Ballina Shëndeti Koronavirusi Imunologu tregon nëse jemi në kulmin e valës së dytë të pandemisë...

Imunologu tregon nëse jemi në kulmin e valës së dytë të pandemisë apo do të bëhet dhe më keq

Në 24 orët e fundit 711 persona janë infektuar me Covid, nga 2574 testime. Tirana mbetet vatra kryesore e infektimeve të reja, ndërsa më pas vjen Durrësi dhe Fieri. Ndërkohë në 3 spitalet Covid, kanë humbur jetën ditën e sotme 9 pacientë.

Mjeku imunolog Genc Sulçebe ka treguar se ende nuk e kemi arritur kulmin e valës së dytë të pandemisë në Shqipëri dhe se situata do të stabilizohet kur numri i njerëzve që e kanë kaluar infeksionin të jetë më i madh sesa numri i njerëzve që nuk e kanë kaluar.

Rudina Magjistari: A jemi në kulmin e fazës së dytë të pandemisë në Shqipëri, apo priten që të shtohen më shumë këto shifra?

Genc Sulçebe: Tani është vështirë ta përcaktojmë a jemi në kurbën ngjitëse, por jemi afër kulmit, pra jemi në një fazë ku infeksioni po përhapet sepse pjesa më e madhe e popullatës është akoma jo e imunizuar, jo e infektuar dhe për këtë arsye virusi domosdoshmërisht do shpërndahet.

Nga një person i infektuar, ai shpërndahet në të paktën tek 3 të tjerë të painfektuar. Meqënëse numri i të painfektuarëve është akoma më i madh sesa ata që janë infektuar ai do vazhdojë të shpërndahet derisa të arrihet në një moment ku është kulmi, në të cilin numri i atyre që janë të infektuar do jetë më i madh se numri i atyre që nuk janë infektuar.

Infeksioni do stabilizohet, por këtë besoj se do e arrijmë përmes vaksinës dhe nëpërmjet imunizimit natyral. Këto epidemi mund të vazhdojnë deri në 2 vjet.