Pandemia ka krijuar pasiguri të forta tek konsumatorët. Qytetarët po shpenzojnë vetëm për ushqime, teksa po kursejnë për mallra dhe shërbime të tjera. Instituti i Statistikave raporton se inflacioni arriti në shkurt nivelin e 1.1%, ku krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rritje kanë shënuar vetëm çmimet e produkteve ushqimore, pasuar nga ato të mobilieve.
Ndërkohë që kanë rënë çmimet e veshjeve dhe shërbimeve të transportit. Shifrat e mësipërme dëshmojnë edhe për një ndryshim në sjelljen e konsumatorëve, të cilët për shkak të pandemisë tashmë i kanë fokusuar shpenzimet tek ushqimet dhe akomodimi në shtëpi, duke hequr dorë nga gjërat e tjera.
Kjo ka çuar edhe në një tkurrje të fortë të konsumit, çka ka futur në ngërç ekonominë. Kjo pasi konsumi është një ndër gjeneruesit kryesorë të rritjes ekonomike. Në janar, inflacioni zbriti në 0.4%, duke paralajmëruar rënien e ekonomisë në deflacion. Dukuri që u arrit të shmangej në shkurt, megjithëse konsumi mbetet ende anemik.