Nga Karol Markowicz
Gjatë një konference për shtyp, guvernatori i Nju Jorkut Endrju Kuomo, prezantoi një tabelë duke na treguar se ku po përhapet aktualisht Covid-19. Rezulton se 74 për qind e rasteve të reja u kapën në tubimet e njerëzve në ambientet private. Ndërkohë, restorantet dhe baret përbënin vetëm 1.43 për qind të rasteve.
Megjithatë guvernatori ndaloi ngrënien në ambiente të mbyllura, sidomos në qytetin e Nju Jorkut, që ka shkallën e dytë më të ulët të rasteve të reja, dhe shkallën e dytë më të ulët të shtrimit në spital nga çdo rajon i shtetit. Ndaj a ka kuptim kjo masë? Sigurisht, që jo.
Rastet janë rritur ndjeshëm në shtetin tonë, disa muaj pasi Kuomo publikoi një kujtim duke festuar triumfin e tij mbi Covid-19. Ai duhet t`a ketë ndjerë se duhej të bënte diçka. Dhe diçka bëri.
Veprimet e tij – mbyllja e bizneseve që nuk ishin përgjegjëse për pjesën më të madhe të përhapjes së virusit – janë një simptomë e infantilizimit më të gjerë të popullit amerikan ndaj zyrtarëve të zgjedhur. Në fakt, politikanët kanë një pushtet të madh:pushtet mbi subjekte të cilat ata i konsiderojnë shumë budallenj për t’i kundërshtuar, apo për të marrë vendime racionale për veten e tyre.
Kuomo, vendimet e të cilit shkaktuan nivelin më të lartë të vdekjeve nga çdo shtet në SHBA, nuk po di tani se si të ngadalësojë përhapjen e Covid-19. Dhe ndërkohë ai vazhdon të japë urdhra jo-shkencore kundër bizneseve që tashmë janë në mëdyshje nëse duhet të qëndrojnë hapur apo të falimentojnë.
Dhe nuk është i vetëm në këtë qasje. Në një intervistë të fundit për CNN, presidenti i zgjedhur Xho Bajden na njohu me planin e tij për të luftuar përhapjen e Covid-19:Të gjithë do të mbajmë maska për 100 ditë! Deklarata e tij ishte e çuditshme, pasi që të gjithë tashmë po mbajmë maska.
Dhe kushdo që refuzon të mbajë maska në vende publike, ndoshta do duhet të fillojë tani me urdhër të Xho Bajdenit, teksa vaksinat janë në horizont. “Vetëm 100 ditë maska. Jo përgjithmonë, vetëm 100 ditë”- theksoi Bajden. Ky është udhëzimi më i paqartë i mundshëm. Kur të mbajmë maskë? Kur të flemë? Midis 2 kafshatave kur hamë? Në shtëpi me familjet tona?Ndoshta nëse autoritetet do të na jepnin udhëzime reale, të zbatueshme se si të mbrohemi, ne do të shihnim një rënie të përhapjes së koronaviusit.
Në vend të kësaj, sa herë që shifrat rriten, politikanët na tundin gishtin tregues në shenjë qortuese sikur të jemi fëmijë të këqij, edhe kur shumica prej nesh bën çmos për të ndjekur rregullat auto-kontradiktore dhe fyese të inteligjencës.
Do të ishte shumë më efektive nëse politikanët do të na thonin:“Mos e mbani maskën kur jeni jashtë, kur nuk gjendeni pranë askujt, por mbajeni atë në vende të populluara me njerëz”. Por ata nuk e thonë këtë, me sa duket duke menduar një sjellje më të rreptë. Gjithmonë me maskë, është më e mira.
Atëherë njerëzit nuk e marrim më seriozisht gjithë këtë çështje. Dhe nuk është vetëm çështja e maskës, por e të gjitha masave mbrojtëse në përgjithësi. Ne jemi lodhur nga rregullat e pakuptimta, dhe një sulm i pamëshirshëm ndaj mënyrës tonë të jetës.
Shkalla e shtrimeve në spital dhe vdekjeve në Nju Jork mbetet e ulët. Në fakt, shifrat janë të ngjashme me ato të shteteve si Florida, ku gjithçka është e hapur. E përse të vazhdojmë të ndjekim një politikë të dështuar të mbylljes?
Duke shkruar për “Los Angeles Times” javën e kaluar, Somia Karlamangla tha se njerëzit thjesht nuk po e dëgjojnë më këshillën për të qëndruar në shtëpi. “Mesazhi funksionoi për të ulur kurbën e infektimeve në pranverë, kur frika nga virusi i ri dhe mënyrat tinëzare përmes të cilave mund të përhapej virusi, mbajtën mbyllur nëpër shtëpi shumë njerëz. Por, nëntë muaj më vonë, fjalët duket se kanë humbur kuptimin e tyre.”
Karlamangla citoi dr.Monika Gandin, specialiste e sëmundjeve infektive në Universitetin e Kalifornisë, që tha:“Kjo po ndodh jo sepse publiku është i papërgjegjshëm; por për shkak se ata po e humbin besimin tek zyrtarët e shëndetit publik që vendosin kufizime arbitrare”.
Arbitrare është tamam fjala e duhur. Në fakt, është fjala që unë kam përdorur në fillim të gushtit, kur parashikova se njerëzit do të pushonin së dëgjuari këshillat, pasi shumica e udhëzimeve të sigurisë nuk kishin kuptim.
Siç paralajmërova atëherë, “të pretenduarit siguri” ka një kosto të lartë. Rregullat që fyejnë inteligjencën e amerikanëve, e kanë humbur përfundimisht besueshmërinë e tyre, ashtu edhe të autoritetet që i shpallin ato. Ka qenë gjithnjë rreziku,që njerëzit e lodhur nga imponimi i rregullave absurde,të pushonin së ndjekuri ato rregulla.
Dhe disa po e bëjnë këtë. Sikur politikanët t’u kishin besuar amerikanëve, duke u thënë që të bënin më të mirën e mundshme përballë një korovavirusi që ishte i vështirë të frenohej, ne mund të ishim në një pozitë më të mirë për sa i përket rasteve të reja me Covid-19, mbi ekonominë, apo edhe gjendjen tonë të përgjithshme shëndetësore.
Në mars, mund të ishte normale që të ndërmerreshin shpallje gjithëpërfshirëse, por tani na duhen përgjigje të mençura, të synuara dhe të sakta. Kjo fillon me supozimin se amerikanët nuk janë fëmijë të paaftë për të llogaritur rrezikun, dhe për të marrë vendimet më të mençura. / “The New York Post”