Pas 12 vjetësh në pushtet, Benjamin Netanyahu humbi postin e kryeministrit pasi Parlamenti i Izraelit votoi një qeveri të re të koalicionit.
Qeveria e re do të drejtohet nga nacionalisti i krahut të djathtë, Naftali Bennett, nga partia Yamina. Ai do të drejtojë një koalicion të gjerë të partive i cili u miratua me një shumicë të thjeshtë votash: 60-59.
Bennett ka një marrëveshje për ndarjen e pushtetit me një udhëheqës të një partie të qendrës.
Sipas marrëveshjes së koalicionit, Bennett, i cili udhëheq partinë Yamina, do të ushtrojë postin e kryeministrit deri në shtator të vitit 2023, dhe më pas do t’ia dorëzojë atë, Yair Lapid, udhëheqësit të partisë Yesh Atid.
Netanyahu, si kreu i partisë së djathtë Likud do të jetë lider i opozitës.
Më herët ai e ka sulmuar qeverinë e re, duke e quajtur atë një “koalicion të rrezikshëm mashtrimi dhe dorëzimi” dhe është zotuar se do ta “rrëzojë shumë shpejt”.
Ndaj Netanyahut po vazhdon gjyqi lidhur me akuzat për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit. Ai i mohon akuzat.