariste që të respektojnë masat dhe protokollet mbrojtëse.