Shtetet e Bashkuara janë gati të vendosin sanksione ndaj Turqisë mbi blerjen vitin e kaluar të sistemeve ruse të mbrojtjes raketore S-400, thanë të enjten katër burime, mes tyre edhe dy zyrtarë amerikanë. Ky veprim mund të përkeqësojë marrëdhëniet tashmë problematike mes dy aleatëve të NATO-s.
Hapi i pritur prej kohësh, i cili ka të ngjarë të zemërojë Ankaranë dhe të ndërlikojë rëndë marrëdhëniet me administratën e ardhshme të Presidentit të zgjedhur Joe Biden, mund të shpallet në çdo kohë, thanë të njëjtat burime.
Sipas burimeve, sanksionet do të shënjestronin Industrinë turke të Mbrojtjes dhe kreun e saj, Ismail Demir.
Lira turke u dobësua pas njoftimit të këtij lajmi. Sanksionet amerikane mund të dëmtojnë ekonominë turke që tashmë po vuan për shkak të koronavirusit e po përballet me një inflacion dy shifror si dhe rezervat në monedhë të huaj të goditura rëndë.
Një zyrtar i lartë turk tha se sanksionet do të dështojnë dhe do të dëmtojnë lidhjet mes vendeve.
“Sanksionet nuk do të arrinin rezultat dhe do të prodhonim efektin e kundërt. Ato do të dëmtonin marrëdhëniet“, tha zyrtari.
“Turqia është në favor të zgjidhjes së këtyre problemeve me diplomaci dhe negociata. Ne nuk do të pranojmë masa detyruese të njëanshme“, shtoi ai.
Departamenti amerikan i Shtetit mund të ndryshojë planet e tij duke zgjeruar ose ngushtuar fushën e sanksioneve të planifikuara kundër Turqisë, një aleate e NATO-s prej dekadash.
Megjithatë burimet thanë se njoftimi i sanksioneve në formën e tyre aktuale ishte i pashmangshëm duke shtuar që Shtetet e Bashkuara e kishin humbur durimin dhe më në fund ishin të gatshme për të vepruar pasi kishin pritur për një kohë të gjatë që Turqia të ndryshonte kurs, duke e paralajmëruar atë mbi sanksione sipas ligjit.
Rusia ia dorëzoi Turqisë sistemet raketore tokë-ajër S-400 vitin e kaluar. Ankaraja i testoi ato në tetor.
Turqia tha se ato nuk do të integrohen me sistemet e NATO-s dhe se nuk paraqesin asnjë kërcënim ndërsa ka bërë thirrje për një grup të përbashkët pune mbi këtë çështje.
Por Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se S-400-t paraqesin kërcënim dhe vitin e kaluar arritën deri aty sa të njoftonin largimin e Turqisë nga programi i avionëve luftarakë amerikanë F-35, për shkak të vendimit të Ankarasë.
Avioni luftarak F-35 i kompanisë amerikane Lockheed Martin është avioni më i përparuar në arsenalin amerikan dhe përdoret nga anëtarët e NATO-s dhe vendet aleate të SHBA-së.