Zyrtarët e fushatës së Presidentit Donald Trump nisën një përpjekje të re ligjore këtë javë që synon të pengojë çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në shtetin e Pensilvanisë, ndërsa presidenti vazhdon të refuzojë fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden.
Në Ditën e Veteranëve, Presidenti Donald Trump vuri një kurorë me lule në varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit ndërsa Presidenti i zgjedhur Joe Biden vizitoi memorialin e të rënëve në Luftën e Koresë që ndodhet në Filadelfia.
Si zoti Trump ashtu edhe zoti Biden nuk bënë asnjë koment. Zoti Trump refuzon të pranojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit që parashkon zotin Biden si fitues. Në një postim në twitter Presidenti shkruante: “ne do të fitojmë”.
Me fitoren e zotit Trump në shtetin e Alaskës ai ka tashmë 217 vota elektorale, ndërsa zoti Biden 279. Për t’u shpallur fitues një kandidati i duhen minimalisht 270 vota elektorale. Numërimi nuk ka përfunduar ende në tre shtete, Arizona, Xhorxhia dhe Karolina e Veriut.
Krahas padive të ndryshme ligjore të paraqitura tashmë në disa shtete kyçe me pretendimin për manipulime me votat, zyrtarët e fushatës së zotit Trump kanë nisur një proces të ri gjyqësor që synon të bllokojë çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në Pensilvani.
“Është e mundur që nëse krijojnë shumë tymnajë dhe hedhin mjaftueshëm akuza e nxisin pasiguri, ata mund të bindin potencialisht institucionet legjislative të kontrolluara nga republikanët të caktojnë një grup rival anëtarësh të kolegjit zgjedhor, në kundërshtim me rezultatin e votimit në atë shtet. Ky do të ishte një hap jashtëzakonisht ekstrem. Do të ishte vërtet një grusht shteti kundër popullit amerikan dhe një shkatërrim i procesit demokratik”, thotë Paul Schiff Bergman, i universitetit George Washington
Ndërkohë dy shtete po shkojnë drejt rinumërimit, Uiskonsin dhe Xhorxhia.
“Një rezultat kaq i ngushtë, do të kërkojë një rinumërim të plotë me dorë në secilin qark. Kjo do të ndihmonte në krijimin e besimit. Do t’i kryejmë të gjitha në një, kontrollin, rinumërimin dhe rivlerësimin e votave“, thotë Brad Raffensperger, Sekretari Shteti i Xhorxhas.
Ekipi elektoral i zotit Trump e përshendeti vendimin. Drejtori i fushatës për komunikimin Tim Murtaugh tha se “ky është një hap i parë i rëndësishëm në proces për të siguruar që zgjedhjet ishin të drejta dhe se çdo votë e ligjshme do të numërohet”.
Deri më tani asnjë nga paditë ligjore të ngritura nga zyrtarët e fushatës së zotit Trump nuk kanë arritur të sigurojnë prova lidhur me pretendimin për mashtrime gjatë procesit të numërimit, diçka që demokratët janë të etur ta theksojnë.
“Ka kaluar një javë dhe presidenti është ende në kërkim të dëshpëruar për prova për manipulim. Ai nuk do t’i gjejë, sepse nuk ekzistojnë“, thotë Chris Murphy, Senator demokrat.
Edhe nëse zoti Trump do të shënojë sukses me disa prej proceseve gjyqësore apo me kërkesat për rinumërim, analistët thonë se kjo nuk ka gjasa të përmbysë fitoren e zotit Biden.
“Duket i arsyeshëm përfundimi në të cilin ka arritur media, si ajo e krahut të majtë apo e djathtë, se është e pamundur që zoti Trump të kompensojë defiçitin me të cilin përballet tashmë në shtetet kyçe si Pensilvania, Miçigani, Uiskonsin dhe Nevada“, thotë Rob Stutzman, ekspert i politikave republikane.
Sipas ligjit, anëtarët e kolegjit zgjedhor të çdo shteti duhet të votojnë zyrtarisht për presidentin dhe nënpresidentin në mesin e muajit dhjetor.(VOA)