Ndërkohë që pritej konfirmimi se Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me votën e deputetit, Etem Arifi, e cila ishte vendimtare për krijimin e Qeverisë së Kosovës, nisi fushata në rrjetet sociale për “Albin Kurti kryeministër”.
Zyrtarë të VV kanë filluar të shpërndajnë fotografi të kreut të liderit të partisë ku shkruan ” Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës”.
Një postim të tillë e ka bërë ish-ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla. Postimi i tij në rrjetin social Facebook, ka marrë pëlqime të shumta brenda pak minutash.
Gjithashtu, nënkryetarja e LVV-së, Arbërie Nagavci ka shkruar se aktualisht kanë 51 përqind të votave.
“51% aktualisht, paramendo pas 40 dite”, thuhet në reagimin e Nagavcit në Facebook.
Theksojmë se vota e deputetit Arifi ishte vendimtare për formimin e Qeverisë Hoti, për të cilën LVV kishte pohuar se ishte e paligjshme.