Me vonesat e vaksinave që po kërcënojnë rimëkëmbjen e Evropës nga pandemia, Bashkimi Evropian lëshoi një paralajmërim të ashpër për kompaninë farmaceutike AstraZeneca. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Barcelonë Alfonso Beato thotë se ka një alarm në rritje në Spanjë, e cila mbetet ndër dhjetë vendet kryesore në botë për nga numri i rasteve.
Me pandeminë që nuk po tregon shenja ngadalësimi, shfaqja e një lloji të ri më ngjitës të virusit po sjell tensione të mëdha në spitalet e Evropës.
Pas një serie bllokimesh të rrepta, vaksinimi duket se është e vetmja shpresë për të luftuar pandeminë.
Por vonesat në shpërndarjen e vaksinave përbëjnë një pengesë të madhe në këtë betejë, duke bërë që Bashkimi Evropian të ndërhyjë.
“Ne duhet të sigurojmë shpërndarjen e vaksinave nga kompanitë dhe përdorimin e shpejtë dhe efikas të vaksinave që kemi”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Bashkimi Evropian ka financuar paraprakisht zhvillimin e vaksinës nga Astra Zeneca. Por kompania kohët e fundit informoi vendet anëtare të BE-së se ajo mund të shpërndajë shumë më pak doza në javët e ardhshme sesa ishte njoftuar më parë, duke përmendur çështje të kapacitetit të prodhimit.
“Bashkimi Evropian dëshiron të dijë me saktësi cilat doza janë prodhuar nga AstraZeneca dhe ku saktësisht janë shpërndarë ato”, thotë Stella Kyriakides, komisionere për sigurinë e ushqimeve dhe ilaçeve.
Spanja është një nga vendet me nivelet më të larta të infeksionit në Evropë. Problemi i vonesave në shpërndarjen e vaksinave vjen pas një polemike nga informacionet se disa politikanë dhe shefa ushtarakë morën vaksinën përpara protokolleve të vendosura që u japin përparësi punonjësve të shëndetësisë.
“Njerëzit që janë në azile duhet të vaksinohen gjithmonë të parët, të moshuarit, dhe pastaj njerëzit që janë në kontakt me të sëmurët. Mendoj se ky rregull duhet të respektohet dhe ne nuk duhet të shkelim në asnjë rast protokollet e vendosur në planin e vaksinimit të Spanjës”, thotë Joaquin Braun, farmacist.
Komandanti i lartë ushtarak i Spanjës dha dorëheqjen pas njoftimeve se ai mori vaksinën COVID-19 jashtë radhe në kundërshtim me kriteret e vendosura.
Kritikët thonë se mirënjohja për punonjësit shëndetësorë duhet të tregohet jo vetëm me duartrokitje nga ballkonet – por duke respektuar protokollet dhe duke pritur radhën e vaksinës./VOA