E kane pagëzuar si varianti P1 dhe është një ndër faktorët kryesorë të shpërthimit të Covid-19 në shtetin e Amazonës, në Brazil atje ku shërbimet shëndetësore janë në kolaps për shkak të fluksit të pacientëve.
Me një numër të lartë mutacionesh, ky lloj i ri i virusit brazilian është më i rrezikshëm se variantet e reja të gjetura në Britaninë e Madhe apo në Afrikën e Jugut, dhe këto janë tre llojet që shqetësojnë Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Për shkakun e variantit P1, pandemia po e godet Brazilin për një herë të dytë, duke iu shtuar më shumë se 222 mijë vdekje dhe 9.1 milionë raste të reja.
Alarmi fillestar u dha nga autoritetet japoneze në datën 9 Janar, pas analizave të mostrave të katër pasagjerëve të cilët ishin kthyer në Tokio pas udhëtimeve në Amazona.
Fondacioni brazilian “Osvaldo Kruz” raportoi se variant i ri Covid është një fenomen i ri, në të cilin janë akumuluar disa ndryshime gjenetike në një kohë të shkurtër.
Këto ndryshime gjenetike sipas shkencëtarëve e kanë fuqizuar më shumë virusin dhe kanë rritur transmetueshmërinë e tij, duke shtuar aftësitë e shumëfishimit.
Për të kuptuar ndryshimin, mjafton të bëhet një krahasim. Virusi brazilian përmban 12 mutacione gjenetike, tek ai britanik janë gjetur 8 mutacione, ndërsa tek ai afrikano-jugor 10.
Virusi i ri kishte prekur 51% te popullsisë së kryeqytetit të Amazonës në Dhjetor, ndërsa në Janar, ishte përhapur në 91% të popullsisë.
Disa shtete, si Portugalia, Peruja, Turqia dhe Kolumbia kane anuluar udhëtimet nga Brazili për shkak të frikës nga Covid P1.