Nga nesër do të fillojë vaksinimi kundër Kovid-19 i punonjësve mediatik të cilët i plotësojnë kushtet për tu vaksinuar në këtë fazë, gjegjësisht janë të moshës mbi 40 vjeçare, kështu njoftoi Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), shkruan Portalb.mk.
Nga Shoqata e Gazetarëve potencuan se që nesër, me datë 12 prill, do të fillojë vaksinimi i punonjësve mediatik të cilët i plotësojnë kushtet për vaksinim në këtë fazë, kundër virusit korona.
“Vaksinimi i gazetarëve dhe punonjësve mediatik që aplikuan në thirrjen dhe që plotësuan kushtet për të hyrë në grupin e parë të vaksinimit do të kryhet të hënën (12.04) në mëngjes, në terminin mes orës 08:20 dhe 10:30 në A1 Arena (Salla Boris Trajkovski) në Shkup. Në këtë grup janë të përfshirë personat që janë në moshë mbi 40 vjeç dhe ata që kanë sëmundje kronike” kumtuan nga Shoqata e Gazetarëve.
Bëhet fjalë për gjithsej 631 punonjës mediatik, ndërkaq vaksinimi do të bëhet në sallën Boris Trajkovski në Shkup, ku veçse ka filluar vaksinimi masiv i disa kategorive prioritare të fazes së parë.
“Të gjithë 631 gazetarët dhe punonjësit mediatik kanë marrë informata në lidhje me terminin e saktë të vaksinimit në adresat e tyre të postës elektronike (e-mail) të cilat i kanë dërguar redaksitë në SHGM dhe SPGPM gjatë procesit të aplikimit” deklaruan nga ShGM-ja.
Ndryshe, kësaj radhe do të vaksinohen vetëm punonjësit mediatik të moshës mbi 40 vjeç ndërkaq ditëve në vijim pritet vaksinimi i të gjithë punonjësve mediatik të cilët janë të interesuar për këtë. Nga Shoqata e Gazetarëve ju bëjnë thirrje personave përgjegjës ne mediat që ditën e vaksinimit si dhe ditën e ardhshme, gazetarët të lirohen nga puna.
Procesi i imunizimit kundër koronavirusit në vend filloi më 17 shkurt me vaksinimin e punonjësve shëndetësorë.
Në vend. deri tani kanë arritur 78,000, nga të cilat 48,000 janë dhuruar nga qeveria serbe.
Ministri Filipçe tha se gjatë këtij muaji në vend duhet të arrijnë rreth 300,000 vaksina pjesa më e madhe janë nga Kina.