Nëse krijohen kushte dhe nëse gjendja epidemiologjike është e volitshme, nxënësit në gjysmëvjetorin e dytë mund të kthehen në bankat shkollore, tha ministrja e arsimit, Milla Carovska. Sipas saj mënyra e deritanishme e zhvillimit të procesit arsimor jep rezultate dhe duhet vazhduar në atë drejtim.
“Ne zgjodhëm model hibrid, disa janë në shkollë, disa online ndërsa disa të tjerë, siç janë shkollat profesionale ku nevojitet mësim praktik janë edhe në shkollë edhe online. Unë mendoj se në këtë mënyrë duhet vazhduar edhe gjatë periudhës në vijim. Nëse krijohen kushte që të gjithë nxënësit të kthehen në shkollë, atë do ta bëjmë, megjithatë fjalën e fundit e kanë autoritetet shëndetësorë për shkak se ata i kanë njohuritë dhe konceptin për tejkalimin e pandemisë e cila paraqet problem shëndetësor për momentin”, deklaroi Milla Carovska – Ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Carovska theksoi se 90% të nxënësve dhe mësimdhënësve pa asnjë problem ndjekin dhe realizojnë mësim online.
“Tremujori i parë kaloi pa probleme më të mëdha, vlerësimi mbaroi. Të premten kisha takim me të gjithë drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme. Ata nuk thanë se ka pasur sfida, ndërsa nëse ka pasur ata i kanë tejkaluar së bashku me mësimdhënësit dhe me pjesë të familjeve, aq se sa nevojitej për të bërë vlerësim me prani fizike”, potencoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska.
Nga nxënësit që kanë ndjekur mësim me prani fizike, 76 kanë rezultuar pozitiv në virusin korona, ndërsa prej mësimdhënësve ka pasur 167 raste pozitive. Sipas saj, kjo tregon se protokollet zbatohen në tërësi dhe tani për tani virusi nuk përhapet brenda shkollave.