Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, paraqiti të martën emërimet për anëtarët e parë të kabinetit të tij, që përfshijnë ish-zëvendës sekretarin e shtetit Antony Blinken në krye të Departamentit të Shtetit.
Zyrtarët e përzgjedhur, shumica e të cilëve do të kërkojnë konfirmimin e Senatit, u paraqitën me Zotin Biden dhe me Zëvendës Presidenten e zgjedhur Kamala Harris në një aktivitet të organizuar për këtë qëllim në Uilmington të shtetit Delauer.
Zoti Blinken ka lidhje të ngushta me Presidentin e zgjedhur Biden. Ai ka shërbyer në role të nivelit të lartë të sigurisë kombëtare kur zoti Biden ishte nënpresident gjatë administratës Obama.
Zoti Biden tha se përzgjedhja nga ana e tij e zotit Antony Blinken, do të rikthejë moralin dhe besimin në Departamentin e Shtetit, që përgjigjet për marrëdhëniet diplomatike të vendit.
Ndër emërimet e tjera për kabinetin e presidentit të ardhshëm Joe Biden, janë Linda Thomas-Greenfield, ish-ndihmës sekretare shteti, si ambasadore amerikane në OKB dhe Jake Sullivan si këshilltar i sigurimit kombëtar. Zonja Thomas-Greenfield, afrikano-amerikane, është eksperte e politikave ndaj Afrikës dhe ka qenë në post të lartë gjatë administratës Obama.
Zoti Biden përzgjodhi gjithashtu zotin Alejandro Mayorkas për të kryesuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe ish Senatorin John Kerry si i dërguar i posaçëm i Presidentit për klimën.
Avril Haines u emërua drejtore e inteligjencës kombëtare, gruaja e parë që do të shërbente në një rol të tillë. Ajo ka qenë nëndrejtore e CIA-s nga viti 2013 në 2015 dhe gjithashtu zv / këshilltare e sigurimit kombëtar.
Janet Yellen, ish kryetare e Rezervës Federale pritet të emërohet si Sekretare e Thesarit.
Megjithëse nuk janë të njohur gjerësisht nga publiku amerikan, ish-zyrtarët Blinken dhe Sullivan e kanë ndihmuar zotin Biden të hartojë strategjinë që do të përfshijë afrim të menjëhershëm me aleatët e Amerikës, pasi lindën antagonizma nga politika e Presidentit Trump “Amerika, e Para”. Strategjia e administratës së ardhshme demonstron gatishmërinë për t’iu përgjigjur bashkarisht problemeve globale, si pandemia dhe krizave ekonomike.
Presidenti i zgjedhur, Joe Biden është zotuar ta rikthejë vendin në marrëveshjen bërthamore me Iranin, nëse Teherani rifillon respektimin e termave; rikthim në Paktin e Parisit për klimën; anulimin e planeve për daljen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe anulimin e rregullores ekzistuese që nuk lejon mbështetjen me fonde federale të grupeve bamirëse që diskutojnë abortin. Këto masa do të anulonin politika të administratës Trump dhe disa prej tyre pritet të hyjnë në fuqi shumë shpejt pas inaugurimit të residentit të ardhshëm më 20 janar.
Në fjalën e tij të martën, presidenti i zgjedhur Biden u bëri thirrje senatorëve të konfirmonin të emëruarit e tij mbi një bazë dy-partiake, një njohje e nënkuptuar kjo e pengesave që Senati, i kontrolluar nga republikanët, mund t’i nxjerrë administratës së tij.
Presidenti i zgjedhur ndau vizionin e tij për një politikë të jashtme të bazuar mbi një rol udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në botë dhe mbi forcimin e aleancave në rajonin Azi-Paqësorit.
“Diplomat mes Diplomatësh”
Zoti Blinken, 58 vjeçar, ka ngritur prej kohësh nevojën që SHBA të marrë një rol udhëheqës në botë, duke komunikuar e bashkëpunuar me aleatët, përndryshe atë rol do ta marrin vende si Kina, që kanë interesa krejt ndryshe.
“Megjithëse mund të duket si barrë nganjëherë, alternativa, për sa u përket interesave dhe jetëve të amerikanëve, do të ishte shumë më e keqe,” tha zoti Blinken në një intervistë me agjencinë e lajmeve Reuters në tetor.
I pyetur nëse SHBA mund të dëshmojë përmirësim me zotin Blinken në postin e sekretarit të shtetit, në vend të zotit Mike Pompeo, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian e anashkaloi pyetjen duke thënë se nuk komenton për çështje të brendshme amerikane. Ai nënvizoi se Kina është e gatshme për përmirësim në komunikimin me SHBA.
Zoti Blinken nënvizoi se Kina ishte e gatshme të përmirësonte komunikimin, të forconte bashkëpunimin dhe të adresonte mospajtimet me SHBA.
Persona që e kanë njohur nga afër zotin Blinken, e quajnë “diplomat mes diplomatësh”, me një të folur të qetë, por me njohuri të forta mbi praktikat e detajet e politikës së jashtme.
Pasi kandidatja demokrate Hillary Clinton humbi zgjedhjet presidenciale në 2016, zoti Blinken ishte një ndër themeluesit e grupit konsulent WestExec Advisors që ofron këshilla mbi rreziqet gjeopolitike.
Zoti Blinken, i diplomuar si jurist, hyri në politikë në vitet 1980, duke ndihmuar për grumbullim fondesh kandidatin demokrat në zgjedhjet presidenciale, Michael Dukakis. Ai ishte një ndër ekspertët për përgatitjen e fjalimeve të ish-presidentit Bill Clinton si dhe më pas një ndër këshilltarët për sigurinë kombëtare. Gjatë administratës Obama, ai punoi për të kufizuar numrin e trupave amerikane të dislokuara në pjesën më të madhe të misioneve jashtë vendit.
Gjatë fushatës së zotit Biden, ai ka qenë një ndër këshilltarët e tij më të ngushtë, edhe për tema përtej politikës së jashtme. Ai njihet si person i besuar i zotit Biden, pasi ka punuar me të që në përpjekjet e tij të pasuksesshme për të konkurruar për president në 2008. Në fillim të mandatit të zotit Biden si nënpresident, Antony Biden punoi si këshilltar i tij për sigurinë kombëtare dhe si drejtor i stafit për Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë gjatë kohës që zoti Biden ishte kryetar i këtij komisioni.
Jake Sullivan ka punuar më parë si këshilltar i zotit Biden për sigurinë kombëtare, gjatë kohës kur ai ishte nënpresident. 43-vjeçari që është diplomuar në universitetin Yale, ka qenë po ashtu pjesëmarrës në programin prestigjoz Rhodes në Universitetin e Oksfordit dhe ka marrë emër se di të zgjidhë punë prapa skenave. Zoti Sullivan ishte pjesë e bisedimeve përmes kanaleve jozyrtare dhe manovrave që çuan në marrëvreshjen e vitit 2015 me Iranin, e cila u anulua nga Presidenti Trump.
Zoti Sullivan kishte në portofolin e tij një numër temash të politikës së jashtme e të brendshme, përfshirë probleme të shëndetit publik dhe përgjigjen ndaj goditjes së ekonomisë nga pandemia dhe u bë shumë shpejt pjesë e ekipit të tranzicionit për presidentin e zgjedhur Biden./VOA